Kërkesë për rishqyrtimin e Aktvendimit për papranueshmëri nr. KI07/21 dhe KI17/21 të 10 nëntorit 2021, të Gjykatës Kushtetuese dhe vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit KGJK. nr. 153/2022 të 20 prillit 2022 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës
Nr. të lëndës KI75/22
Parashtruesit: Emine Shabani
Prishtinë, më 7 nëntor 2022
Nr. Ref.:RK 2071/22
AKTGJYKIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI75/22
Parashtrues
Emine Shabani
Kërkesë për rishqyrtimin e Aktvendimit për papranueshmëri nr. KI07/21 dhe KI17/21 të 10 nëntorit 2021, të Gjykatës Kushtetuese dhe vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit KGJK. nr. 153/2022 të 20 prillit 2022 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
1. Kërkesa është parashtruar nga Emine Shabani, nga fshati Velegllavë e Epërme, në Gjilan, (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës), e përfaqësuar nga Ali Shabani, nga Gjilani.
Vendimi i kontestuar
2. Parashtruesja e kërkesës kërkon nga Gjykata Kushtetuese rishqyrtimin e Aktvendimin për papranueshmëri nr. KI07/21 dhe KI17/21 të 10 nëntorit 2021, të Gjykatës Kushtetuese si dhe vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit [KGJK. nr. 153/2022] e 20 prillit 2022 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KGJK) për emërimin e gjyqtarit V. S., Kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan.
Objekti i çështjes
3. Objekt i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimeve të kontestuara, përmes së cilave pretendohet se parashtrueses së kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat], 21 [Parimet e Përgjithshme], 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 46 [Mbrojtja e pronës], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] dhe 108 [Këshilli Gjyqësor i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
4. Përveç kësaj, parashtruesja e kërkesës para Gjykatës kërkon edhe vendosjen e masës së përkohshme kundër Vendimit [KGJK. nr. 153/2022] të 20 prillit 2022 të KGJK-së, për shkak se sipas saj rrezikohet funksionimi i KGJK-së, i Gjykatës Themelore në Gjilan si dhe funksionimi i tërë sistemit gjyqësor në përgjithësi.
Baza juridike
5. Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës), 27 (Masat e Përkohshme) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) dhe rregullin 56 (Kërkesa për masë të përkohshme) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
6. Më 26 maj 2022, parashtruesja e kërkesës e dorëzoi kërkesën e saj përmes postës, të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e pranoi më 31 maj 2022.
7. Më 8 qershor 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [GJR. KI75/22] caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
8. Më 22 qershor 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesen e kërkesës për regjistrimin e kërkesës si dhe i kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë autorizimin për përfaqësim.
9. Më 5 korrik 2022, parashtruesja e kërkesës e dorëzoi në Gjykatë autorizimin për përfaqësim si dhe dokumente tjera shtesë.
10. Më 12 tetor 2022, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
11. Gjykata së pari rikujton se parashtruesja e kërkesës parashtron për herë të dytë kërkesë para Gjykatës. Më parë, parashtruesja e kërkesës kishte dorëzuar në Gjykatë kërkesat KI07/21 dhe KI17/21.
Përmbledhja e fakteve në rastin KI07/21 dhe KI17/21
12. Në një datë të paspecifikuar, në Gjykatën Themelore ishte dorëzuar padi kundër parashtrueses së kërkesës për vërtetim të bashkëpronësisë në pronë të paluajtshme. Përmes Aktgjykimit [C. nr. 274/15] të 27 nëntorit 2020 të Gjykatës Themelore në Gjilan, ishte aprovuar pjesërisht padia e palës paditëse paraqitur kundër parashtrueses së kërkesës, ku ndër tjera kjo e fundit ishte pronare me 1/11 pjesë ideale të sipërfaqes prej 3319 m2, në kuadër të ngastrës kadastrale bazë me numër 71-2 si dhe ishte refuzuar si e pabazuar kundërpadia e parashtrueses së kërkesës për vërtetimin e të drejtës së pronësisë, sipas ndarjes gjeodezike të ekspertit gjeodet, në ngastrat kadastrale 71-1 dhe 71-2 në Gjilan.
13. Në kuadër të çështjes kontestimore [C. nr. 274/15], parashtruesja e kërkesës kishte dorëzuar parashtresë për përjashtimin e gjyqtarit V.S., në Gjykatën Themelore në Gjilan, kërkesë kjo e cila u refuzua si e pabazuar me Aktvendimin [CN. nr. 251/2018 ] e 31 tetorit 2018, të Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan, me arsyetimin se nuk ishin plotësuar kushtet ligjore sipas Ligjit nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore (GZ, numër 38, 20 shtator 2008) (në tekstin e mëtejmë: LPK). Bazuar në refuzimin e kërkesës për përjashtim të gjyqtarit V. S., parashtruesja e kërkesës kishte zhvilluar procedura gjyqësore kundër kryetarëve të Gjykatës Themelore në Gjilan, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme.
14. Më 11 janar 2021, parashtruesja e kërkesës kishte dorëzuar në Gjykatë kërkesën KI07/21, ndërsa me 18 janar 2021 dorëzoi kërkesën KI17/21. Në pajtim me rregullin 40 të Rregullores së punës, Gjykata kishte vendosur për bashkimin e këtyre dy kërkesave duke i shqyrtuar si një kërkesë të vetme.
15. Përmes kërkesës KI07/21 dhe KI17/21, parashtruesja e kërkesës kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [C. nr. 274/15] të 27 nëntorit 2020 të Gjykatës Themelore në Gjilan dhe disa aktvendimeve të gjykatave të rregullta lidhur me përjashtimin e gjyqtarit V. S., Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan, Kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe të Kryetarit të Gjykatës Supreme, përmes të cilëve sipas parashtrueses së kërkesës i ishin shkelur të drejtat e garantuara me nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës. Parashtruesja e kërkesës gjithashtu kishte kërkuar nga Gjykata vendosjen e masës së përkohshme në lëndën C. nr. 274/15, me arsyetimin se gjyqtari V. S. kishte keqpërdorur pozitën duke kurdisur lëndën.
16. Më 10 nëntor 2021, Gjykata, përmes Aktvendimit për papranueshmëri në rastin KI07/21 dhe KI17/21, kërkesën e parashtrueses së kërkesës e shpalli të papranueshme, duke vlerësuar se pretendimet për vërtetimin e bashkëpronësisë së paluajtshmërisë së kontestuar ishin të papranueshme për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike ndërsa pretendimet lidhur me përjashtimin e gjyqtarit V. S., dhe të kryetarëve të gjykatave të rregullta ishin të paafatshme. Në fund, përmes Aktvendimit për papranueshmëri në rastin KI07/21 dhe KI17/21, Gjykata refuzoi kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme.
Përmbledhja e fakteve që lidhen me kërkesën KI75/22
17. Nga shkresat e lëndës rezulton se, më 19 prill 2022, parashtruesja e kërkesës dorëzoi ankesë urgjente drejtuar Kryesuesit të KGJK-së, përmes së cilës kërkoi që të hedhet poshtë kandidatura e gjyqtarit V. S. për Kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan, pasi që, sipas parashtrueses së kërkesës, ai ishte i padenjë dhe jomeritor për atë pozitë. Parashtruesja e kërkesës ndër tjerash theksoi se gjyqtari V. S. sfidon në mënyrë të hapur funksionimin e gjyqësorit dhe KGJK-së. Në mbështetje të ankesës së saj, parashtruesja e kërkesës iu referua lëndës [C. nr. 274/15] që ishte vendosur nga gjyqtari V. S., lidhur me të cilën parashtruesja e kërkesës shtoi se “… prej fillimit të shqyrtimit gjyqësor deri në kurdisjen e lëndës C. nr. 274/15 ishte përballur me trajtim të ashpër, të njëanshëm, joprofesional dhe arbitrar”.
18. Tutje, në ankesën e lartcekur drejtuar KGJK-së, parashtruesja e kërkesës theksoi se gjyqtari V.S. kishte dëshmuar se për të arritur qëllimet e tij nuk respekton kodin e etikës profesionale, të drejtat e njeriut, ligjin, Kushtetutën dhe Konventat ndërkombëtare. Në këtë aspekt, parashtruesja e kërkesës përmes kësaj ankese shtoi si në vijim:
“Emërimin e tij eventual si Kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan nga KGJK-ë e vlerësojmë si shpërblim për aktivitetin e tij kriminal (kurdisjes), trajtimin arbitrar, diskriminim flagrant, persekutimin institucional ndaj familjes së saj dhe rrezikim të funksionimit të institucioneve të drejtësisë mbi parimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Në rast të emërimit të gjyqtarit V.S., pala e dëmtuar Emine Shabani në pajtim me nenin 113, pika 7 të KRK-ë dhe nenin 27, Ligji nr.03/L-121 do kërkoj nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosjen e masës së përkohshme. Përveç kësaj, varësisht prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, do të shqyrtojmë mundësinë që t’i drejtohemi edhe Presidentes së Republikës së Kosovës në pajtim me nenin 84 të KRK-së”.
19. Më 20 prill 2022, KGJK përmes Vendimit [KGJK. nr. 153/2022] emëroi gjyqtarin V. S. Kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan.
20. Më 21 prill 2022, parashtruesja e kërkesës dorëzoi ankesë urgjente tek Kryesuesi i KGJK-së, duke kërkuar që urgjentisht t’i dorëzoheshin të gjitha parashtresat e vulosura dhe të protokolluara të cilat ia kishte adresuar KGJK-së, lidhur me lëndët C. nr. 809/16 dhe C. nr. 274/15, me qëllim të përdorimit të tyre si dëshmi në paraqitjen e kërkesës për vendosje të masës së përkohshme para Gjykatës Kushtetuese.
21. Nga shkresat e lëndës rezulton se, në po të njëjtën ditë, parashtruesja e kërkesës paraqiti kërkesë urgjente pranë Avokatit të Popullit dhe një tjetër pranë Agjencisë për Informim dhe Privatësi, përmes së cilave kërkoi fillimin e hetimeve kundër KGJK-së, me arsyetimin se KGJK nuk ishte përgjigjur në kërkesën e saj për dorëzimin e parashtresave të kërkuara, të nevojshme për dorëzimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
22. Parashtruesja e kërkesës pretendon shkelje të të drejtave dhe lirive kushtetuese, të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit ], 7 [Vlerat], 21 [Parimet e Përgjithshme], 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 46 [Mbrojtja e pronës ], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] dhe 108 [Këshilli Gjyqësor i Kosovës] të Kushtetutës.
Pretendimet e parashtrueses së kërkesës lidhur me Aktvendimin për papranueshmëri të Gjykatës Kushtetuese në kërkesën KI07/21 dhe KI17/21
23. Parashtruesja e kërkesës thekson se refuzimi i pretendimeve si të paafatshme përkitazi me përjashtimin e gjyqtarit V. S. dhe kryetarëve të gjykatave të rregullta në kërkesën KI07/21 dhe KI17/21, nga ana e Gjykatës është i padrejtë, i pabazuar, kundërligjor dhe kundërkushtetues.
24. Parashtruesja e kërkesës shton se “Në rastin konkret, është absurde, arbitrare, e padrejtë dhe e gabuar që Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitës nenit 49 të Ligjit Nr.03/L-121 dhe rregullit 39 (l) (c) të Rregullores së punës, ndërkaq procedura dhe procesi për përjashtim të gjyqtarit rregullohet me Ligjin e Procedurës Kontestimore”. Lidhur me zbatimin e nenit 49 të Ligjit, parashtruesja e kërkesës konsideron se i “referohet vetëm vendimeve gjyqësore dhe jo procedurave dhe proceseve siç i referohet dhe e interpreton Gjykata Kushtetuese këtë dispozitë”.
25. Tutje, parashtruesja e kërkesës pretendon se “Referuar nenit 49 Ligjit Nr.03/L- 121, pala kunderpaditëse Emine Shabani e informon Gjykatën Kushtetuese se brenda afatit të lejuar kohor kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës vendosjen e masës së përkohshme në lëndën C.nr.274/15 për shkak të persekutimit institucional, trajtimit arbitrar dhe diskriminimit sistematik, si dhe kurdisjes së vendimit në lëndën C. nr. 274/15”. Në këtë aspekt, parashtruesja e kërkesës pretendon se ishte e vetëdijshme që kishte të drejtën e ankesës pranë Gjykatës së Apelit mirëpo i ishte drejtuar Gjykatës që të mos lejonte persekutimin institucional, trajtimin arbitrar dhe diskriminimin sistematik.
26. Parashtruesja e kërkesës më tej thekson se marrë parasysh rrethanat e rastit, Gjykata Kushtetuese është e “njëanshme dhe diskriminuese”.
Pretendimet e parashtrueses së kërkesës lidhur me Vendimin [KGJK. nr. 153/2022] e 20 prillit 2021 të KGJK-së
27. Lidhur me Vendimin [KGJK. nr. 153/2022] e kontestuar të KGJK-së, parashtruesja e kërkesës pretendon se edhe pse KGJK kishte parë trajtimin arbitrar nga gjyqtari V.S. në lëndën C. nr. 274/15, “… për aktivitetin kriminal, trajtimin arbitrar, persekutimin institucional, shkeljen e ligjit dhe KRK-së, gjyqtarin [V. S.] e ka shpërblyer me pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore”.
28. Më tej, parashtruesja e kërkesës pretendon se Gjykata duhet të gjejë shkelje të neneve të lartcekura të Kushtetutës, duke theksuar se “… zgjidhja e vetme është që rasti të trajtohet nga ndonjë institucion i paanshëm dhe profesional siç është Komisioni i Venecias, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ose eventualisht nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, etj”.
29. Parashtruesja e kërkesës gjithashtu kërkon vendosjen e masës së përkohshme ndaj Vendimit [KGJK. nr. 153/2022] të 20 prillit 2021 të KGJK-së me arsyetimin se rrezikohet funksionimi i KGJK-së, i Gjykatës Themelore në Gjilan si dhe tërë sistemit gjyqësor. Përveç kësaj, parashtruesja e kërkesës thekson se me vendimin e lartcekur ndjehet e rrezikuar në aspektin e sigurisë juridike dhe për jetën e anëtarëve të familjes së saj.
30. Parashtruesja e kërkesës në fund kërkon nga Gjykata që “masa e përkohshme duhet të vendoset dhe të zgjasë deri në një opinion nga Komisioni i Venecias”.
31. Parashtruesja e kërkesës ka bashkëngjitur edhe një sërë shkresash dhe vendimesh tjera të cilat nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me çështjen që është në shqyrtim para Gjykatës.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 3
[Barazia para Ligjit]
1. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
Neni 7
[Vlerat]
1. Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit, mosdiskriminimit, të drejtës së pronës, mbrojtjes e mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë së tregut.
2. Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore.
Neni 21
[Parimet e Përgjithshme]
3. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës.
4. Republika e Kosovës mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të parashikuara në këtë Kushtetutë.
5. Republika e Kosovës mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të parashikuara në këtë Kushtetutë.
6. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.
Neni 22
[Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare]
1. Të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare në vijim, garantohen me këtë Kushtetutë, zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës dhe kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike:
(1) Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut;
(2) Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj;
(3) Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj;
(4) Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare;
(5) Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor;
(6) Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas;
(7) Konventa për të Drejtat e Fëmijës;
(8) Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese.
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t’u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
6. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
7. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Neni 46
[Mbrojtja e pronës]
1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky eksproprijim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave eksproprijohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë eksproprijimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.
Neni 53
[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.
Neni 102
[Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor]
1. Organizimi, funksionimi dhe juridiksioni i Gjykatës Supreme dhe i gjykatave të tjera, rregullohen me ligj.
2. Gjykata Supreme e Kosovës është autoriteti më i lartë gjyqësor.
3. Të paktën pesëmbëdhjetë përqind (15%) e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, por jo më pak se tre (3) gjyqtarë, do të jenë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.
4. Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës e emëron dhe shkarkon Presidenti i Kosovës, nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, për mandat shtatëvjeçar, pa mundësi të riemërimit, pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për emërimin ose shkarkimin e saj/tij.
5. Kryetarët e të gjitha gjykatave të tjera emërohen në mënyrën e përcaktuar me ligj.
6. Të paktën pesëmbëdhjetë përqind (15%) e gjyqtarëve nga cilado gjykatë tjetër, e themeluar me juridiksionin e apelit, por jo më pak se dy (2) gjyqtarë do të jenë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.
7. Gjykata të specializuara mund të themelohen me ligj kur kjo të jetë e nevojshme, por në asnjë mënyrë nuk mund të themelohen gjykata të jashtëzakonshme.
Neni 108
[Këshilli Gjyqësor i Kosovës]
1. Këshilli Gjyqësor i Kosovës siguron pavarësinë dhe paanësinë e sistemit gjyqësor.
2. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij. Këshilli Gjyqësor i Kosovës siguron që gjykatat në Kosovë të jenë të pavarura, profesionale e të paanshme, dhe të pasqyrojnë plotësisht natyrën shumetnike të Republikës së Kosovës e të ndjekin parimet e barazisë gjinore. Këshilli do t’u japë përparësi për emërim si gjyqtarë, anëtarëve të komuniteteve të nënpërfaqësuara në mënyrën e përcaktuar me ligj.
3. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është përgjegjës për rekrutimin dhe propozimin e kandidatëve për emërim dhe riemërim për pozita gjyqësore. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është po ashtu përgjegjës për transferimin dhe për procedurën disiplinore kundër gjyqtarëve.
4. Propozimet për emërimin e gjyqtarëve duhet të bëhen në bazë të procesit të hapur për emërime, në bazë të meritave të kandidatëve, dhe ky propozim pasqyron parimin e barazisë gjinore dhe përbërjen etnike të juridiksionit territorial të gjykatës përkatëse. Të gjithë kandidatët duhet t’i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj.
5. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është përgjegjës për inspektimin gjyqësor, administrimin gjyqësor, përpilimin e rregullave për gjykatat në pajtim me ligjin, punësimin dhe mbikëqyrjen e administratorëve të gjykatave, hartimin dhe mbikëqyrjen e buxhetit për gjyqësorin, përcaktimin e numrit të gjyqtarëve në secilin juridiksion dhe bën rekomandime për themelimin e gjykatave të reja. Themelimi i gjykatave të reja bëhet me ligj.
6. Këshilli Gjyqësor i Kosovës përbëhet nga trembëdhjetë (13) anëtarë, me kualifikime dhe ekspertizë profesionale. Anëtarët emërohen për një mandat pesëvjeçar dhe zgjedhën në këtë mënyrë:
(1) Pesë (5) anëtarë do të jenë gjyqtarë të zgjedhur nga anëtarët e gjyqësorit;
(2) Katër (4) anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e fituara gjatë ndarjes së përgjithshme të vendeve. Të paktën dy (2) nga katër (4) anëtarët duhet të jenë gjyqtarë, dhe një (1) do të jetë anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës;
(3) Dy (2) anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit Serb në Kosovë, dhe të paktën njëri prej këtyre të dyve, duhet të jetë gjyqtar;
(4) Dy (2) anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve të tjera, dhe të paktën njëri prej këtyre të dyve, duhet të jetë gjyqtar;
(5) Papajtueshmëria e të qenit anëtar i Këshillit Gjyqësor rregullohet me ligj.
7. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nga radhët e anëtarëve të vet, zgjedh kryesuesin dhe zëvendëskryesuesin me mandat trevjeçar. Zgjedhja në këto funksione nuk e zgjat mandatin e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
8. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës së paku një herë në vit lidhur me Sistemin Gjyqësor.
9. Kandidatët për pozita gjyqësore, të cilat janë të rezervuara për pjesëtarët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, mund të rekomandohen për emërim vetëm nga anëtarët e Këshillit të zgjedhur nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për pjesëtarët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë. Nëse ky grup i anëtarëve të Këshillit nuk e propozon kandidatin për këtë pozitë gjyqësore pas dy seancave të njëpasnjëshme të Këshillit, atëherë cilido anëtar i Këshillit ka të drejtë të rekomandojë kandidatin për atë pozitë gjyqësore.
10. Kandidatët për pozita gjyqësore të gjykatave themelore, nën juridiksionin e të cilave përfshihet ekskluzivisht territori i një a më shumë komunave, ku shumica e popullsisë i takon komunitetit Serb të Kosovës, mund të rekomandohen për emërim vetëm nga dy (2) anëtarët e Këshillit që i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për komunitetin Serb në Republikën e Kosovës të cilët veprojnë bashkërisht dhe në mënyrë unanime. Nëse këta dy (2) anëtarë nuk rekomandojnë kandidat gjyqësor për këtë pozitë, gjatë dy seancave të njëpasnjëshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, atëherë cilido anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka të drejtë të propozojë kandidat për atë pozitë.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
32. Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
33. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[…]
34. Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës, kërkesën e saj e ka paraqitur në Gjykatë duke u bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, duke plotësuar edhe formularin standard të Gjykatës për kërkesat individuale.
35. Parashtruesja e kërkesës, në formularin standard të Gjykatës të dorëzuar më 26 maj 2022, ka specifikuar se konteston Aktvendimin për papranueshmëri në rastin KI07/21 dhe KI17/21 të Gjykatës Kushtetuese të 10 nëntorit 2021. Parashtruesja e kërkesës kësaj kërkese i ka bashkëngjitur një ekuivalent të formularit të kërkesës përmes së cilës konteston Vendimin [KGJK. nr. 153/2022] e KGJK-së të 20 prillit 2022, për emërimin e V.S. Kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan, vendim kundër të cilit kërkon gjithashtu vendosjen e masës së përkohshme.
(i) Lidhur me kontestimin e Aktvendimit për papranueshmëri KI07/21 dhe KI17/21 të Gjykatës Kushtetuese
36. Gjykata fillimisht rikujton se parashtruesja e kërkesës konteston Aktvendimin për papranueshmëri në rastin KI07/21 dhe KI17/21 të Gjykatës, pasi që vlerëson se refuzimi i pretendimeve të saj për përjashtimin e gjyqtarit V.S. dhe kryetarëve të gjykatave të rregullta si të paafatshme nga ana e Gjykatës, ishte i padrejtë, i pabazuar, kundërligjor dhe kundërkushtetues. Gjithashtu, parashtruesja e kërkesës thekson se përmes kërkesës KI07/21 dhe KI17/21 kishte kërkuar vendosjen e masës së përkohshme në lëndën [C. nr. 275/15] për shkak të kurdisjes së lëndës nga gjyqtari V. S., dhe trajtimit arbitrar dhe diskriminues në atë lëndë.
37. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet paragrafit 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, i cili parasheh:
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës”
38. Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit (5) të rregullit 35 [Tërheqja, hedhja poshtë dhe refuzim i kërkesës] të Rregullores së punës, i cili parashikon që:
“(5) Gjykata mund të vendosë ta refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në qoftë se kërkesa është e paplotë ose e paqartë përkundër kërkesave nga Gjykata ndaj palës që të plotësojë ose të qartësojë kërkesën, nëse kërkesa është përsëritje e një kërkese të mëparshme të vendosur nga Gjykata, ose në qoftë se kërkesa është joserioze”.
39. Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës, në të vërtetë, përmes kërkesës së tanishme KI75/22, në thelb ngre pretendimet e njëjta sikurse ato të ngritura në kërkesën e mëparshme KI07/21 dhe KI17/21, që kanë të bëjnë me përjashtimin e gjyqtarit V.S., trajtimit arbitrar e diskriminues si dhe kurdisjes së lëndës, nga ky i fundit.
40. Duke u mbështetur në rregullin e lartcekur, Gjykata vlerëson se kërkesa e parashtrueses së kërkesës është në thelb përsëritje e kërkesës së mëparshme KI07/21 dhe KI17/21, të cilën kërkesë Gjykata e kishte shpallur në tërësi të papranueshme.
41. Në këtë aspekt, Gjykata rikujton se ankimi individual sipas kuptimit të paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nuk nënkupton që parashtruesit e kërkesës kanë mundësi që në mënyrë të përsëritur të kërkojnë nga Gjykata rihapjen e vendimeve të tyre dhe gjykimin e sërishëm të së njëjtës çështje (shih rastet e Gjykatës, KI43/21, parashtrues N.T. P. Arta- Impex, Vendim për refuzim të kërkesës, i 5 majit 2021, paragrafi 24; KI186/20, parashtrues Fehmi Hasani, Vendim për refuzim të kërkesës, i 13 prillit 2021, paragraf1 21; KI102/19, parashtrues Bedri Gashi, Vendim për refuzim të kërkesës, i 7 nëntorit 2019, paragrafi 19; dhe KI08/18, parashtrues Naser Berisha, Vendim për refuzim të kërkesës, i 19 prillit 2018, paragrafi 22).
42. Në mënyrë që Gjykata të shqyrtojë një kërkesë që ka të bëjë me faktet e njëjta si në kërkesën e mëparshme, parashtruesi i kërkesës duhet që vërtetë të ofrojë informacione të reja të cilat më parë nuk janë shqyrtuar nga Gjykata (shih, rastin e GJEDNJ-së, Kafkaris kundër Qipros, nr. 9644/09, Vendim për papranueshmëri, i 21 qershorit 2011, paragrafi 68; shih gjithashtu rastin e Gjykatës, KI102/19, cituar më lart, paragrafi 20).
43. Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se vendimet e saj janë vendime të formës së prerë dhe detyrueshme për gjyqësorin, të gjithë personat dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës (shih rastet e Gjykatës, KI102/19, cituar më lart, paragrafi 21 dhe KI186/20, cituar më lart, paragrafi 23).
44. Rrjedhimisht, duke pasur parasysh që kërkesa e parashtrueses së kërkesës është përsëritje e kërkesës KI07/21 dhe KI17/21, Gjykata, bazuar në paragrafin (5) të rregullit 35 të Rregullores së punës, konstaton se kërkesa e tanishme duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër sepse kërkesa është përsëritje e një kërkese të mëhershme të vendosur nga Gjykata.
(ii) Lidhur me kontestimin e Vendimit [KGJK. nr. 153/2022] të 20 prillit 2022 të KGJK-së
45. Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës pretendon se Vendimi [KGJK. nr. 153/2022] i 20 prillit 2022 i KGJK-së, si akt i autoritetit publik, ka shkelur të drejtat dhe liritë e saj të mbrojtura me nenet 3, 7, 21, 22, 24, 31, 32, 46, 53, 54, 102 dhe 108 të Kushtetutës, duke pohuar se pavarësisht trajtimit arbitrar të gjyqtarit V.S. në lëndën në të cilën ajo kishte qenë palë, KGJK e kishte shpërblyer atë më pas me pozitën e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan.
46. Me këtë rast, Gjykata rikujton se paragrafi 7 i nenit 113 të Kushtetutës në mënyrë shumë të qartë dhe specifike ka përcaktuar se: “Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë […]”.
47. Më tutje, Gjykata vlerëson nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me pikën c, paragrafin (3) të rregullit 39 [Kriteret e Pranueshmërisë] të Rregullores së punës, ku përcaktohet:
“(3) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të papranueshme nëse ndonjë nga kushtet në vijim është i pranishëm:
[…]
(c) kërkesa nuk është ratione personae në pajtim me Kushtetutën;
[…]”.
48. Gjykata, në rastin konkret, pa vlerësuar natyrën juridike të vendimit të lartcekur të KGJK-së, vlerëson nëse janë plotësuar kushtet formale për të shqyrtuar kërkesën në formën në të cilën është paraqitur ajo nga parashtruesja.
49. Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se individët janë të autorizuar t’i ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë. Veprimi ose mosveprimi duhet ta prekë drejtpërdrejt parashtruesin (shih rastin e GJEDNJ-së, Amuur v. France, nr. 19776/92, Aktgjykim i 25 qershorit 1996, paragrafi 36).
50. Gjykata rikujton se një kërkesë duhet të parashtrohet nga apo në emër të personave që pretendojnë se janë viktima të shkeljes së dispozitave kushtetuese. Këta persona duhet të jenë në gjendje të tregojnë se janë “prekur drejtpërsëdrejti” nga masa ndaj të cilës ankohen (shih rastin e GJEDNJ-së, Ilhan kundër Turqisë, nr. 22277/93, Aktgjykim i 27 qershorit 2000; shih gjithashtu rastin e Gjykatës, KI11/20, parashtrues Fllanza Pozhegu, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 nëntorit 2020, paragrafi 47).
51. Gjykata më tej konstaton se e drejta për rekrutimin dhe propozimin e kandidatëve për emërim dhe riemërim në pozita gjyqësore, e paraparë me paragrafin 3 të nenit 108 [Këshilli Gjyqësor i Kosovës] të Kushtetutës, është një e drejtë diskrecionale e KGJK-së. Më tej, paragrafi 2 i nenit 30 të Ligjit nr. 06/L-055 për KGJK-në, specifikon se kryetarët e gjykatave emërohen nga Këshilli në konsultim me gjyqtarët e gjykatave përkatëse.
52. Pasojat juridike të Vendimit [KGJK. nr. 153/2022] të KGJK-së për emërimin e gjyqtarit V. S. Kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan prek dhe shtrihet vetëm mbi V. S., dhe jo mbi personat e tretë.
53. Në këto rrethana, Gjykata konstaton se vendimi i kontestuar i KGJK-së nuk iu ka referuar asnjë situate që prekë të drejtat e ndonjë personi tjetër dhe rrjedhimisht nuk ka mundur të ketë efekte të shkeljeve të supozuara të të drejtave dhe lirive të parashtrueses së kërkesës sepse kishte të bënte vetëm me personin e caktuar në vendim, respektivisht gjyqtarin V. S. (shih, rastin e GJEDNJ-së, József KÁTAI kundër Hungarisë, nr. 939/12, Vendim i 18 marsit 2014, paragrafi 23).
54. Gjykata rikujton gjithashtu praktikën e GJEDNJ-së, të afirmuar edhe përmes praktikës së Gjykatës, ku një kërkesë deklarohet e papranueshme ratione personae me KEDNJ-në, respektivisht Kushtetutën, në rastet kur parashtruesi i kërkesës nuk mund të dëshmoj se është viktimë e shkeljeve të të drejtave që pretendon se i janë shkelur (shih rastet e GJEDNJ-së, József KÁTAI kundër Hungarisë, cituar më lart, paragrafët 25-26 dhe TRIVKANOVIĆ kundër Kroacisë, nr. 12986/13, Aktgjykim i 6 tetorit 2017, paragrafët 49-51; shih gjithashtu rastin e Gjykatës, KI67/18, parashtrues Arbenita Arifi, Aktvendim për papranueshmëri i 14 majit 2019, paragrafi 47).
55. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtrueses është ratione personae e papajtueshme me Kushtetutën sepse nuk i ka përmbushur kushtet e parapara me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës për kërkesat individuale dhe në përputhje me pikën c) të paragrafit (3) të rregullit 39 të Rregullores së punës shpallet e papranueshme.
Kërkesa për masë të përkohshme
56. Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës kërkon nga Gjykata vendosjen e masës së përkohshme kundër Vendimit [KGJK. nr. 153/2022] për shkak se sipas saj rrezikohet funksionimi i KGJK-së, i Gjykatës Themelore në Gjilan si dhe funksionimi i tërë sistemit gjyqësor në përgjithësi. Përveç, kësaj, kërkesën për vendosje të masës së përkohshme e arsyeton me faktin se ndjehet e rrezikuar në aspektin e sigurisë juridike si dhe për jetën e anëtarëve të familjes së saj.
57. Në mënyrë që Gjykata të vendosë masë të përkohshme, në pajtim me pikën a), paragrafin (4) të rregullit 57 të Rregullores së punës, është e domosdoshme që:
“(a) pala që kërkon masën e përkohshme ka treguar rastin prima facie për meritat e kërkesës dhe, nëse akoma nuk është vendosur për pranueshmërinë e saj, rastin prima facie për pranueshmërinë e kërkesës;”
58. Siç u përmend më lart, parashtruesja e kërkesës nuk ka treguar rastin prima facie për pranueshmërinë e kërkesës, pasi që kërkesa nuk është ratione personae me Kushtetutën, dhe rrjedhimisht kërkesa për masë të përkohshme duhet të refuzohet si e pabazuar.
Përfundim
59. Si përmbledhje, Gjykata konstaton se: (i) kërkesa e parashtrueses së kërkesës përkitazi me kontestimin e Aktvendimit për papranueshmëri në rastin KI07/21 dhe KI17/21 të Gjykatës Kushtetuese, është përsëritje e kërkesës së mëparshme të vendosur nga Gjykata dhe bazuar në paragrafin (5) të rregullit 35 të Rregullores së punës, refuzohet me procedurë të shkurtër; (ii) kërkesa e parashtrueses së kërkesës lidhur me Vendimin [KGJK. nr. 153/2022] e kontestuar të KGJK-së, nuk është ratione personae në pajtueshmëri me Kushtetutën, dhe sipas pikës c), paragrafit (3) të rregullit 39 të Rregullores së punës është e papranueshme; dhe (iii) kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme kundër Vendimit [KGJK. nr. 153/2022 ] të KGJK-së refuzohet.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 27, 47 dhe 48 të Ligjit dhe rregullat 35 (5), 39 (3) (c), 56, 57 dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 12 tetor 2022, njëzëri
VENDOS
I. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
II. TA REFUZOJË kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme
III. T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
IV. TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
V. Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Emine Shabani
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës