Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [Rev. nr. 137/2020] të 19 gushtit 2020

Nr. të lëndës KI 26/21

Parashtruesit: Ahmet Imami, Eroll Imami dhe Renan Imami

Shkarko:

Përmbledhje

KI26/21, Parashtruesi: Ahmet Imami, Eroll Imami dhe Renan Imami; Vlerësim i kushtetutshmërisë së së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [Rev. nr. 137/2020] të 19 gushtit 2020

KI26/21, Aktvendimi për papranueshmëri i 29 shtatorit 2022, publikuar më 26 tetor 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar.

Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me Kontratën për Dhuratën [Vr. nr. 1850] e vitit 2001, (e lidhur në emër të së ndjerës A.I.),  bazuar në të cilën, pasardhësi i pronares së banesës, respektivisht parashtruesi Eroll Imami, ia ka dhuruar të njëjtin pasardhësve të tij Ahmet Imami dhe Renan Imami bazuar në Autorizimin [Vr. nr. 777/98] e dhënë nga A.I., përkatësisht nëna e tij, e cila kishte vdekur para nënshkrimit dhe vërtetimit të kësaj Kontrate. Në vitin 2007, e bija e pronares së banesës, respektivisht motra e parashtruesit të kërkesës kishte ngritur padi, kundër vëllait të saj, duke kërkuar anulimin e Kontratës përkatëse dhe përfshirjen e pronës përkatëse në procesin e trashëgimisë. Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C. nr. 50/2010], hodhi poshtë padinë si të paafatshme dhe të  palejueshme për shkak të skadimit të afatit të parashkrimit. Pas ankesës së paditëses dhe parashtruesve, në rivendosje, Gjykata Themelore, e më pas edhe Gjykata e Apelit respektivisht, kishin konstatuar nulitetin e Kontratës, duke theksuar ndër të tjera, që e njëjta ishte nënshkruar nga personi i paautorizuar, sepse me vdekjen e autorizueses, respektivisht A.I. nënës së parashtruesit të kërkesës Eroll Imami ishte shuar prokura në kuptim të nenit 94 të LMD-së së vjetër dhe nenit 95 të LPK-së. Për më tepër të njëjtat kishin konstatuar se lidhur me kontratat absolutisht nule, siç është rasti konkret, nuk vlejnë afatet e parashkrimit për kontratat e “rrëzueshme” të përcaktuara në nenin 117 të LMD-së të vitit 1978. Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [137/2020], e refuzoi revizionin e parashtruesve të kërkesës si të pabazuar dhe vërtetoi aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore, duke arsyetuar se kontrata është lidhur në kundërshtim me nenin 94, paragrafi 2 dhe nenit 95 të LMD-së së vitit 1978, pasi që autorizimi për parashtruesin e kërkesës kishte pushuar me vdekjen e A.I., ndërsa bazuar në nenin 103 (nuliteti) të LMD-së së vitit 1978, përveç tjerash është paraparë që nëse kontrata lidhet në kundërshtim me normat e karakterit imperativ është absolutisht nule, dhe si e tillë është nule që nga momenti i lidhjes së saj.

Parashtruesit e kërkesës kontestuan konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar në esencë, shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit të aplikueshëm procedural e material nga gjykatat e rregullta.

Në rrethana të tilla, duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesit e  kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ata, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta të shtjelluara më lart, Gjykata konsideroj se parashtruesit e kërkesës nuk dëshmojnë dhe nuk mbështesin në mënyrë të mjaftueshme pretendimet e tyre se gjykatat e rregullta mund të kenë “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesit e kërkesës, dhe rrjedhimisht pretendimet e tyre për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë” dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë”. Për pasojë, të njëjtat sipas Gjykatës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Përtej pretendimeve për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesit e kërkesës gjithashtu pretenduan shkelje të nenit 21, 22, 24, 32 46, 54 dhe 102 të Kushtetutës si dhe nenin 7 dhe 17 të DUDNJ-së. Parashtruesit e kërkesës përtej referimit në nenet e lartcekura të Kushtetutës dhe përmbajtjen e tyre dhe përtej formulimit të pretendimeve të përgjithësuara, nuk kanë arsyetuar në mënyrë të qartë dhe adekuate se si mund të jenë cenuar këto nene përmes Aktgjykimit të kontestuar, dhe rrjedhimisht sipas Gjykatës këto pretendime përbëjnë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe si të tilla, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Për pasojë dhe përfundimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Ahmet Imami, Eroll Imami dhe Renan Imami

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile