Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [C. nr. 1516/2021] të 16 dhjetorit 2021 të Gjykatës Themelore në Prizren

Nr. të lëndës KI 63/22

Parashtruesit: Ziza Canhanaj

Shkarko:

KI63/22, Parashtrues: Ziza Canhanaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit  [C. nr. 1516/2021] të 16 dhjetorit 2021 të Gjykatës Themelore në Prizren

KI63/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 26 korrikut 2022, publikuar më 17 gusht 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, zgjidhje e martesës, kërkesë e papranueshme

Rasti ka të bëjë me procedurë gjyqësore për zgjidhjen e martesës ndërmjet parashtrueses së kërkesës dhe bashkëshortit të saj, ku si propozuese për zgjidhjen e martesës pranë Gjykatës Themelore ishte parashtruesja e kërkesës, me propozimin e saj ishte pajtuar edhe bashkëshorti i saj. Gjykata Themelore përmes vendimit të saj kishte vendosur që të zgjidhet martesa në mes të parashtrueses së kërkesës dhe bashkëshortit të saj, ku kujdesjen e fëmijëve të mitur ia kishte besuar bashkëshortit të parashtrueses, me kushtin që parashtruesja e kërkesës të mund t’i shoh fëmijët. Kundër vendimit të Gjykatës Themelore parashtruesja e kërkesës nuk kishte parashtruar ankesë.

Parashtruesja e kërkesës pretendoi se aktgjykimi i Gjykatës Themelore nuk ka qenë i arsyetuar mjaftueshëm, ku lidhur me këtë ajo thekson se i janë drejtuar institucioneve të ndryshme, përfshirë Stacionit Policor në Gjakovë dhe Qendrës për Punë Sociale, dhe të cilët kanë sugjeruar që të përmirësohet vendimi gjyqësor. Lidhur me mosarsyetimin e vendimit gjyqësor, parashtruesja e kërkesës i referohet disa paragrafëve të vendimeve ku Gjykata ka sqaruar të drejtën në një vendim të arsyetuar gjyqësor.

Parashtruesja e kërkesës pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit]; 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së.

Në vlerësimin e kërkesës, Gjykata vërejti se në rastin e parashtrueses së kërkesës, aktin e fundit që parashtruesja e kërkesës e konteston para Gjykatës është Aktgjykimi [C. nr. 1516/21] i 16 dhjetorit 2021 i Gjykatës Themelore, për të cilën parashtruesja nuk e ka dëshmuar që i ka shfrytëzuar mjetet e rregullta juridike, në mënyrë që të njëjtin ta kontestoj në procedura tjera gjyqësore paraprakisht.

Në këtë aspekt, Gjykata rikujtoi se rregulli për shterimin e mjeteve juridike, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës, i obligon personat fizikë dhe juridikë që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive që janë të disponueshme, kundër një aktgjykimi ose vendimi të kontestuar.

Në këtë mënyrë, organeve administrative dhe gjykatave të rregullta u jepet mundësia që të parandalojnë dhe korrigjojnë shkeljet eventuale kushtetuese përmes procedurave të rregullta administrative dhe gjyqësore, para se rasti të vijë në Gjykatën Kushtetuese. Ky rregull bazohet në supozimin se rendi juridik i Kosovës siguron mjete juridike efektive për parandalimin, përkatësisht korrigjimin e shkeljeve të të drejtave kushtetuese. Ky është një aspekt i rëndësishëm i karakterit subsidiar të mekanizmit të drejtësisë kushtetuese.

Rrjedhimisht, Gjykata erdhi në përfundim se kërkesa e parashtrueses së kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme, për shkak se parashtruesja e kërkesës nuk i ka shteruar mjetet juridike në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Ziza Canhanaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër