Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 209/2021, të 10 janarit 2022

Nr. të lëndës KI140/22

Parashtruesit: Imer Mustafa dhe të tjerët

Shkarko:

KI140/22, Parashtrues: Imer Mustafa dhe të tjerët, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 209/2021, të 10 janarit 2022

 KI140/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 dhjetorit 2022, publikuar më 7 shkurt 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest pronësor, kërkesë e papranueshme 

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me atë që parashtruesit e kërkesës kishin pasur një kontest pronësor, ku lidhur me këtë kishin parashtruar padi në Gjykatën Themelore kundër të paditurve B.K., R.K., N.K., E.K., H.K., E.K. dhe L.K., duke pretenduar se të njëjtit janë trashëgimtarë ekskluzivë të paluajtshmërisë e cila gjendet ne vendin e quajtur “Sllanishte”,  me kulturë are e klasit të V, në ngastrën kadastrale me numër 757, në sipërfaqe prej 0.36,70 ha, sipas Fletës poseduese nr. 468, Zona Kadastrale Matiqan, në bazë të aktvendimit të plotfuqishëm mbi trashëgiminë të Gjykatës Komunale në Prishtinë T. nr. 17612002 të 12 dhjetorit 2002. Po ashtu edhe të paditurit kishin parashtruar kundërpadi kundër parashtruesve të kërkesës, të cilën e kishin precizuar më 15 nëntor 2013, me të cilën kishin kërkuar që kundërpadia e kundërpaditësve të miratohet si e bazuar dhe të vërtetohet se kundërpaditësit e kanë fituar të drejtën e pronësisë nga baza e parashkrimit fitues në paluajtshmërinë në sipërfaqe prej 0.36,70 ha, e cila evidentohet si ngastër kadastrale nr. 757, me kulturë are e klasit të V, në vendin e quajtur “Sllanishte”, Zona Kadastrale Matiqan, sipas Fletës poseduese nr. 468 KK Prishtinë. Gjykata Themelore kishte refuzuar padinë e parashtruesve të kërkesës ndërsa kundërpadinë e paditësve e kishte miratuar dhe kishte vërtetuar se të njëjtit kishin fituar të drejtën e pronësisë në bazë të parashkrimit fitues. Parashtruesit e kërkesës kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e refuzoi ankesën e tyre. Parashtruesit e kërkesës kishin paraqitur revizion në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit e hodhi poshtë si të paafatshëm revizionin. Parashtruesit e kërkesës përmes një parashtrese iu drejtuan Kryetarit të Gjykatës Supreme me kërkesën “… që të kërkoni nga kolegji i kësaj gjykate që ka vendosur lidhur me revizionin, që me akt administrativ të kërkohen shkresat e lëndës C.nr.33441l2 nga Gjykata Themelore në Prishtinë për të vendosur meritorisht lidhur me revizionin”. Kryetari i Gjykatës Supreme përmes një njoftimi i njofton parashtruesit e kërkesës lidhur me parashtresën e tyre, ku ndër të tjera thekson: “… Ju njoftoj se si Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës për njoftimin tuja, sipas Ligjit nr.06/L-054 për Gjykatat, neni 25, paragrafi 7 është përgjegjës për menaxhimin dhe punët e Gjykatës Supreme; sipas nevojës, cakton gjyqtarët për të siguruar gjykimin efikas të lëndëve; sigurohet që secila lëndë e paraqitur në Gjykatën Supreme caktohet tek një kolegj adekuat i gjyqtarëve dhe cakton gjyqtarin kryesues të atij kolegji, nuk është në kompetencë ligjore që kryetari i gjykatës t’i kërkoj kolegjit të kësaj gjykate që me akt administrativ, apo në një mënyrë tjetër të kërkohen shkresat e lëndës nga Gjykata Themelore. Në rastin konkret, kryetari nuk ka të drejtë të ndërhyj në vendimmarrjen e kolegjit të gjyqtarëve dhe të vlerësoj meritat e rastit ngase konsiderohet ndikim në pavarësinë dhe paanshmërinë e punës së gjyqtarëve”.

Parashtruesit e kërkesës kontestuan aktvendimin [Rev. nr. 209/2021] të 10 janarit 2022 të Gjykatës Supreme dhe njoftimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme, me pretendimin se të njëjtit janë nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.

Në vlerësimin e saj, Gjykata vërejti se në rastin konkret, procedura ndaj parashtruesve të kërkesës e zhvilluar para gjykatave të rregullta, në lidhje me çështjen pronësore, ishte zhvilluar para tri instancave gjyqësore, Gjykatës Themelore, të Apelit dhe Supreme, dhe e cila kishte rezultuar me nxjerrjen e Aktvendimit të Gjykatës Supreme [Rev. nr. 209/2021] të 10 janarit 2022.

Megjithatë, pas pranimit të Aktvendimit të Gjykatës Supreme, parashtruesit e kërkesës i ishin drejtuar Kryetarit të Gjykatës Supreme, me propozimin që ky i fundit të kërkoj nga Kolegji gjyqtarëve të cilët kanë vendosur për rastin, që ata të kërkojnë nga Gjykata Themelore shkresat e lëndës dhe të vendoset edhe njëherë në merita për rastin. Lidhur me këtë, Gjykata thekson se përgjigjja lidhur me kërkesën në fjalë është plotësisht diskrecionale për Kryetarin të Gjykatës Supreme.

Andaj, Gjykata vlerëson se “vendim i fundit”, sipas nenit 49 të Ligjit, lidhur me çështjen pronësore, konsiderohet Aktvendimi i Gjykatës Supreme [Rev. nr. 209/2021] i 10 janarit 2022, me të cilin ishte refuzuar revizioni i parashtruesve të kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.

Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesit e kërkesës Aktvendimin [Rev. nr. 209/2021] të 10 janarit 2022 të Gjykatës Supreme, e kishin pranuar më 8 shkurt 2022, gjë e cila vërtetohet nga fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore. Parashtruesit e kërkesës e kishin dorëzuar kërkesën e tyre në Gjykatë më 15 shtator 2022, më shumë se 4 muaj pas pranimit të vendimit të fundit, përkatësisht Aktvendimit të Gjykatës Supreme. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesve të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.

Parashtruesit:

Imer Mustafa dhe të tjerët

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile