K70/22, Parashtrues: Melihate Hasi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Ac. nr. 6192/20 të 9 marsit 2022 të Gjykatës së Apelit
KI70/22, Aktvendim i 15 nëntorit 2022, i publikuar më 9 dhjetor 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, person fizik, procedurë përmbarimore, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me procedurë përmbarimore, gjegjësisht me kontestimin e Urdhrit përmbarimor [P. nr. 353/18] të 18 nëntorit 2020, të përmbaruesit privat Gj. R., me të cilin ishte urdhëruar shitja në ankand publik e paluajtshmërisë, përkatësisht e një banese në sipërfaqe prej 89.62 m2 (metra katror), në rrugën “Yll Morina” në Gjakovë, hyrja nr. II, kati i IV, e cila sipas shkresave të lëndës ishte lënë hipotekë nga bashkëshorti i ndjerë i parashtrueses së kërkesës. Në lidhje me këtë Urdhër përmbarimor parashtruesja e kërkesës më 25 nëntor 2020, parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës përmbarimore, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me pretendimin se nuk kishte dijeni për lënien në hipotekë të paluajtshmërisë së lartcekur nga bashkëshorti i ndjerë dhe se nuk pajtohej me vlerën e caktuar të çmimit. Në lidhje me ankesën e saj, Gjykata e Apelit, më 9 mars 2022 nxori Aktvendimin Ac. nr. 6192/20, me të cilin refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtrueses së kërkesës, me arsyetimin se në vlerësimin e saj, Urdhri [P. nr. 353/18] i 18 nëntorit 2020 për shitjen e paluajtshmërisë ishte i drejtë dhe konform nenit 222 të Ligjit të Procedurës Përmbarimore.
Parashtruesja e kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese, pretendoi se vendimi i Gjykatës së Apelit dhe Urdhri përmbarimor i përmbaruesit Gj. R., shkelin të drejtat e saj të garantuara me nenet 31, 32 dhe 102.5 të Kushtetutës, si dhe nenet 6, 13 dhe 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj), sepse gjatë zhvillimit të procedurës përmbarimore aktet në fjalë janë marrë në shkelje të rënda të dispozitave të procedurës kontestimore dhe përmbarimore, në shkelje të ligjit për familjen dhe se janë aplikuar dispozitat e ligjeve që nuk ishin të aplikueshme në rastin e saj, duke theksuar se borxhi ishte parashkruar (vjetërsuar).
Gjykata Kushtetuese, fillimisht, vlerësoi kriteret e pranueshmërisë së kërkesës sipas Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës, duke konsideruar se parashtruesja e kërkesës është palë e autorizuar, kishte shteruar mjetet juridike në dispozicion, kishte saktësuar nenet e Kushtetutës dhe aktin e autoritetit publik që kontestohej në Gjykatë, dhe kërkesën e kishte dorëzuar brenda afatit kohor parej 4 (katër) muajve. Në adresimin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, Gjykata vërejti se thelbi i pretendimeve të kërkesës ndërlidhej me mënyrën e interpretimit dhe zbatimin të ligjit material dhe procedural. Në këtë kontekst, Gjykata i shqyrtoi këto pretendime në pajtueshmëri me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në harmoni me të cilën, bazuar në nenin 53 të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë. Në lidhje me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata konsideroi se parashtruesja e kërkesës e kishte ndërtuar kërkesën në baza ligjshmërie dhe jo në baza kushtetutshmërie, duke përsëritur qëndrimin e saj, se vetëm një pretendim i ngritur në nivel kushtetutshmërie, mund ta vejë në lëvizje Gjykatën për të ndërhyrë në riparimin e shkeljeve të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme në rendin juridik të brendshëm. Gjykata, duke marrë parasysh pretendimet e parashtrueses së kërkesës dhe duke iu referuar shkresave të lëndës, konstatoi se parashtruesja e kërkesës megjithatë nuk ka arritur të dëshmojë se efektet e interpretimit dhe të zbatimit të së drejtës materiale ishin jo-kompatibile me të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj. Përveç pretendimit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata vërejti se parashtruesja e kërkesës pretendoi se borxhi i saj, ndaj kreditorit, sipas ligjeve në fuqi ishte parashkruar (vjetërsuar), megjithatë në lidhje me këtë pretendim Gjykata konstatoi se i njëjti ishte i paafatshëm për arsye se parashtruesja e kërkesës e kishte lëshuar mundësinë për t’i kontestuar vendimet paraprakë të gjykatave të rregullta, të cilat i kanë paraprirë procedurës përmbarimore, dhe se në këtë fazë të procedurës është duke u kontestuar Aktvendimi [Ac. nr. 6192/2020] i 9 marsit 2022 i Gjykatës së Apelit, në ndërlidhje me Urdhrin përmbarimor [P. nr. 353/18] të 18 nëntorit 2020 të përmbaruesit privat Gj. R., procedurë e cila u iniciua bazuar në procedurat e mëparshme të përfunduara në gjykatat e rregullta me vendime të formës së prerë. Po ashtu në lidhje me pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të nenit 32 dhe 102.5 të Kushtetutës, nenit 13 dhe nenit 1 të Protokolit nr. 1 të KEDNj-së, Gjykata rikujtoi se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së, nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludoi se: (I) pretendimet e parashtrueses së kërkesës, lidhur me interpretimin dhe zbatimin e ligjit material dhe procedural, bien në kategorinë e parë (i) të pretendimeve të “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel ligjshmërie dhe nuk janë argumentuar në nivel kushtetutshmërie, andaj, si të tilla duhet të shpallen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese; (II) pretendimi i parashtrueses së kërkesës në lidhje me parashkrimin e borxhit, deklarohet i paafatshëm në pajtim me nenin 49 të Ligjit; (III) pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të nenit 33 dhe 102. 5 të Kushtetutës, nenit 13 dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNj-së, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a) të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj si të tilla të njëjtat, në baza kushtetuese duhet shpallur po ashtu qartazi të pabazuara. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me nenin 49 të Ligjit, dhe rregullat 39 (1, c) e (2) të Rregullores së punës, shpallet e papranueshme.
Melihate Hasi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit , Kërkesa është qartazi e pabazuar
Tjetër