Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-20-0561 të 19 gushtit 2021

Nr. të lëndës KI190/21

Parashtruesit: Qamil Kosumi

Shkarko:

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr. KI190/21

 

Parashtrues

 

Qamil Kosumi

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-20-0561 të 19 gushtit 2021

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  1. Kërkesa është dorëzuar nga Qamil Kosumi, nga Kamenica (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).

 

 

 

Vendimi i kontestuar

 

  1. Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [AC-I-20-0561] e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit të 19 gushtit 2021 (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit të DHPGJS-së) në lidhje me Aktgjykimin [C-IV-13-1028] të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit të 24 nëntorit 2020 (në tekstin e mëtejmë: DHPGJS).

 

  1. Parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin e kontestuar të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së e ka pranuar më 30 gusht 2021.

 

Objekti i çështjes

 

  1. Objekt i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).

 

Baza juridike

 

  1. Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  1. Më 25 tetor 2021, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  1. Më 4 nëntor 2021, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje të kërkesës ia dërgoi DHPGJS-së.

 

  1. Më 8 nëntor 2021, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Safet Hoxha gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi, anëtarë.

 

  1. Më 14 mars 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë dokumente shtesë.

 

  1. Më 26 korrik 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe me shumicë i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhja e fakteve

 

  1. Bazuar në shkresat e lëndës, parashtruesi i kërkesës ishte punëtor i Ndërmarrjes Shoqërore “Xim Strezoci” në pozitën vozitës i drejtorit gjeneral (në tekstin e mëtejmë: NSH “Xim Strezoci”) gjatë periudhës 3 tetor 1999 deri më 13 dhjetor 2007, kur edhe ishte njoftuar se do t’i ndërprehet marrëdhënia e punës, për shkak të privatizimit të NSH “Xim Strezoci”.
  2. Më 25 janar 2011, Agjencia Kosovare e Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP) kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës se më 31 dhjetor 2010, NSH “Xim Strezoci” kishte hyrë në procedurën e likuidimit, në përputhje me vendimin e Bordit të AKP-së, dhe kishte kërkuar nga ai që nëse ka ndonjë kërkesë ndaj ndërmarrjes ta dorëzojë atë para 25 marsit 2011.

 

  1. Më 21 shkurt 2011, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesë pranë AKP-së për kompensimin për ndërprerjen e parakohshme të kontratës së punës nga ana e NSH “Xim Strezoci” në shumë prej 740.00 (shtatëqind e dyzetë) euro. Po ashtu, parashtruesi i kërkesës kërkoi edhe kompensimin për pagat e papaguara për periudhën dhjetor 2006 deri në dhjetor 2007 në shumën prej 4,441.97 (katër mijë e katërqind e dyzet e një euro e nëntëdhjetë e shtatë cent) euro.

 

  1. Më 4 prill 2013, Autoriteti i Likuidimit të AKP-së për NSH “Xim Strezoci” përmes vendimit GJI066-0038 (në tekstin e mëtejmë: Autoriteti i Likuidimit), lidhur me kërkesën për kompensim për ndërprerje të parakohshme të kontratës së punës, pranoi shumën prej 683.94 (gjashtëqind e tetëdhjetë e tri euro e nëntëdhjetë e katër cent) euro dhe refuzoi si të pavlefshme shumën prej 56.06 (pesëdhjetë e gjashtë euro e gjashtë cent) euro.

 

  1. Më 28 maj 2013, Autoriteti i Likuidimit përmes Vendimit nr. 0415/13-OUT, refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për kompensim për paga të papaguara për periudhën dhjetor 2006 deri në dhjetor 2007 në shumën prej 4,441.97 (katër mijë e katërqind e dyzet e një euro e nëntëdhjetë e shtatë cent) euro.

 

  1. Më 26 qershor 2013, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë pranë DHPGJS-së kundër Vendimit nr. 0415/13-OUT të Autoritetit të Likuidimit, për shkak të refuzimit të kërkesës së tij për kompensimin e pagave të papaguara për periudhën dhjetor 2006 deri në dhjetor 2007, dhe për shkak të vërtetimit të pasaktë dhe të gabuar të gjendjes faktike dhe moszbatimit të dispozitave të ligjit.

 

  1. Më 12 dhjetor 2013, AKP dorëzoi mbrojtje ndaj ankesës së dorëzuar kundër Vendimit të Autoritetit të Likuidimit. AKP konsideron se kërkesa është parashkruar konform nenit 608 të Ligjit të Punës së Bashkuar, dhe konsideron se marrë parasysh që kërkesa konsiston për periudhën kohore prej dhjetorit 2006 e deri në dhjetor 2007, afati i parashkrimit i kësaj kërkese ka arritur në dhjetor 2009, pra tre vjet kur NSH “Xim Strezoci” nuk i pagoi parashtruesit rrogën e dhjetorit 2006.

 

  1. Më 31 mars 2014, parashtruesi i kërkesës parashtroi përgjigje ndaj mbrojtjes të së paditurës, në të cilën, ndër të tjera, pohoi se konstatimi i Autoritetit të Likuidimit është i gabuar dhe i paqëndrueshëm, pasi që i referohet marrëdhënies së punës në kushte normale, e jo për ndërhyrje të jashtëzakonshme siç është rasti me privatizimin.

 

  1. Më 16 qershor 2014, AKP parashtroi kundërpërgjigje, në të cilën, ndër të tjera, pohoi se NSH “Xim Strezoci” nuk ka mundur e nuk ka hequr dorë nga thirrja në afatin e parashkrimit dhe se ankuesi ka dështuar ta ndërpresë afatin e parashkrimit në ndonjë nga mënyrat e lejuara me ligj, rrjedhimisht të drejtat e tij janë parashkruar.

 

  1. Më 24 nëntor 2020, DHPGJS përmes Aktgjykimit [C-IV-13-1028] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi vendimin e Autoritetit të Likuidimit [GJI066-0037 ] të 28 majit 2013 si të drejtë dhe të bazuar në ligj. Shkalla e parë e DHPGJS-së ka arsyetuar se paditësi nuk ka ofruar dëshmi relevante që dëshmon se ai i ka kërkuar këto paga me herët në gjykatën kompetente, andaj kërkesa është parashkruar në bazë të nenit 372, paragrafi 1 i LMD-së të vitit 1978. Tutje, shkalla e I-rë konstaton se kërkesa për pagesën e pagave të papaguara ishte për periudhën dhjetor 2006-dhjetor 2007, kërkesa është parashkruar në muajin dhjetor 2010, ndërsa kërkesa tek Autoriteti i Likuidimit ishte dorëzuar më 21 shkurt 2011, kur veç tashmë kishte ndodhur parashkrimi i kërkesës për paga.

 

  1. Më 8 dhjetor 2020, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë pranë Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së kundër Aktgjykimit [C-IV-13-1028] të DHPGJS-së, për shkak të konstatimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.

 

  1. Më 19 gusht 2021, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes Aktgjykimit [AC-I-20-0561] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin [C-IV-13-1028] të DHPGJS-së.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  1. Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [AC-I-20-0561] e 19 gushtit 2021 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, me pretendimin se i njëjti është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt)  të KEDNJ-së.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës fillimisht thekson se atij nuk i është njohur kompensimi në paga përkundër që ka qenë i punësuar në ndërmarrjen NSH “Xim Strezovci”, dhe e njëjta pas likuidimit ishte e obliguar t’i paguajë ish- punonjësve pagat e papaguara.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës pretendon se “Për raste identike/të njëjta sikurse rasti i gjykuar përmes Aktgjykimit të kontestuar, është krijuar praktikë gjyqësore/precedent, përmes Aktgjykimit me numër AC-I-15-0178, të datës 23.04.2020, dhe Aktgjykimit me numër AC-I-14-0119, të datës 19.12.2019 (në tekstin e mëtejmë: “Aktgjykime precedentë”). Në këto aktgjykime kemi pasur të bëjmë me të njëjtën çështje, bazë faktike e ligjore, dhe të njëjtën palë të paditur, sikurse në rastin konkret. Përmes këtyre aktgjykimeve, Gjykata iu ka njohur palëve të drejtën për kompensim të pagave të papaguara. Rrjedhimisht, është e paqartë se si mund të ketë vendime gjyqësore të ndryshme për raste të njëjta e me rrethana të njëjta”.

 

  1. Përkitazi me shkeljet e pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës, në esencë, thekson se pavarësisht se ka pasur të njëjtën rrjedhë të ngjarjeve sikurse palët në aktgjykimet precedentë, atij nuk i është njohur e drejta për kompensim të pagave të papaguara.

 

  1. Prandaj, parashtruesi i kërkesës thekson se “Rrjedhimisht, meqenëse për të njëjtat raste sikurse rasti konkret, palëve iu është njohur e drejta për kompensim të pagave të papaguara nga ndërmarrja NSH “Xim Strezovci”, ndërkaq mua më është mohuar/nuk më është njohur një e drejtë e tillë, rezulton se kemi të bëjmë me shkelje të dispozitave kushtetuese. Rregullat, gjegjësisht dispozitat ligjore, që janë marrë parasysh për aprovimin e kërkesë-padive/ankesave sipas aktgjykimeve precedentë është dashur të zbatohen mutatis mutandis edhe gjatë gjykimit dhe vendosjes në rastin e parashtruesit të kërkesës”.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës më tej pretendon: “Në raste të tilla të gjykimit dhe vendosjes për raste identike, Gjykata është dashur që të bëjë zbatim unik të ligjeve, gjegjësisht të përcaktojë njësimin e praktikës gjyqësore”. Lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës i referohet paragrafit 12 të nenit 4 të Ligjit për DHPGJS-në për çështjet e AKP-së, i cili përcakton: “Dhoma e Posaçme gjykon në Kolegj të Bashkuar, të përbërë nga të gjitha kolegjet e apelit në rastet kur kërkohet përcaktimi i qëndrimeve parimore dhe mendimeve juridike për çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin unik të ligjeve apo njehsimi i praktikës gjyqësore”.

 

  1. Sipas parashtruesit të kërkesës, fakti që Gjykata nuk ka ndjekur praktikën gjyqësore të cilën e ka krijuar vetë, ku disa palëve për raste të njëjta iu ka aprovuar kërkesën ndërsa atij ia ka refuzuar, ku me këtë rezulton se Gjykata ka gjykuar çështjet dhe ka vendosur në baza jo objektive, duke cenuar të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutë. Lidhur me këtë, ai i referohet “Aktgjykimeve precedentë” të paditësve Sh. H. dhe N. Z., ku sipas parashtruesit të kërkesës, përmes këtyre aktgjykimeve Gjykata ka obliguar AKP-në që t’iu kompensojë pagat e papaguara personave në fjalë. Sipas parashtruesit të kërkesës, personat SH. H. dhe N. Z. kanë prezantuar pranë gjykatave të rregullta prova përkatëse, të njëjta me parashtruesin e kërkesës, por në rastin e tij, gjykatat kanë vendosur ndryshe nga praktika.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës arsyeton se “Meqë veçse janë gjykuar çështje të njëjta sikurse çështja në rastin konkret, Gjykata është dashur të bazohet në aktgjykimet precedentë, gjegjësisht të vendosë sikurse ka vendosur në këto aktgjykime. Kjo pasi që, veç tjerash, vendosja sipas praktikës së krijuar gjyqësore është gjë që zbatohet në vendin tonë. Për më tepër, nuk mund të kemi vendime të ndryshme gjyqësore për raste të njëjta”.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës më tej thekson: “Në këtë drejtim, Gjykata nuk mund të vendosë ndryshe për dy çështje identike, një gjë e tillë – vendosja ndryshe për dy çështje identike dhe mosmarrja për bazë e aktgjykimeve precedentë – paraqet devijim të praktikës, interpretim të gabuar të ligjit dhe gjykim subjektiv të Gjykatës. Më konkretisht, një gjë e tillë na lë të kuptojmë se Aktgjykimi i kontestuar është përfshirë në shkelje të dispozitave kushtetuese, me konkretisht të nenit 31 të Kushtetutës”.

 

  1. Duke iu referuar Aktgjykimit të Gjykatës KI145/18 (parashtruese: Shehide Muhadri, Murat Muhadri dhe Sylë Ibrahimi, Aktgjykim i 19 korrikut 2019), parashtruesi i kërkesës pretendon se në rastin konkret Gjykata ka theksuar se vendosja ndryshe për raste të ngjashme paraqet shkelje të nenit 31 të Kushtetutës. Këtu parashtruesi i kërkesës i referohet paragrafëve të Aktgjykimit KI145/18, lidhur me mosarsyetimin e vendimit. Parashtruesi i kërkesës, rrjedhimisht pretendon se pretendimi i tij për precedentin, përkatësisht rastet e njëjta të trajtuara nga Kolegji i Apelit nuk është trajtuar fare nga Aktgjykimi i kontestuar.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës, thekson se: (i) atij i takon kompensimi për pagat e papaguara; (ii) meqenëse i njëjti ka paraqitur në kohë kërkesën për kompensim të pagave të papaguara, ky fakt ka ndikuar të mos rrjedhë afati i parashkrimit. Parashtruesi i kërkesës pretendon që: “Mosnjohja e një të drejte të tillë për t’iu kompensuar pagat e papaguara veçanërisht marrë parasysh se këto të drejta iu janë njohur kolegëve të tij, paraqet shkelje jo vetëm të dispozitave ligjore, por edhe të një prej të drejtave themelore të njeriut të garantuar me Kushtetutë – të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”.

 

  1. Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të: (i) aprovohet në tërësi si e pranueshme kërkesa e tij; (ii) konstatohet se ka pasur shkelje të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës; (iii) shpallet i pavlefshëm Aktgjykimi [AC-I-20-0521] i 22 korrikut 2021 i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së; dhe (iv) të kthehet çështja në rivendosje në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së.

 

Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore

 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës

 

Neni 24

[Barazia para Ligjit]

 

  1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.

 

  1. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.

 

  1. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.

 

Neni 31

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

  1. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.

[…]

 

LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE

 

Neni 7

7.1 Palët kanë për detyrë të paraqesin të gjitha faktet mbi të cilat i mbështesin kërkesat e veta dhe të propozojnë prova me të cilat konstatohen faktet e tilla.

 

LIGJI NR. 06/L-086 PËR DHOMËN E POSAÇME TË GJYKATËS SUPREME TË KOSOVËS PËR ÇËSHTJET NË LIDHJE ME AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT

 

Neni 42

Rregullat e përgjithshme mbi provat

 

  1. Pala që pretendon një fakt apo ngjarje ka barrën e dëshmisë për të dëshmuar vërtetësinë e pretendimit të tillë, duke paraqitur parashtresat apo duke paraqitur provat materiale (të dokumentuara, fizike dhe/ose dëshmuese). Secilës palë tjetër do t’i jepet mundësia e arsyeshme për ta kontestuar legjitimitetin apo saktësinë e provave të tilla, nëpërmjet paraqitjes së parashtresave apo provave tjera (të dokumentuara, fizike dhe/ose dëshmuese) me anë të së cilave synohet përgënjeshtrimi i legjitimitetit apo saktësisë së provave të tilla. Kur prova e paraqitur nga njëra palë është në formën e dëshmisë ose dëshmisë nën betim, atëherë secila palë tjetër ka mundësinë për të marrë në pyetje personin që ka dhënë dëshminë nën betim apo që ofron një dëshmi të tillë, ose nëpërmjet dëshmisë në gjykatë, ose nëpërmjet dhënies së dëshmisë nën betim që është e xhiruar në video/audio shirit dhe që është e transkriptuar.

 

 

LIGJI Nr. 04/L-034 PËR AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT

 

 

Neni 40

Prioritetet e kërkesave dhe interesave

 

  1. Në procedurat e likuidimit të gjitha kërkesat e kreditorëve do të përmbushen në pajtim me kategoritë 1.1 – 1.8 më poshtë dhe sipas renditjes në vijim:

 

1.1.kostot e shitjes apo realizimit në mënyra tjera të pronës apo aseteve të ndërmarrjes;

 

1.2.kredia e siguruar pas kërkesës për riorganizim e shkaktuar në pajtim me nenin 13 të Rregullores së UNMIK-ut 2005/48 ose Ligjit për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara, cilido që është në fuqi në atë kohë, në atë masë që kredia të jetë aprovuar nga Gjykata. Ky prioritet ka të bëjë vetëm me të hyrat nga shitja apo transferimi në mënyra tjera i aseteve që sigurojnë kredinë;

 

1.3.kërkesat prioritare në renditjen në vijim:

 

1.3.1.shpenzimet e Gjykatës;

1.3.2.shpenzimet e Autoritetit të Likuidimit dhe këshilltarëve mbështetës;

1.3.3.shpenzimet e Autoritetit të Likuidimit të nevojshme për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e pronës dhe aseteve të ndërmarrjes;

1.3.4.shpenzimet për operimin e vazhdueshëm të ndërmarrjes pas vendimit të Agjencisë apo Gjykatës për të filluar procedurat e likuidimit; dhe

1.3.5.të gjitha Kërkesat për Shpenzimet Administrative të shkaktuara gjatë

riorganizimit apo gjatë procedurave të likuidimit;

 

1.4.kërkesat e siguruara deri në masën e realizuar nga asetet që sigurojnë kërkesat e tilla në shumën e atyre kërkesave të siguruara dhe kërkesave tjera;

 

1.5.kërkesat bazuar në pronësinë e aseteve specifike përfshirë pasuritë e patundshme;

 

1.6.kërkesat preferenciale të punonjësve në renditjen si në vijim:

 

1.6.1.kërkesat për pagat e punonjësve të cilat nuk janë paguar deri në datën e vendimit nga Gjykata apo Agjencia për fillimin e procedurave të likuidimit, të kufizuar në tri paga mujore bruto për person;

1.6.2.kërkesat për dëmshpërblim për ndërprerje të parakohshme të kontratës të sjella nga punonjësit të cilët janë pushuar nga puna si rrjedhojë e Vendimit për Likuidim të ndërmarrjes, apo në lidhje me veprimin e ndërmarrë nga Agjencia sipas nenit 6.1 apo 6.2 të Ligjit për AKP-në;

1.7.kërkesat e pasiguruara, përfshirë kërkesat për paga që nuk janë subjekt i trajtimit me prioritet më të lartë;

 

1.8.kërkesat e pronarëve, aksionarëve, themeluesve, pjesëmarrësve apo partnerëve në ndërmarrje.

 

  1. Kërkesat brenda të njëjtës kategori apo të njëjtës renditje radhiten në mënyrë të barabartë pavarësisht kohës kur janë paraqitur.

 

  1. Kërkesat do të përmbushen sipas prioritetit sipas kategorisë dhe renditjes të përcaktuar në këtë nen. Pagesat për përmbushje të kërkesave do të bëhen në pajtim me paragrafët 2 dhe 3 të nenit 41 të këtij ligji dhe i ndjekin procedurat e Autoritetit të Likuidimit në pajtim me politikat financiare të agjencisë të nxjerra në pajtueshmëri me nenin 15 të Ligjit për AKP-në.

 

Pranueshmëria e kërkesës

 

  1. Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.

 

  1. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4, të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:

 

Neni 113

[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]

 

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[…]

  1. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

[…]

 

  1. Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:

 

Neni 47

[Kërkesa individuale]

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

  1. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.

 

Neni 49

[Afatet]

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht …”.

 

  1. Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës: është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai e konteston kushtetutshmërinë e një akti të autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimin [AC-I-20-0561] e 19 gushtit 2021 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së; se i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; se i ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe  kërkesën e ka  parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, siç parashihet me nenin 49 të Ligjit.

 

  1. Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nënrregullin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës, që përcakton:

 

(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.

 

  1. Gjykata rikujton se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpall një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 37).

 

  1. Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, më saktësisht, për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”, Udhëzuesi Praktik i GJEDNJ-së për Kriteret e Pranueshmërisë i 31 gushtit 2019; pjesa III. Papranueshmëria bazuar në merita; A. Kërkesat qartazi të pabazuara, paragrafët 255 deri më 284; shih gjithashtu rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).

 

  1. Në këtë kontekst, si dhe në vazhdim të tekstit, vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
  2. Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë nga kërkesa e parashtruesit të kërkesës pranë Autoritetit të Likuidimit për kompensimin e pagave të papaguara për periudhën dhjetor 2006 deri në dhjetor 2007 në shumën prej 4,441.97 (katër mijë e katërqind e dyzet e një euro e nëntëdhjetë e shtatë cent) euro, shumë e cila ishte refuzuar. Autoriteti i Likuidimit kishte kompensuar parashtruesin në shumën prej 683.94 (gjashtëqind e tetëdhjetë e tri euro e nëntëdhjetë e katër cent) euro, për shkak të ndërprerjes së parakohshme të kontratës së punës, duke theksuar se në llogaritjen e shumës, ka marrë parasysh pagën mujore në momentin e pushimit nga puna dhe vitet faktike të shërbimit në punë. I pakënaqur me vendimin për mos kompensimin e pagave të papaguara për periudhën dhjetor 2006 deri në dhjetor 2007, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë pranë DHPGJS-së, e cila në shkallën e parë vendosi të refuzojë kërkesën e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se kërkesa e parashtruesit të kërkesës, lidhur me pagat e papaguara ishte parashkruar, po ashtu nuk ka ofruar ndonjë provë për të dëshmuar faktin se ka iniciuar ndonjë procedurë gjyqësore apo ka parashtruar kërkesë për borxhin e pretenduar pranë organeve kompetente para ushtrimit të kërkesës pranë Autoritetit të Likuidimit. Me këtë rast, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë pranë Kolegjit të Apelit, ku kërkoi që të shfuqizohet aktgjykimi i ankimuar. Kolegji i Apelit, vendosi që parashtruesi i kërkesës nuk ka sjellë në gjykatë asnjë provë për të mbështetur ankesën e tij.

 

  1. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

 

  1. Gjykata vëren se esenca e pretendimeve për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë ndërlidhet me: (i) jokonsistencën e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, ku sipas parashtruesit të kërkesës kjo gjykatë ka dështuar të vendosë njësoj për çështje të njëjta faktike dhe juridike; dhe (ii) duke iu referuar Aktgjykimit të Gjykatës KI145/18, pretendon se pretendimi i tij lidhur me precedentin gjyqësor, nuk është trajtuar-arsyetuar nga Kolegji i Apelit i DHPGJS-së. Gjykata vlerëson se pretendimet e tilla ngrenë çështje nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6.1 i KEDNJ-së, të cilat Gjykata do t’i analizojë në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.

 

  1. Gjykata fillimisht do trajtojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljet e nenit 31 të Kushtetutës lidhur me nenin 6 të KEDNJ-së, lidhur me jokonsistencën e Kolegjit të Apelit të DHPGJ-së, duke vazhduar më pas me pretendimin për mosarsyetim të vendimit gjyqësor, dhe pretendimin lidhur me shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës.

 

Pretendimet lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së

 

                                                                                                                                                                       

  1. Përkitazi me praktikën gjyqësore jokonsistente

 

  1. Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata i referohet dispozitave të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, që përcaktojnë:

 

“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

  1. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.

[…]

 

  1. Përveç kësaj, Gjykata rikujton gjithashtu përmbajtjen e nenit 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, që përcakton:

 

“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë … edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij”.

 

[…]

 

Parimet e përgjithshme 

 

  1. Përkitazi me parimet themelore që ndërlidhen me konsistencën e praktikës gjyqësore, Gjykata rikujton se praktika gjyqësore e GJEDNJ-së ka rezultuar në katër parime themelore që e karakterizojnë analizën lidhur me konsistencën e praktikës gjyqësore, dhe atë si në vijim: (i) siguria juridike; (ii) nuk ka një të drejtë të fituar për konsistencë të praktikës gjyqësore; (iii) divergjenca nuk është domosdoshmërisht në kundërshtim me KEDNJ-në; dhe (iv) përjashtimi i arbitraritetit të dukshëm.

 

  1. Lidhur me parimin e parë, GJEDNJ është përqendruar në parimin e sigurisë juridike e që në këtë kontekst është e mishëruar në të gjitha nenet e KEDNJ-së dhe përbën një nga aspektet themelore të sundimit të ligjit (shih, rastin e GJEDNJ-së, Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, nr. 13279/05 Aktgjykim i 20 tetorit 2011, paragrafi 56). Ky parim garanton një stabilitet të caktuar në situata ligjore dhe kontribuon në besimin e publikut në gjykata. Vazhdimësia e divergjencës në praktikë gjyqësore mund të krijojë situata të pasigurisë juridike duke rezultuar në ulje të besimit të publikut në sistemin gjyqësor, ndërsa ky besim është qartazi njëri nga komponentët thelbësorë të shtetit që bazohet në sundim të ligjit (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së Hayati Çelebi dhe të tjerët kundër Turqisë, nr. 582/05 Aktgjykim i 9 shkurtit 2016, paragrafi 52; dhe Ferreira Santos Pardal kundër Portugalisë, nr. 30123/10 Aktgjykim i 30 korrikut 2015, paragrafi 42; shih gjithashtu rastin e Gjykatës KI175/20, parashtruese, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi i 26 marsit 2021, paragrafi 55).

 

  1. Lidhur me parimin e dytë, GjEDNj ka konstatuar se kërkesat e sigurisë juridike dhe të mbrojtjes së besimit legjitim të publikut, megjithatë nuk garantojnë një të drejtë të fituar në konsistencë të praktikës gjyqësore. Zhvillimi i praktikës gjyqësore nuk është, në vetvete, në kundërshtim me administrimin e drejtë të drejtësisë pasi që mosruajtja e një qasje dinamike dhe evolutive, do të rrezikonte të pengojë reformën ose përmirësimin e vazhdueshëm (shih, ndër të tjera, rastet e GJEDNJ-së, Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafin 58; dhe Famullia Greko-Katolike e Lupenit dhe të tjerët kundër Rumanisë, Aktgjykim i 29 nëntorit 2016, paragrafi 116; dhe shih gjithashtu rastin e Gjykatës, KI175/20, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi i 26 marsit 2021, paragrafët 56 dhe rastet e cituara aty).

 

  1. Lidhur me parimin e tretë, GJEDNJ ka konstatuar se mundësia e vendimeve kontradiktore gjyqësore është një tipar i qenësishëm i çdo sistemi gjyqësor i cili bazohet në një rrjet të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit me autoritet mbi fushën e juridiksionit territorial të tyre. Divergjencat e tilla mund të paraqiten gjithashtu brenda të së njëjtës gjykatë. Kjo, në vetvete, nuk mund të konsiderohet në kundërshtim me KEDNJ-në (shih, rastet e GJEDNJ-së, Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 51; Albu dhe të tjerët kundër Rumanisë dhe 63 (gjashtëdhjetë e tri) kërkesa tjera, nr. 34796/09, Aktgjykim i 10 majit 2012, paragrafi 34; Santo Pinto kundër Portugalisë, nr. 39005/04 Aktgjykim i 20 majit 2008, paragrafi 41; dhe Famullia Greko-Katolike e Lupenit dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 122; dhe shih gjithashtu rastin e Gjykatës, KI175/20, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi i 26 marsit 2021, paragrafi 57).

 

  1. Në fund dhe në lidhje me parimin e katërt, GJEDNJ ka theksuar vazhdimisht se, përveç rasteve të arbitraritetit të dukshëm, nuk është detyrë e saj të vë në pikëpyetje interpretimin e ligjit vendas nga ana e gjykatave vendore (shih, për shembull, rastet e GJEDNJ-së Ādamsons kundër Letonisë, Aktgjykim i 24 qershorit 2008, paragrafi 118; dhe Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 50) dhe në parim, nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave vendore, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme. Ajo duhet të respektojë pavarësinë e gjykatave. Përveç kësaj, GJEDNJ-ja ka theksuar se nuk mund të konsiderohet të ketë divergjencë në praktikën gjyqësore kur gjendjet faktike të çështjes janë objektivisht të ndryshme (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së Uçar kundër Turqisë, Vendim i 29 shtatorit 2009). Njëlloj, trajtimi i dy kontesteve në mënyrë të ndryshme nuk mund të konsiderohet se krijon praktikë gjyqësore divergjente kur kjo arsyetohet nga një ndryshim në gjendjet faktike në fjalë (shih, rastet e GJEDNJ-së, Hayati Çelebi dhe të tjerët, nr. 582/05, Aktgjykim i 9 shkurtit 2016, paragrafi 52; si dhe Famullia Greko-Katolike e Lupenit dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 116).

 

  1. Gjithashtu, Gjykata vëren se qasja e GJEDNJ-së në analizimin e divergjencave në praktikën gjyqësore, ndryshon në varësi të faktit nëse: (i) divergjencat ekzistojnë brenda të njëjtës degë të gjykatave; ose (ii) ndërmjet dy degëve të ndryshme të gjykatave të cilat janë plotësisht të pavarura nga njëra-tjetra. Situata e dytë ka të bëjë me sistemet gjyqësore që përbëhen nga më shumë se një degë e sistemit gjyqësor, secila me gjykatën përkatëse e të pavarur supreme e që nuk i nënshtrohet ndonjë hierarkie të përbashkët gjyqësore. Rasti kryesor i GJEDNJ-së lidhur me mungesën e konsistencës, përkatësisht divergjencën e praktikës gjyqësore, Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, bie brenda kësaj kategorie. Sidoqoftë, parimet themelore të vendosura përmes këtij rasti, përdoren gjithashtu në vlerësimin e divergjencave që kanë të bëjnë me praktikën gjyqësore edhe në rastet që i përkasin kategorisë së parë, përkatësisht, atyre me një sistem unik gjyqësor, që do të ishte rasti në kontekst të sistemit juridik të Republikës së Kosovës.

 

  1. Duke iu referuar parimeve të përcaktuara më lart, Gjykata më tej thekson se GJEDNJ-ja përdor tri kritere themelore për të përcaktuar nëse një divergjencë e pretenduar përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, si në vijim: (i) nëse divergjencat në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; (ii) nëse ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (iii) nëse ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti (në këtë kontekst, shih rastet e GJEDNJ-së, Beian kundër Rumanisë (nr.1), Aktgjykim i 6 dhjetorit 2007, paragrafët 37 -39; Famullia Greko-Katolike e Lupenit dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafët 116 – 135; Iordan Iordanov dhe të tjerët kundër Bullgarisë, nr. 23530/02, Aktgjykim i 2 korrikut 2009, paragrafët 49-50; Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 53; dhe Hayati Çelebi dhe të tjerët kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 52; dhe shih gjithashtu rastin e Gjykatës, KI175/20, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi i 26 marsit 2021, paragrafi 60).
  2. Në këtë kontekst, Gjykata gjithashtu rithekson se nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave të rregullta, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme. Ajo duhet të respektojë pavarësinë e gjykatave. Për më tepër, që në raste të tilla, përkatësisht rasteve të pretendimeve për shkelje kushtetuese të të drejtave dhe lirive themelore si rezultat i divergjencave në praktikën gjyqësore, parashtruesit e kërkesave duhet t’i paraqesin Gjykatës argumente përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar kështu në divergjencë në praktikën gjyqësore dhe e cila mund të ketë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre kushtetuese të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së.

 

Zbatimi i parimeve të përgjithshme në rrethanat e rastit konkret

 

  1. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon që në rastin e tij: “meqë veçse janë gjykuar çështje të njëjta sikurse çështja në rastin konkret, Gjykata është dashur të bazohet në aktgjykimet precedentë, gjegjësisht të vendosë sikurse ka vendosur në këto aktgjykime., … për më tepër, nuk mund të kemi vendime të ndryshme gjyqësore për raste të njëjta… . Në këtë drejtim, Gjykata nuk mund të vendosë ndryshe për dy çështje identike, një gjë e tillë – vendosja ndryshe për dy çështje identike dhe mosmarrja për bazë e aktgjykimeve precedentë – paraqet devijim të praktikës, interpretim të gabuar të ligjit dhe gjykim subjektiv të Gjykatës. Më konkretisht, një gjë e tillë na lë të kuptojmë se Aktgjykimi i kontestuar është përfshirë në shkelje të dispozitave kushtetuese, më konkretisht të nenit 31 të Kushtetutës”.

 

  1. Gjykata thekson se ajo vlerëson konsistencën e praktikës gjyqësore të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së vetëm në raport me shkeljet e pretenduara nga parashtruesi i kërkesës. Rrjedhimisht, mungesa e konsistencës në praktikën gjyqësore duhet të ketë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të parashtruesit të kërkesës. Për të konstatuar një shkelje të tillë, dhe për të konstatuar se të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesit të kërkesës janë shkelur si rezultat i “dallimeve të thella dhe afatgjata” në praktikën përkatëse gjyqësore, rrethanat faktike dhe juridike të rastit të parashtruesit të kërkesës duhet të jenë tërësisht identike me raste të cilave iu referohet parashtruesi i kërkesës.

 

  1. Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në mbështetje të pretendimeve të tij, kërkesës ia ka bashkëngjitur si dëshmi Aktgjykimin AC-I-14-0119 të 19 dhjetorit 2019 dhe AC-I-15-0178, të 23 prillit 2020 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, duke pretenduar se e njëjta gjykatë ka vendosur në favor të paditësve në këto raste. Parashtruesi i kërkesës përveç pretendimit se ka paraqitur prova të njëjta me personat në fjalë, ai nuk ka sqaruar se si kanë ngjashmëri faktike dhe juridike rastet përkatëse me rastin e parashtruesit të kërkesës dhe si kanë rezultuar ato në vendime kundërthënëse.

 

  1. Në këtë drejtim, Gjykata vëren se në rastin e parë të cilit i referohet parashtruesi i kërkesës, përkatësisht Aktgjykimin [AC-I-14-0119] të 19 dhjetorit 2019 të Kolegjit të Apelit i DHPGJS-së, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së kishte vendosur si në vijim: (i) ankesën e të paditurës AKP e kishte refuzuar; (ii) kishte konfirmuar Aktgjykimin e Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, C-IV-13-1537 të 19 shtatorit 2014, në pikën I dhe II të dispozitivit me të cilën ishte shfuqizuar vendimi i Autoritetit të Likuidimit dhe ishte detyruar AKP që paditësit N. Z. në emër të pagave të papaguara për periudhën kohore dhjetor 2006- dhjetor 2007, t’ia paguaj shumën prej 2,606.55 euro; dhe (iii) në pikën III të dispozitivit të aktgjykimit, ishte ndryshuar teksti nga “Obligohet AKP- Autoriteti i Likuidimit të NSH “Xim Strezoci” në tekstin “Obligohet e paditura AKP”. Në arsyetimin e Aktgjykimit të Kolegjit i Apelit i DHPGJS-së, ndër të tjera, theksohet:

 

“Kolegji i Specializuar me Aktgjykimin e ankimuar me të drejtë e ka shfuqizuar vendimin e ankimuar të Autoritetit të likuidimit të AKP-së PRN103-0463 të datës 25 korrik 2013, me të cilin ishte refuzuar kërkesa e paditësit që t’i paguhen pagat e papaguara nga NSH-ja për periudhën kohore prej muajit dhjetor 2006 e deri në muajin dhjetor 2007, në shumën e përgjithshme prej 2,606,55 euro. Kolegji i Apelit vëren se nga provat që paditësi i ka bashkëngjitur me padi, e në të cilat me të drejtë është bazuar Aktgjykimi i ankimuar, paditësi mjaftueshëm me këto prova e ka mbështetur kërkesëpadinë e tij.

 

[…]

 

Tutje, AKP-ja në parashtresat e saj nuk e konteston se paditësi ishte punëtor i NSH-së, madje nuk e konteston as lartësinë e pagës që e kërkon dhe shumën e përgjithshme të pagave të kërkuara për periudhën dhjetor 2006- dhjetor 2007. Andaj, duke u bazuar ne këto fakte të pakontestuara, por edhe në provat që i kishte shqyrtuar Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së në shkallën e parë, paditësi ka të drejtë në kompensimin e pagave të papaguara nga NSH-ja, për periudhën kohore dhjetor 2006 -dhjetor 2007, në shumën e përgjithshme prej 2,606,55 euro”.

 

  1. Sa i përket rastit të dytë që parashtruesi i kërkesës i referohet, përkatësisht Aktgjykimit [AC-I-15-0178] të 23 prillit 2020 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, Gjykata vëren që edhe në këtë rast Kolegji i Apelit i DHPGJS-së kishte vendosur njëjtë si në rastin e parë, duke konstatuar si në vijim: (i) ankesa e të paditurës AKP ishte refuzuar; (ii) vërtetoi pikën I e dispozitivit të Aktgjykimit të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, C-IV-13-0666 të 31 korrikut 2015; (iii) Ndryshohet pika II e dispozitivit të Aktgjykimit të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, C-IV-13-0666 i 31 korrikut 2015, ashtu që teksti i kësaj pike “OBLIGOHET AKP-Autoriteti i Likuidimit i NSH-së “Xim Strezovci”, që në emër të pagave të papaguara për periudhën kohore dhjetor 2006-dhjetor 2007, t’ia paguajë ankuesit SH.H., shumën prej 7,511.65 euro në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij Aktgjykimi”, ndryshohet me tekstin “Obligohet e paditura AKP-Autoriteti i Likuidimit të NSH “Xim Strezovci” që ankuesit SH.H. në emër të pagave të papaguara për periudhën kohore dhjetor 2006 e deri dhjetor 2007, t’ia paguajë shumën prej 7,511.65 euro, sipas prioriteteve të përcaktuara me ligj në procedurën e likuidimit”. Në arsyetimin e këtij Aktgjykimi të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, ndër të tjera, theksohet:

 

“Kolegji i Specializuar me Aktgjykimin e ankimuar me të drejtë e ka shfuqizuar vendimin e ankimuar të Autoritetit të likuidimit të AKP-së GJI066-0159 të datës 10 prill 2013, me të cilin ishte refuzuar kërkesa e paditësit që t’i paguhen pagat e papaguara nga NSH-ja për periudhën kohore prej muajit dhjetor 2006 e deri në muajin dhjetor 2007, në shumën e përgjithshme prej 8,833,35 euro. Kolegji i Apelit vëren se nga provat që paditësi i ka bashkangjitur me padi, e në të cilat me të drejtë është bazuar Aktgjykimi i ankimuar, paditësi mjaftueshëm me këto prova e ka mbështetur kërkesëpadinë e tij.

 

[…]

 

Andaj, duke u bazuar në këto fakte të pakontestuara, por edhe në provat që i kishte shqyrtuar Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së në shkallën e parë të cilat i pranon edhe Kolegji i Apelit, paditësi ka të drejtë në kompensimin e pagave të papaguara nga NSH-ja, për periudhën kohore dhjetor 2006 -dhjetor 2007, në shumën e përgjithshme prej 7,511,65 euro, aq sa ishte përllogaritur kjo shumë në listën e pagave të papaguara. Paditësi me ankesë kishte kërkuar shumën prej 8,833,35 euro, mirëpo ai siç ka konstatuar saktë Kolegji i Specializuar nuk ka të drejtë në pjesën tjetër të shumës së kërkuar, pasi që specifikacioni në dorëshkrim i hartuar dhe i dorëzuar me ankesë nga ankuesi nuk mund të jetë vendimtar për të vendosur për shumën e kërkuar të kompensimit nga paditësi”.

 

  1. Në rastin e parashtruesit te kërkesës, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, vendosi: (i) ankesa e paditësit refuzohet si e pabazuar; dhe (ii) vërtetohet Aktgjykimi i shkallës së I-rë të DHPGJ-së, C-IV-13-1028 të 24 nëntorit 2020. Në arsyetimin e Aktgjykimit të tij Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, ndër të tjera theksoi:

 

“[…] Tutje, Kolegji i Apelit vëren se ndaj këtij vendimi, paditësi me datë 26 qershor 2013 ka dorëzuar një ankesë në DHPGJS, duke pretenduar se vendimi i ankimuar është i kundërligjshëm dhe nuk mbështet në prova, dhe pa bazë ligjore i është refuzuar kërkesa e tij. Bashkë me këtë ankesë ai ka dorëzuar vetëm vendimin e ankimuar të Autoritetit të Likuidimit GJI066-0037 të datës 28 maj 2013, dhe asnjë dokument tjetër për t’i mbështetur pretendimet në ankesë. Paditësi edhe pas pranimit të mbrojtjes në ankesë me datë 31 mars 2014, ai e dorëzon një parashtresë në DHPGJS me të cilën i kundërshton pretendimet e AKP-së, por prapë nuk sjellë asnjë dokument për ta mbështetur ankesën, si njoftimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nga AKP-ja, kopjen e Librezës së punës, ndonjë dëshmi për të vërtetuar lartësinë e pagave të kërkuara, apo ndonjë dëshmi tjetër që vërteton se ai ka punuar në NSH deri në ditën e privatizimit të ndërmarrjes. Paditësi as në procedurën ankimore me ankesën e tij të dorëzuar me datë 8 dhjetor 2020, nuk ka sjellë në gjykatë asnjë provë, për ta mbështetur ankesën e tij. […] Paditësi në bazë të nenit 42.2 të LDHP-së dhe nenit 7 të LPK-së kishte barrën e provës për t’i vërtetuar me prova pretendimet e tij të paraqitura në ankesë”.

 

  1. Nga referimet e mësipërme, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës megjithatë nuk ka arritur të përmbushë kriterin sa i përket “dallimeve të thella dhe afatgjata” të praktikës gjyqësore të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, për faktin se Gjykatës ia ka dorëzuar dy vendime të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të cilat dallojnë nga rasti i parashtruesit të kërkesës, për arsye se tek ato Kolegji i Apelit i DHPGJS-së kishte konstatuar se ishin të mbështetura me prova, ndërsa te rasti i parashtruesit të kërkesës, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së kishte vendosur ta refuzojë ankesën e parashtruesit të kërkesës për shkak të mos mbështetjes së saj me prova. Pra, në bazë të kësaj, Gjykata nuk mund të konstatojë lëshimin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së për t’i trajtuar çështjet e njëjta faktike dhe juridike në përputhje me praktikën e saj gjyqësore. Në këtë kontekst, nuk mund të ndërtohet një pretendim për jokonsistencë në praktikën gjyqësore, dhe të konstatohet se ka pasur megjithatë “dallime të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore.

 

  1. Në lidhje me këtë, Gjykata në rastet e saj KI29/17, KI42/17, dhe KI133/19, kishte vlerësuar, se nuk mund të konstatohen “dallime të thella dhe afatgjata”, në krahasimin e vetëm 2 (dy) rasteve edhe nëse të njëjtat mund të jenë kundërthënëse. Në këtë rast, në një rrethanë të tillë, ku parashtruesit i referohen një vendimi, i cili përmban konstatim dhe përfundim ndryshe nga vendimi i nxjerrë në rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata nuk kishte konstatuar se ishte cenuar parimi i sigurisë juridike (shih, rastet e Gjykatës: K29/17, parashtrues Adem Zhegrova, Aktvendim për papranueshmëri, i 2 tetorit 2017, paragrafi 53; KI42/17, parashtrues Kushtrim Ibraj, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 janarit 2018, paragrafi 44; KI133/19, parashtrues Nysret Tafili, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 qershorit 2020, paragrafi 58).
  2. Përveç kësaj, Gjykata rikujton që praktika gjyqësore e GJEDNJ-së ka vënë theks në faktin se divergjenca në praktikën gjyqësore jo detyrimisht është në kundërshtim me KEDNJ-në, sepse qasja dinamike dhe evolutive e gjykatave në interpretimin e ligjit të aplikueshëm dhe për më tepër, zhvillimi i praktikës gjyqësore është i rëndësishëm për të mbajtur dinamikën e duhur të përmirësimit të vazhdueshëm të administrimit të drejtësisë.

 

  1. Përveç kësaj, është e pamundur të konstatohet se në rrethanat e rastit konkret praktika e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, në lidhje me konteste të natyrës së punës ka pësuar “dallime të thella dhe afatgjata” ku një mori individësh (punonjësish) kanë përfituar nga praktika e konsoliduar gjyqësore dhe një individi i është mohuar një përfitim i tillë, si rezultat i vendimmarrjes jokonsistente. Në këtë kuptim, parashtruesi i kërkesës ka sjellur dy aktgjykime të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, në të cilat parashtruesi pretendon se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së ka vendosur ndryshe nga rasti i tij. Mirëpo, Gjykata vëren se në rastin e parashtruesit të kërkesës, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së e ka refuzuar ankesën e tij në aspekt procedural, për shkak të mos mbështetjes me prova, ndërsa në rastet që parashtruesi iu referohet, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së kishte konstatuar se janë të mbështetura me prova, dhe kishte vazhduar tutje në shqyrtimin e pretendimeve të paditësve në fjalë, duke u bazuar në provat e paraqitura.

 

  1. Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës ka dështuar t’i ofrojë Gjykatës dëshmi në lidhje me “dallimet e thella dhe afatgjata” për të konstatuar se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së në rastin e tij ka vendosur në kundërshtim me praktikën e konsoliduar gjyqësore, ndër vite. Përveç kësaj, nëse Gjykata do të lëshohej në vlerësimin e ligjshmërisë së vendimeve të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, duke bërë krahasime dhe analizë, se cili prej vendimeve të tij është më i drejti dhe i bazuar në ligj, do të ndërhynte në juridiksionin dhe pavarësinë e gjyqësorit të rregullt.

 

  1. Gjykata në vazhdimësi ka theksuar se nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave të rregullta, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme. Ajo duhet të respektojë pavarësinë e gjykatave. Për më tepër, në raste të tilla, përkatësisht pretendimeve për shkelje kushtetuese të të drejtave dhe lirive themelore si rezultat i divergjencave në praktikën gjyqësore, parashtruesit e kërkesave duhet t’i paraqesin Gjykatës argumente përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar kështu në divergjencë, gjegjësisht në “dallimet e thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore, e cila mund të ketë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre kushtetuese të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së (shih, rastin e Gjykatës: KI209/21, parashtrues Xhemajl Cakolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 marsit 2022, paragrafi 66).

 

  1. Andaj, për këto arsye, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNJ-së, përkitazi me jokonsistencën në vendimmarrje i përkasin kategorisë së pretendimeve “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes ”, andaj, si të tilla, duhet të shpallen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

 

(ii) Sa i përket pretendimit për vendim të paarsyetuar gjyqësor

 

  1. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në ankesën e tij pranë Kolegjit të Apelit kishte theksuar se ka paraqitur prova të mjaftueshme përmes së cilave ka vërtetuar pretendimet e tij, dhe i ishte referuar Aktgjykimit AC-I-14-0119-A0001 me paditës N. Z. Në këtë linjë parashtruesi i kërkesës, pranë Gjykatës, duke iu referuar rastit të N.Z. dhe SH.H., thekson se për të njëjtit, Kolegji i Apelit kishte vendosur, që AKP t’ia paguajë shumën përkatëse në emër të pagave të papaguara, sipas prioriteteve të përcaktuara me ligj. Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës konsideron se është krijuar precedent me këto raste, dhe Kolegji i Apelit nuk iu ishte përgjigjur pretendimeve të tij, ku në këtë pikë, parashtruesi i kërkesës i është referuar edhe Aktgjykimit të Gjykatës KI145/18 (parashtrues Shehide Muhadri, Murat Muhadri dhe Sylë Ibrahimi, Aktgjykim i 19 korrikut 2019).

 

  1. Përkitazi me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata fillimisht thekson se ajo tashmë ka një praktikë të konsoliduar gjyqësore. Kjo praktikë është ndërtuar duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së (përfshirë, por duke mos u kufizuar në rastet Hadjianastassiou kundër Greqisë, nr. 12945/87, Aktgjykim i 16 dhjetorit 1992; Van de Hurk kundër Holandës, nr. 16034/90, Aktgjykim i 19 prillit 1994; Hiro Balani kundër Spanjës, nr. 18064/91 Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994; Higgins dhe të tjerët kundër Francës, 134/1996/753/952, Aktgjykimi i 19 shkurtit 1998; Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykimi i 21 janarit 1999; Hirvisaari kundër Finlandës, nr. 49684/99 Aktgjykim i 27 shtatorit 2001; Suominen kundër Finlandës, nr. 37801/97 Aktgjykim i 1 korrikut 2003; Buzescu kundër Rumanisë, nr. 61302/00 Aktgjykim i 24 majit 2005; Pronina kundër Ukrainës, nr. 63566/00, Aktgjykim i 18 korrikut 2006; dhe Tatishvili kundër Rusisë, nr. 1509/02, Aktgjykimi i 22 shkurtit 2007.) Për më tepër, parimet themelore sa i përket të drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor janë elaboruar po ashtu në rastet e kësaj Gjykate (duke përfshirë, por duke mos u kufizuar në KI22/16, parashtrues Naser Husaj, Aktgjykim i 9 qershorit 2017; KI97/16, parashtrues IKK Classic, Aktgjykim i 9 janarit 2018; KI143/16, parashtrues Muharrem Blaku dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 qershorit 2018; KI87/18, parashtrues i kërkesës IF Skadiforsikring, Aktgjykim, i 27 shkurtit 2019; KI24/17, parashtrues Bedri Salihu, Aktgjykim, i 27 majit 2019; KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, Aktgjykim, i 11 dhjetorit 2019; si dhe rastin KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, Aktgjykim i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 135).

 

  1. Në parim, Gjykata thekson se garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së përfshijnë detyrimin që gjykatat të japin arsye të mjaftueshme për vendimet e tyre (shih rastin e GJEDNJ-së, kundër Belgjikës, nr. 8950/80 Aktgjykimi i 30 nëntorit 1987, paragrafi 53; si dhe shih rastin e Gjykatës KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, të cituar më lart, paragrafi 139 dhe rastin KI87/18, parashtrues IF Skadiforsikring, paragrafi 44).

 

  1. Gjykata po ashtu thekson se bazuar në praktikën e saj gjyqësore gjatë vlerësimit të parimit i cili i referohet administrimit të duhur të drejtësisë, vendimet e gjykatave duhet të përmbajnë arsyetimin në të cilat ato bazohen. Shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret. Janë argumentet thelbësore të parashtruesve të kërkesës që duhet të adresohen dhe arsyet e dhëna duhet të jenë të bazuara në ligjin e aplikueshëm (shih në mënyrë të ngjashme rastet e GJEDNJ-së Garcia Ruiz kundër Spanjës, kërkesa nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 29; Hiro Balani kundër Spanjës, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 27; dhe Higgins dhe të tjerët kundër Francës, paragrafi 42; shih, po ashtu, rastin e Gjykatës KI97/16, parashtrues IKK Classic, të cituar më lart, paragrafi 48; dhe rastin KI87/18 IF Skadeforsikring, të cituar më lart, paragrafi 48). Duke mos kërkuar një përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar (shih rastin Moreira Ferreira kundër Portugalisë, Aktgjykim, i 5 korrikut 2011 paragrafi 84 dhe të gjitha referencat e përdorura aty; si dhe rastin e Gjykatës KI195/20, parashtrues Aigars Kesengfelds, pronar i institucionit financiar jobankar “Monego”, Aktgjykim i 29 marsit 2021, paragrafi 122).

 

  1. Gjykata, me këtë rast, rikujton se Autoriteti i Likuidimit fillimisht kishte kompensuar parashtruesin në shumën prej 94 (gjashtëqind e tetëdhjetë e tri euro e nëntëdhjetë e katër cent) euro për shkak të ndërprerjes së parakohshme të kontratës së punës, duke theksuar se në llogaritjen e shumës, ka marrë parasysh pagën mujore në momentin e pushimit nga puna dhe vitet faktike të shërbimit në punë.

 

  1. Gjykata e shkallës së parë të DHPGJ-së, kur refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës lidhur me kompensimin e pagave të papaguara për periudhën dhjetor 2006 – dhjetor 2007, kishte theksuar si në vijim:

 

“[…] Ankuesi ka pasur të drejtë të kërkoj përmbushjen e detyrimit të pretenduar pas çdo muaji të kaluar për të cilët nuk i është paguar paga, kështu që afati i parashkrimit ka rrjedhur për çdo muaj të pagave të pa paguara veç e veç. Kërkesa e ankuesit për pagat e papaguara për periudhën dhjetor 2006 – dhjetor 2007, është parashkruar brenda afatit trevjeçar, që i bie se afati i parashkrimit për pagën e fundit ka arritur në muajin dhjetor 2010, ankuesi kërkesën e ka parashtruar në muajin shkurt të vitit 2011, që do të thotë jashtë çdo afati të paraparë ligjor. Ankuesi, me parashtrimin e ankesës kundër vendimit të AL-së, nuk ka pohuar ndonjë fakt apo argument ligjor që do të bënin ndryshimin e rrethanave faktike, sa i përket parashkrimit të së drejtës për të kërkuar në rrugë gjyqësore pagat e papaguara dhe kështu për të ndikuar në ndryshimin e vendimit të ankimuar. Po ashtu, ankuesi nuk ka paraqitur ndonjë provë për të dëshmuar faktin se ka iniciuar ndonjë procedurë gjyqësore apo se ka parashtruar kërkesë për borxhin e pretenduar pranë organeve kompetente para ushtrimit të kërkesës pranë AL-së, kësisoj do të kishim edhe ndërprerje të afatit të parashkrimit […]”.

 

  1. Më tej, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së në Aktgjykimin [AC-I-20-0561] të 19 gushtit 2021, ndër të tjera theksoi:

 

“[…] Tutje, Kolegji i Apelit vëren se ndaj këtij vendimi, paditësi me datë 26 qershor 2013 ka dorëzuar një ankesë në DHPGJS, duke pretenduar se vendimi i ankimuar është i kundërligjshëm dhe nuk mbështet në prova, dhe pa bazë ligjore i është refuzuar kërkesa e tij. Bashkë me këtë ankesë ai ka dorëzuar vetëm vendimin e ankimuar të Autoritetit të Likuidimit GJI066-0037 të datës 28 maj 2013, dhe asnjë dokument tjetër për t’i mbështetur pretendimet në ankesë. Paditësi edhe pas pranimit të mbrojtjes në ankesë me datë 31 mars 2014, ai e dorëzon një parashtresë në DHPGJS me të cilën i kundërshton pretendimet e AKP-së, por prapë nuk sjellë asnjë dokument për ta mbështetur ankesën, si njoftimin i për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nga AKP-ja, kopjen e Librezës së punës, ndonjë dëshmi për të vërtetuar lartësinë e pagave të kërkuara, apo ndonjë dëshmi tjetër që vërteton se ai ka punuar në NSH deri në ditën e privatizimit të ndërmarrjes. Paditësi as në procedurën ankimore me ankesën e tij të dorëzuar me datë 8 dhjetor 2020, nuk ka sjellë në gjykatë asnjë provë, për ta mbështetur ankesën e tij. […] Paditësi në bazë të nenit 42.2 të LDHP-së dhe nenit 7 të LPK-së kishte barrën e provës për t’i vërtetuar me prova pretendimet e tij te paraqitura në ankesë […]”.

 

  1. Gjykata vëren se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, duke u mbështetur në paragrafin 2 të nenit 42 të Ligjit për DHPGJS-në, në esencë theksuan se pala që pretendon ndonjë fakt apo ngjarje, e ka barrën e dëshmisë dhe vërtetësisë së pretendimit të tillë, duke parashtruar prova materiale (dokumente fizike dhe dëshmuese), e të cilat parashtruesi i kërkesës ka dështuar t’i dorëzojë. Në këtë aspekt, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka sjellur asnjë dokument për ta mbështetur ankesën e tij, si njoftimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nga AKP-ja, kopjen e librezës së punës, ndonjë dëshmi për të vërtetuar lartësinë e pagave të kërkuara, apo ndonjë dëshmi tjetër që dëshmon se ai ka punuar në NSH deri në ditën e privatizimit të ndërmarrjes.

 

  1. Gjykata me këtë rast, rikujton se nisur nga praktika e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës, e njëjta nuk kërkon përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës. Megjithatë, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar (shih rastin e Gjykatës KI209/21, cituar më lart, paragrafi 76).

 

  1. Në rastin konkret, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës fillimisht në ankesën e tij kundër vendimit të Autoritetit të Likuidimit konsideron se do duhej të zbatohej neni 40 i Ligjit për AKP-në, pretendim ky që ishte theksuar edhe në ankesën e tij pranë Kolegjit të Apelit të DHPGJ-së. Në ankesën e tij pranë Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, parashtruesi i kërkesës, mes tjerash i ishte referuar edhe rastit të N. Z., duke theksuar se Kolegji i Apelit, ka obliguar AKP-në që personit N.Z., t’ia paguaj shumën përkatëse në emër të pagave të papaguara, sipas prioriteteve të përcaktuara me ligj. Të njëjtin pretendim të parashtruesit, Kolegji i Apelit e kishte cituar në Aktgjykimin e tyre, por Kolegji i Apelit, në arsyetim ishte përgjigjur lidhur me paraqitjen e provave përkatëse nga parashtruesi i kërkesës, i cili nuk ka ofruar dëshmi relevante për të vërtetuar pretendimet e tij.

 

  1. Gjykata, duke marrë parasysh rrethanat e rastit konkret, konsideron se përgjigja lidhur me rastin e personit N. Z., nuk ishte vendimtare dhe përcaktuese lidhur me rrethanat e parashtruesit të kërkesës, sepse fillimisht, Kolegji i Apelit, bazuar në nenin 42 të Ligjit për DHPGJS-në, do duhej të mbështetej në provat relevante, për të vendosur lidhur me rastin e parashtruesit të kërkesës (shih lidhur me çështjen e pretendimeve vendimtare dhe përcaktuese, KI195/20, parashtrues Aigars Kesengfelds, pronar i institucionit financiar jobankar “Monego”, Aktgjykim i 19 prillit 2021, paragrafët 126, 128 dhe 135). Për ndryshim, në rastin e cituar nga parashtruesi i kërkesës KI145/18, Gjykata kishte konsideruar se pretendimi i parashtruesve në atë rast për trajtim të pabarabartë para gjykatave, ishte thelbësor dhe i mbështetur në dëshmi materiale (shih Aktgjykimin KI145/18, cituar më lart, paragrafin 57).

 

  1. Në këtë kontekst, Gjykata, duke u bazuar në sqarimet si më sipër, dhe në mënyrë specifike duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara më lart, konsideron se Aktgjykimi i kontestuar i Kolegjit të Apelit nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor. Për pasojë, pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

 

Përkitazi me pretendimet për shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës

 

  1. Sa i përket pretendimeve për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 24 të Kushtetutës, Gjykata rikujton se sipas praktikës gjyqësore të vendosur mirë të GJEDNJ-së, Gjykata e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar në pajtim me kriterin (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht:

 

  1. kur parashtruesi/ja thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse kjo është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih, në këtë drejtim, rastin e GJEDNJ-së Trofimchuk kundër Ukrainës (Vendim) nr. 4241/03, i 31 majit 2005, shih, gjithashtu, rastin Baillard kundër Francës (Vendim) nr. 6032/04, i 25 shtatorit 2008);

 

  1. kur parashtruesi/ja nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij/saj (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij/saj dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, nëse autoritetet e burgut refuzojnë të paraqesin në Gjykatë dokumentet nga shkresat e lëndës së të burgosurit për të cilin bëhet fjalë) ose nëse vetë Gjykata nuk vendos ndryshe.

 

  1. Siç u cek më lart, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, shkel të drejtat e tij të garantuara me nenin 24 të Kushtetutës. Mirëpo, parashtruesi i kërkesës vetëm e përmend nenin përkatës, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtij neni përkatës të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës Kushtetuese KI187/18 dhe KI 11/19, parashtrues: Muhamet Idrizi, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2019, paragrafi 73; KI125/19 parashtrues: Ismajl Bajgora, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 63; dhe së fundmi rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi për papranueshmëri, i 26 marsit 2021, paragrafët 79-82).

 

  1. Thënë këtë, Gjykata konsideron se pretendimin për shkelje të së drejtës për “barazi para ligjit” parashtruesi i kërkesës, në të vërtetë, e ka elaboruar mbi bazën e nenit 31 të Kushtetutës, duke e ndërlidhur shkeljen e kësaj të drejte themelore me praktikën gjyqësore jokonsistente të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, për çfarë Gjykata sa më sipër konstatoi se në këtë pjesë kërkesa duhet të shpallet qartazi e pabazuar, në baza kushtetuese dhe rrjedhimisht e papranueshme, për arsyet e lartcekura.

 

  1. Prandaj, Gjykata konstaton se përkitazi me këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 24 të Kushtetutës, Gjykata konkludon që kjo pjesë e kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, sepse parashtruesi i kërkesës thjesht citoi nenin 24 të Kushtetutës, pa shpjeguar se si ishte shkelur ai. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

 

Përfundim

 

  1. Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me praktikën gjyqësore jokonsistente dhe përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar, e që bien në fushëveprimin e nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6.1 të KEDNJ-së, i përkasin kategorisë së dytë (ii) të pretendimeve “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes ”, andaj të njëjtat duhet të deklarohen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

 

  1. Sa i përket pretendimeve për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”.

 

  1. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj duhet të deklarohet e papranueshme.

 

PËR KËTO ARSYE

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 39 (2) dhe 59 (b) të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur më 26 korrik 2022, me shumicë

 

VENDOS

 

  1. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  1. T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  1. Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.

 

 

 

 

 

Gjyqtari raportues                                    Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

 

Safet Hoxha                                                                 Gresa Caka-Nimani

Parashtruesit:

Qamil Kosumi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar