Kërkesë për rishqyrtimin e Aktvendimit për papranueshmëri nr. KI07/21 dhe KI17/21 të 10 nëntorit 2021, të Gjykatës Kushtetuese dhe vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit KGJK. nr. 153/2022 të 20 prillit 2022 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës
Nr. të lëndës KI75/22
Parashtruesit: Emine Shabani
KI75/22, Parashtrues: Emine Shabani, Kërkesë për rishqyrtimin e Aktvendimit për papranueshmëri nr. KI07/21 dhe KI17/21 të 10 nëntorit 2021, të Gjykatës Kushtetuese dhe vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit KGJK. nr. 153/2022 të 20 prillit 2022 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës
KI75/22, Aktvendim për Papranueshmëri, i 12 tetorit 2022, publikuar më 9 nëntor 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, ratione personae, kërkesë për masë të përkohshme
Rrethanat e rastit konkret kishin të bëjnë me ankesën e parashtrueses së kërkesës të cilën ia dorëzoi Kryesuesit të KGJK-së, përmes së cilës kërkoi që të hedhet poshtë kandidatura e gjyqtarit V. S. për Kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan, pasi që, sipas parashtrueses së kërkesës, ai ishte i padenjë dhe jomeritor për atë pozitë. Parashtruesja e kërkesës ndër tjerash theksoi se gjyqtari V. S. sfidon në mënyrë të hapur funksionimin e gjyqësorit dhe KGJK-së. Në mbështetje të ankesës së saj, parashtruesja e kërkesës iu referua lëndës [C. nr. 274/15] që ishte vendosur nga gjyqtari V. S., lidhur me të cilën parashtruesja e kërkesës shtoi se “… prej fillimit të shqyrtimit gjyqësor deri në kurdisjen e lëndës C. nr. 274/15 ishte përballur me trajtim të ashpër, të njëanshëm, joprofesional dhe arbitrar”.
Parashtruesja e kërkesës para Gjykatës pretendoi shkelje të të drejtave dhe lirive kushtetuese, të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit ], 7 [Vlerat], 21 [Parimet e Përgjithshme], 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 46 [Mbrojtja e pronës ], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] dhe 108 [Këshilli Gjyqësor i Kosovës] të Kushtetutës. Gjithashtu kishte kërkuar vendosjen e masës së përkohshme.
Lidhur me Vendimin [KGJK. nr. 153/2022] e kontestuar të KGJK-së, parashtruesja e kërkesës pretendoi se edhe pse KGJK kishte parë trajtimin arbitrar nga gjyqtari V.S. në lëndën C. nr. 274/15, “… për aktivitetin kriminal, trajtimin arbitrar, persekutimin institucional, shkeljen e ligjit dhe KRK-së, gjyqtarin [V. S.] e ka shpërblyer me pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore”. Më tej, parashtruesja e kërkesës pretendoi se Gjykata duhet të gjejë shkelje të neneve të lartcekura të Kushtetutës, duke theksuar se “… zgjidhja e vetme është që rasti të trajtohet nga ndonjë institucion i paanshëm dhe profesional siç është Komisioni i Venecias, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ose eventualisht nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, etj”.
Parashtruesja e kërkesës kontestoi Aktvendimin për papranueshmëri në rastin KI07/21 dhe KI17/21 të Gjykatës, pasi që vlerëson se refuzimi i pretendimeve të saj për përjashtimin e gjyqtarit V.S. dhe kryetarëve të gjykatave të rregullta si të paafatshme nga ana e Gjykatës, ishte i padrejtë, i pabazuar, kundërligjor dhe kundërkushtetues. Gjithashtu, parashtruesja e kërkesës thekson se përmes kërkesës KI07/21 dhe KI17/21 kishte kërkuar vendosjen e masës së përkohshme në lëndën [C. nr. 275/15] për shkak të kurdisjes së lëndës nga gjyqtari V. S., dhe trajtimit arbitrar dhe diskriminues në atë lëndë.
Gjykata vërejti se parashtruesja e kërkesës, në të vërtetë, përmes kërkesës KI75/22, në thelb ngriti pretendimet e njëjta sikurse ato të ngritura në kërkesën e mëparshme KI07/21 dhe KI17/21, që kanë të bëjnë me përjashtimin e gjyqtarit V.S., trajtimit arbitrar e diskriminues si dhe kurdisjes së lëndës, nga ky i fundit.
Lidhur me këtë Gjykata konsideroi se në mënyrë që Gjykata të shqyrtojë një kërkesë që ka të bëjë me faktet e njëjta si në kërkesën e mëparshme, parashtruesi i kërkesës duhet që vërtetë të ofrojë informacione të reja të cilat më parë nuk janë shqyrtuar nga Gjykata. Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se vendimet e saj janë vendime të formës së prerë dhe detyrueshme për gjyqësorin, të gjithë personat dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
Rrjedhimisht, duke pasur parasysh që kërkesa e parashtrueses së kërkesës ishte përsëritje e kërkesës KI07/21 dhe KI17/21, Gjykata, bazuar në paragrafin (5) të rregullit 35 të Rregullores së punës, konstaton se kërkesa e tanishme duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër sepse kërkesa është përsëritje e një kërkese të mëhershme të vendosur nga Gjykata.
Gjykata rikujtoi se parashtruesja e kërkesës pretendoi po ashtu se Vendimi [KGJK. nr. 153/2022] i 20 prillit 2022 i KGJK-së, si akt i autoritetit publik, ka shkelur të drejtat dhe liritë e saj të mbrojtura me nenet 3, 7, 21, 22, 24, 31, 32, 46, 53, 54, 102 dhe 108 të Kushtetutës, duke pohuar se pavarësisht trajtimit arbitrar të gjyqtarit V.S. në lëndën në të cilën ajo kishte qenë palë, KGJK e kishte shpërblyer atë më pas me pozitën e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan.
Gjykata, në rastin konkret, pa vlerësuar natyrën juridike të vendimit të lartcekur të KGJK-së, vlerësoi nëse janë plotësuar kushtet formale për të shqyrtuar kërkesën në formën në të cilën është paraqitur ajo nga parashtruesja.
Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se individët janë të autorizuar t’i ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë. Veprimi ose mosveprimi duhet ta prekë drejtpërdrejt parashtruesin. Gjykata rikujtoi se një kërkesë duhet të parashtrohet nga apo në emër të personave që pretendojnë se janë viktima të shkeljes së dispozitave kushtetuese. Këta persona duhet të jenë në gjendje të tregojnë se janë “prekur drejtpërsëdrejti” nga masa ndaj të cilës ankohen.
Në këto rrethana, Gjykata konstatoi se vendimi i kontestuar i KGJK-së nuk iu ka referuar asnjë situate që prekë të drejtat e ndonjë personi tjetër dhe rrjedhimisht nuk ka mundur të ketë efekte të shkeljeve të supozuara të të drejtave dhe lirive të parashtrueses së kërkesës sepse kishte të bënte vetëm me personin e caktuar në vendim, respektivisht gjyqtarin V. S..
Gjykata rikujtoi gjithashtu praktikën e GJEDNJ-së, të afirmuar edhe përmes praktikës së Gjykatës, ku një kërkesë deklarohet e papranueshme ratione personae me KEDNJ-në, respektivisht Kushtetutën, në rastet kur parashtruesi i kërkesës nuk mund të dëshmoj se është viktimë e shkeljeve të të drejtave që pretendon se i janë shkelur. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtrueses ishte ratione personae e papajtueshme me Kushtetutën.
Gjykata, siç u përmend më lart, që parashtruesja e kërkesës nuk kishte treguar rastin prima facie për pranueshmërinë e kërkesës, pasi që kërkesa nuk është ratione personae me Kushtetutën, dhe rrjedhimisht kërkesa për masë të përkohshme u rufezua si e pabazuar.
Emine Shabani
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës