Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ. nr. 131/2021 të 15 dhjetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI 56/22

Parashtruesit: Alija Ilazi

Shkarko:

KI56/22, Parashtrues: Alija Ilazi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ. nr. 131/2021 të 15 dhjetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës

KI56/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 korrikut 2022, publikuar më 17 gusht 2022

Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, heshtje administrative, kërkesë e papranueshme, mos shterim

Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës, në vitin 2012, kishte bërë kërkesë pranë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që t’i njihet  statusi i veteranit. Komisioni Qeveritar, përmes vendimit refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në shkallë të dytë të Komisionit Qeveritar dhe ky i fundit rezulton se nuk ishte  përgjigjur në ankesën e parashtruesit të kërkesës ndaj Vendimit të shkallës së parë të Komisionit Qeveritar.

Më pas parashtruesi kishte parashtruar padi pranë Gjykatës Themelore, duke kërkuar që Komisioni Qeveritar, në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh, të nxjerrë një vendim/akt administrativ sipas ankesës së parashtruesit të kërkesës. Më tej, Gjykata Themelore kishte  refuzuar padinë e parashtruesit të kërkesës, ku duke u mbështetur në nenin 29, si dhe në paragrafin 1, nën-paragrafi 1.1 dhe paragrafin 2 të nenit 34  të Ligjit për Konflikt Administrativ (në tekstin e mëtejmë: LKA), vlerësoi se kërkesa e parashtruesit është e parakohshme sepse parashtruesi i kërkesës nuk i kishte shterur mjetet e brendshme juridike të ankimimit, respektivisht kërkesën e përsëritur, kusht ky për të fituar të drejtën për të iniciuar konflikt administrativ. Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, pas ankesës së parashtruesit, miratuan në tërësi vendimin e shkallës së parë.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se përmes vendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 21 [Parimet e Përgjithshme], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një Proces të rregullt Gjyqësor) të KEDNJ-së.

Nga shkresat e lëndës dhe nga arsyetimi i gjykatave të rregullta, Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës nuk e kishte shfrytëzuar të drejtën për të parashtruar ankesë në shkallën e dytë të Komisionit Qeveritar, ashtu siç kërkohet me paragrafin 1 të nenit 29 të LKA-së, respektivisht nuk i kishte shteruar mjetet efektive juridike të parapara me ligj.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, për shkak se parashtruesi i kërkesës nuk i kishte shteruar mjetet juridike në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës

Parashtruesit:

Alija Ilazi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative