Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-20-0561 të 19 gushtit 2021

Nr. të lëndës KI190/21

Parashtruesit: Qamil Kosumi

Shkarko:

KI190/21, Parashtrues: Qamil Kosumi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-20-0561 të 19 gushtit 2021 

KI190/21, Aktvendim i 26 korrikut 2022, publikuar më 26 gusht 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kompensim i pagave, AKP, vendim i arsyetuar, praktikë gjyqësore

Çështja thelbësore në rastin konkret ndërlidhet me kërkesën e parashtruesit të kërkesës pranë Autoritetit të Likuidimit për kompensimin e pagave të papaguara për periudhën dhjetor 2006 deri në dhjetor 2007 në shumën prej 4,441.97 (katër mijë e katërqind e dyzet e një euro e nëntëdhjetë e shtatë cent) euro, shumë e cila ishte refuzuar. Autoriteti i Likuidimit kishte kompensuar parashtruesin e kërkesës në shumën prej 683.94 (gjashtëqind e tetëdhjetë e tri euro e nëntëdhjetë e katër cent) euro, për shkak të ndërprerjes së parakohshme të kontratës së punës, duke theksuar se në llogaritjen e shumës ka marrë parasysh pagën mujore në momentin e pushimit nga puna dhe vitet faktike të shërbimit në punë. I pakënaqur me vendimin për mos kompensimin e pagave të papaguara për periudhën dhjetor 2006 deri në dhjetor 2007, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë pranë DHPGJS-së, e cila në shkallën e parë vendosi të refuzojë kërkesën e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se kërkesa e parashtruesit të kërkesës, lidhur me pagat e papaguara ishte parashkruar, po ashtu nuk ka ofruar ndonjë provë për të dëshmuar faktin se ka iniciuar ndonjë procedurë gjyqësore apo ka parashtruar kërkesë për borxhin e pretenduar pranë organeve kompetente para ushtrimit të kërkesës pranë Autoritetit të Likuidimit. Me këtë rast, parashtruesi i kërkesës, parashtroi ankesë pranë Kolegjit të Apelit, ku kërkoi që të shfuqizohet aktgjykimi i ankimuar. Kolegji i Apelit vendosi që parashtruesi i kërkesës nuk ka sjellë në gjykatë asnjë provë për të mbështetur ankesën e tij.

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese (i) fillimisht i referohet dy rasteve “identike/njëjta” të Kolegjit të Apelit, duke pretenduar se këto aktgjykime kanë të bëjnë me të njëjtën çështje, bazë faktike e ligjore, palë të paditur, njëjtë si me rastin e parashtruesit të kërkesës, dhe duke kërkuar që edhe në rastin e parashtruesit të kërkesës të vendoset njëjtë; dhe (ii) duke iu referuar Aktgjykimit të Gjykatës KI145/18, pretendon se pretendimi i tij lidhur me precedentin gjyqësor, nuk është trajtuar nga Kolegji i Apelit, pra pretendon në esencë vendim të paarsyetuar gjyqësor.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të tij për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, Gjykata fillimisht shtjelloi dhe më pas aplikoi në rrethanat e rastit konkret, parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), duke rikujtuar që bazuar në të njëjtat, dhe për aq sa është relevante për rrethanat e rastit konkret, shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret. Gjykata theksoi se nisur nga praktika e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës, e njëjta nuk kërkon përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës. Megjithatë, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar.

Gjykata theksoi se, në rastin e parashtruesit të kërkesës, përgjigja lidhur me rastin e “identik”, nuk ishte vendimtare dhe përcaktuese lidhur me rrethanat e parashtruesit të kërkesës, sepse fillimisht, Kolegji i Apelit, bazuar në nenin 42 të Ligjit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, do duhej të mbështetej në provat relevante, për të vendosur lidhur me rastin e tij. Në këtë pikë, Kolegji i Apelit kishte theksuar se parashtruesi i kërkesës nuk kishte bashkangjitur asnjë provë për ta mbështetur ankesën e tij.

Gjykata, trajtoi edhe pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me praktikën gjyqësore në vendimet e Kolegjit të Apelit, duke theksuar se (i) përveç rasteve të arbitraritetit të dukshëm, nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese të vë në pikëpyetje interpretimin e ligjit vendas nga ana e gjykatave vendore; dhe (ii) në parim, nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave vendore, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme. Megjithatë, sipas praktikës së GJEDNJ-së, për të përcaktuar nëse një divergjencë e vendimeve gjyqësore e pretenduar përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, duhet të shikohen kriteret si në vijim: (i) nëse ekzistojnë dallime “të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore; (ii) nëse ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (iii) nëse ata mekanizma janë zbatuar dhe në çfarë mase. Në rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata konsideroi se në bazë të dy aktgjykimeve të Kolegjit të Apelit, të nxjerra njëra në 2019 e tjetra në 2020, e të cilat pretendohet se janë të ngjashme, por nuk vërtetohet ngjashmëria e tyre, nuk është e mundur të kuptohet se ka “dallime të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Kolegjit të Apelit, e që do të mund të rrezikonte parimin e sigurisë juridike, dhe me këtë, të rezultonte në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Gjykata po ashtu trajtoi edhe pretendimin për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, ku  parashtruesi i kërkesës pretendonte se Aktgjykimi i kontestuar i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, shkel të drejtat e tij të garantuara me nenin 24 të Kushtetutës. Mirëpo, parashtruesi i kërkesës vetëm e kishte përmendur nenin përkatës, por nuk shtjelloi më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtij neni përkatës të Kushtetutës. Gjykata rikujtoi se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse.

Rrjedhimisht, Gjykata i konsideroi pretendimet e parashtruesit të kërkesës si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Qamil Kosumi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar