Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Remzije Istrefi – Peci, dhe zv. Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, z. Veton Dula, pritën në takim të përbashkët një grup studentësh ndërkombëtarë të Programit Evropian (EMA) për studime pasuniversitare në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokratizim, nga kampuset universitare në Vjenë dhe Venedik.
Historiku i themelimit të Gjykatës Kushtetuese dhe i miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, roli dhe përgjegjësitë e Gjykatës, si dhe juridiksioni dhe palët e autorizuara për parashtrimin e kërkesave ishin vetëm disa ndër temat për të cilat gjyqtarja Istrefi – Peci diskutoi gjatë prezantimit të saj.
Gjyqtarja Istrefi – Peci në vazhdim i njoftoi studentët ndërkombëtarë edhe për zbatimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe obligimin kushtetues për respektimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Pas prezantimit që zv. Sekretari i Përgjithshëm i bëri strukturës aktuale të Gjykatës dhe përbërjes së saj të parë me gjyqtarë dhe këshilltarë ndërkombëtarë, studentët shprehën interesimin e tyre që të informohen më për së afërmi përkitazi me natyrën e vendimeve që i nxjerr Gjykata Kushtetuese, arsyet më të shpeshta për shpalljen e kërkesave të parashtruara si të papranueshme dhe për kohëzgjatjen e shqyrtimit të rasteve.