Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës Së Posaçme të Gjykatës Supreme, AC-1-17-0048 të 11 marsit 2021

Nr. të lëndës KI119/21

Parashtruesit: Ahmet Hoti dhe të tjerët

Shkarko:

KI119/21, Parashtrues: Ahmet Hoti dhe të tjerët, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës Së Posaçme të Gjykatës Supreme, AC-1-17-0048 të 11 marsit 2021

KI119/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 22 qershorit 2022, publikuar më 14 korrik 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest pronësor, kërkesë e papranueshme 

Kërkesa në fjalë kishte të bënte me një kontest pronësor lidhur me një pronë që parashtruesit e kërkesës pretendonin se u takonte atyre, pasi që siç pretendonin parashtruesit prona ne fjalë ishte konfiskuar nga pushteti i atëhershëm dhe se kjo pronë i kishte takuar paraardhësve të tyre dhe se për këtë nuk ishin kompensuar asnjëherë. Sipas parashtruesve të kërkesës, me 14 prill 1959, Këshilli Popullor Komunal Dobra Voda nëpërmjet aktvendimit [nr.01-920/1-1959], kishte konfiskuar paluajtshmëritë në sipërfaqe prej 110.84.95 ha dhe 19.80.33 ha nga ana e paraardhësit të tyre R.S.H, dhe të cilat ia kishte kaluar ndërmarrjes bujqësore “Malishgani” nga Klina. Konfiskimi ishte bërë edhe ndaj paluajtshmërive të vëllezërve dhe pasardhësve të tij: Ahmet Xhemë Hotit nga fshati Resnik, Komuna e Klinës, sipërfaqja prej 22.90.06 ha sipas FP 117, zona kadastrale Dush, (2) Enver Sadri Hoti dhe Rexhep Sadri Hoti, suksesorë dhe trashëgimtarë te Sadri Rexhep Hotit nga fshati Resnik, Komuna e Klinës për një sipërfaqe prej 06.11.10 ha e regjistruar ne FP 115, ZK Dusheviq, (3) Emin Mehmet Hoti dhe Gani Mehmet Hoti sukcesore dhe trashëgimtarë te Mehmet Rexhep Hotit nga fshati Resnik, Komuna e Klinës për një sipërfaqe prej 06.83.82 ha e regjistruar ne FP 114, ZK Dusheviq (4) Fehmi Muje Hoti, Elmi Muje Hoti, Bajram Muje Hoti, Musli Halil Hoti, Sokol Halil Hoti dhe Vehbi Halil Hoti suksesorë dhe trashëgimtarë te Gjyle Musli Hoti nga fshati Resnik, Komuna e Klinës për një sipërfaqe prej 24.47.86 ha, e regjistruar ne FP 116 e vitit 1959, ZK Dusheviq, (5) Ukshin Haxhi Hoti, Smajl Haxhi Hoti dhe Kadri Haxhi Hoti nga fshati Resnik, Komuna e Klinës, trashëgimtarë juridike i Hyre Adem Hotit ne sipërfaqe prej 20.55.34 ha ZK Dush, e regjistruar ne FP 118, ZK Dush. Parashtruesit e kërkesës theksojnë  se që nga viti 1999 janë “në posedim dhe kanë punuar dhe janë kujdesur për këto prona”. Parashtruesit e kërkesës kishin parashtruar padi kundër AKP-së si përfaqësuese e NSH NPB “Malishgani”, e cila padi ishte refuzuar nga Kolegji i Specializuar i DHPGJ-së dhe e hodhi padinë e tyre si të papranueshme për mungesë të legjitimitetit aktiv të parashtruesve. Parashtruesit paraqiten ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJ-së kundër aktgjykimit të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, e cila ankesë u refuzua si e pabazuar.

Parashtruesit e kërkesës e kontestuan Aktgjykimin [AC-I-17-0048] e 11 marsit 2021 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, me pretendimin se i njëjti është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tyre të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 1 i Protokollit 1 ( Mbrojtja e pronës) dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.

Përkitazi me shkeljet e pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesit e kërkesës, në esencë, theksuan se: (i) gjykatat nuk kanë administruar të gjitha provat e propozuara nga përfaqësuesi i tyre, dhe (ii) gjykatat nuk kanë dhënë arsye lidhur me refuzimin e administrimit të tyre, si dhe (iii) nuk është marrë për bazë propozimi i përfaqësuesit lidhur me dëgjimin e palëve dhe dëshmitarëve, dhe për pasojë, sipas parashtruesve “Është i pabazuar dhe i papranueshëm konstatimi i theksuar ne aktgjykimin e shkalles se pare dhe aktgjykimin e shkalles se dyte te Dhomës se Posaçme te Gjykatës Supreme se procedura e provave nuk ka funksionuar për te përcaktuar se çka është e drejte, se çka është e gabuar lidhur me pretendimet e theksuara rreth fakteve relevante. Kjo ngase Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme nuk ka marre aktvendim për te administruar provat juridikisht te vlefshme, te propozuara nga përfaqësuesi i paditësve e as qe ka dhënë arsye lidhur me refuzimin e administrimit te tyre”.

Sa i përket pretendimit për shkelje të nenit 1 të protokollit 1 të KEDNJ-së parashtruesit e kërkesës ndër të tjera pretendojnë se përfaqësuesi i tyre “me vendosmëri dhe këmbëngulësi i ka propozuar sikundër provat shkresore ashtu edhe dëgjimin e dëshmitareve për ti vërtetuar-provuar pretendimet e tij se prona qe është objekt i kërkesës është marre me konfiskim dhe se te njëjtit janë privuar nga e drejta e kësaj prone te paluajtshme me dhunën e instrumentalizuar nga pushteti komunist jugosllavë”. Lidhur me këtë ata theksojnë se konfiskimi i pronave te paluajtshme te tyre qartazi dhe ne mënyrë ekskluzive është ne kundërshtim me nenin 1 te Protokollit 1 të KEDNJ-së.

Fillimisht, Gjykata, nga shkresat e lendes, vërejti se parashtrues te kërkesës ishin:  Ahmet Hoti, Gani Hoti, Bajram Hoti, Elmi Hoti, Fehmi Hoti, Sokol Hoti, Musli Hoti, Vehbi Hoti, Ukshin Hoti, Kadri Hoti, Smajl Hoti, Xhevat Hoti, dhe Nexhat Hoti nga Klina, të përfaqësuar nga avokati Albert Islami nga Prishtina.  Gjykata vëren se Xhevat Hoti dhe Nexhat Hoti nuk ishin pale pranë gjykatave te rregullta por ishte babai i tyre Emin Mehmet Hoti tani me i ndjere.  Në shkresën e dërguar nga Gjykata më 28 tetor 2021, përfaqësuesit të parashtruesve të kërkesës duke kërkuar informata shtesë lidhur me parashtruesit Xhevat Hoti dhe Nexhat Hoti, se në çfarë cilësie paraqiten para Gjykatës, përfaqësuesi i parashtruesve të kërkesës ndër të tjera theksoi se parashtruesit e kërkesës ne fjale “paraqiten ne cilësinë e bashkë ndërgjyqësve unike material- sukcesore juridik te babait te tyre Emin Mehmet Hotit, ish nga fshati Resnik, Komuna e Klinës, i cili ka ndërruar jete me 14.02.2021 e i cili ka qenë njëri ndër bashkë ndërgjyqësit.”

Sa i përket përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë nga ana e parashtruesve të kërkesës Xhevat Hoti dhe Nexhat Hoti përkatësisht nëse këta janë palë e autorizuar pranë Gjykatës, Gjykata duke u bazuar në dispozitat relevante të Kushtetutës dhe Ligjit, duhet të vlerësohet në kuptim të “statusit të viktimës” të parashtruesve të kërkesës.

Ne këtë kontekst, Gjykata i referohet praktikes gjyqësore GJEDNJ-se e cila ka konstatuar se ”fjala viktime ne kontekst te nenit 34 te KEDNJ-se nënkupton personin ose personat te afektuan ne mënyre direkte apo indirekte nga shkelje e pretenduar, por edhe viktimën indirekte te cilit shkelja do ti shkaktonte dem ose do te kishte një interes valid apo personal qe kjo shkelje te përfundonte” (shih rastin Vallianatos the te tjeret kunder Greqise [DHM], kërkesa nr. 29381/09 dhe 32684/09, Aktgjykim, i 7 nëntorit 2013, paragrafi 47). Sipas GJEDNJ “nocioni “viktime” është interpretuar ne mënyre autonome dhe pavarësisht nga rregullat vendore sic jane ato te pasurit interes apo mundësinë për te ndërmarre veprime (shih rastin Gorraiz Lizarraga dhe te tjerët kundër 13 Spanjes, kërkesa nr. 62543/00, Aktgjykim, i 27 prilli 2004, paragrafi 35) edhe pse Gjykata duhet te kete parasysh faktin qe parashtruesi ka qene pale ne procedure ne gjykatat vendore “(shih rastin Aksu kunder Turqise [DHM], kerkesa nr. 4149/04 dhe 41029/04, Aktgjykim, i 15 korrikut 2012, paragrafi 52; Micallef kundër Maltës [DHM], kërkesa nr. 17056/06, Aktgjykim, i 15 tetorit 2009, paragrafi 48; Bursa Barosu Baskanligi dhe te tjeret kunder Turqisë, kërkesa nr. 25680/05, Aktgjykim, i 19 qershorit 2018, paragrafët 109-117).

Rrjedhimisht, bazuar ne atë si me larte, Gjykata rikujton se parashtruesit e kërkesës Xhevat Hoti dhe Nexhat Hoti ( si dhe parashtruesit tjerë) ne kërkesën e tyre ne thelb kane pretenduar shkelje te nenit 31 te Kushtetutës dhe shkelje te te drejtës se tyre ne prone te garantuar me nenin 46 te Kushtetutës. Ne këtë kontekst, Gjykata rikujton se ne procedurat gjyqësore te përfunduara para gjykatave te rregullta nuk është konstatuar apo vërtetuar se Emin Mehmet Hoti babai i parashtrueseve te kërkesës ka qene pronar i pronave te kontestuara. Prandaj, bazuar ne atë si me larte, përkatësisht duke iu referuar praktikes gjyqësore te GJEDNJ-se dhe praktikes se Gjykatës ( KI 34/20, parashtrues Ramadan Zogaj, Aktvendim për Papranueshmëri, i 13 nëntor 2020, KI 11/20 Parashtrues Fllanza Pozhegu,  Aktvendim për Papranueshmëri, i 18  dhjetor 2020), Gjykata konstatoi se parashtruesit e  kërkesës nuk janë pale e autorizuar ashtu siç përcaktohet me paragrafët 1 dhe 7 te nenit 113 te Kushtetutës dhe rregullit 39 (1) (a) te Rregullores se punës qe te paraqes kërkese kundër një Aktgjykimi, i cili është nxjerre ne procedure ku parashtruesit  kërkesës Xhevat Hoti dhe Nexhat Hoti nuk kane qene pale ne procedure ose përmes se cilës nuk është vendosur lidhur me te drejtat e tyre (shih, mutatis mutandis, rastin e Gjykatës KI74/13, parashtrues Shefqet Hasimi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 13 shtatorit 2013, paragrafi 25).

Për sa i përket përmbushjes se kritereve te pranueshmerise Gjykata konstaton se parashtruesit e kërkesës Ahmet Hoti, Gani Hoti, Bajram Hoti, Elmi Hoti, Fehmi Hoti, Sokol Hoti, Musli Hoti, Vehbi Hoti, Ukshin Hoti, Kadri Hoti, Smajl Hoti janë palë e autorizuar, te cilët kontestojnë një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës Së Posaçme të Gjykatës Supreme, AC-1-17-0048 të 11 marsit 2021, pasi i kanë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesit e kërkesës gjithashtu i kane qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendojnë se u janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe kane dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.

Sa i përket pretendimeve për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata pasi vlerësoi pretendimet e parashtruesve të kërkesës, konsideroi se Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së dhe Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, në rrethanat e rastit konkret, kishin trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesve të kërkesës, dhe se Gjykata vëren se të dyja gjykatat kishin konstatuar se sa i përket parashtruesve të kërkesës E.H, R.H dhe V.H (të cilët nuk janë parashtrues para Gjykatës), padia e tyre ishte refuzuar për shkak se përfaqësuesi i tyre nuk kishte sjell autorizimet për përfaqësim edhe për kundër kërkesës së gjykatës. Ndërsa sa i përket parashtruesve te kërkesës aktuale, gjykatat kishin konstatuar se “ne rast te një padie ne lidhje me te drejtat mbi një pasuri te trashëguar” parashtruesit nuk kishin dëshmuar me asnjë provë me të cilën do vërtetohej se mund te jete bartës i se drejtës te cilën e pretendon respektivisht  patundshmërisë kontestuese. Rrjedhimisht, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së dhe Kolegji i Apelit i DHPGJS-së kishin theksuar se parashtruesit it nuk kanë dëshmuar se kanë legjitimitet aktivë. Për sa i përket parashtruesit të kërkesës Ahmet Hoti, gjykatat padinë e tij e kishin refuzuar si të pabazuar me arsyetimin se nuk kishte arrite te përcaktoj saktë vendndodhjen e patundshmërisë së pretenduar; se kishte qene i njoftuar për arsyet e konfiskimit dhe  nuk ka arrite te “deklaroj se përse nuk ishin te vlefëslune këto veprime dhe nuk mund të adresoheshin më herët parregullsitë”; se nuk ishte parashtruar asnjë prove se shpronësimi kishte ndodhur me forcë, si dhe “nuk ka sjelle asnjë prove me te cilën do te dëshmonte se ndonjëherë e ka kontestuar, ligjshmërinë e ndryshimeve kadastrale lidhur me këtë prone”.

Prandaj, duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesit e kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ata, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara më lart, Gjykata konsideron se parashtruesit e kërkesës nuk dëshmojnë dhe nuk mbështesin në mënyrë të mjaftueshme pretendimet e tyre, dhe rrjedhimisht pretendimet e tyre kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë” dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë“. Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Sa i përket pretendimit për shkelje të së drejtës së pronës, Gjykata rikujtoi se parashtruesit e kërkesës theksuan: “prona qe është objekt i kërkesës është marre me konfiskim dhe se te njëjtit janë privuar nga e drejta e kësaj prone te paluajtshme me dhunën e instrumentalizuar nga pushteti komunist jugosllavë “.

Gjykata konstatoi se në rrethanat e rastit konkret nuk kemi të bëjmë me një të drejtë pronësore të fituar me një vendim gjyqësor të formës së prerë dhe as me pritje legjitime, sepse parashtruesit e kërkesës nuk kanë një të drejtë të pohueshme me të cilën dëshmojnë dhe provojnë se ata e kanë të drejtën e pronës mbi paluajtshmërinë në fjalë. (shih, ngjashëm, GjEDNj rasti Kopecký kundër Sllovakisë [DHM], parimet e paraqitura në paragrafin 52). Andaj, në këto rrethana, parashtruesit e kërkesës nuk mund të pretendojë shkelje të të drejtave pronësore, përderisa Kolegjet e DHPGJS-së, në rastin e tyre shqyrtuan vetëm aspektet procedurale të padisë/ankesës së tyre, përkitazi me kërkesat për vërtetimin dhe dorëzimin në posedim dhe shfrytëzim të patundshmërisë kontestuese.

Në këtë kontekst, Gjykata rikujtoi se ajo vet nuk mund të shndërrohet në gjykatë të faktit dhe të vendosë për njohjen ose vërtetimin e pronësisë së një prone a pronave, sepse një kompetencë e tillë, si rregull, iu takon gjykatave të juridiksionit të rregullt ta bëjnë. Për më tepër, me asnjë vendim gjyqësor nuk konfirmohet se parashtruesit e kërkesës e kanë të drejtën e pronësisë mbi patundshmërinë kontestuese. Gjykata thekson se sa i përket të drejtave pronësore, ajo mund të ndërhyjë vetëm atëherë kur parashtruesve të kërkesave iu është njohur e drejta e pronësisë me një vendim gjyqësor përfundimtar ose me ligj dhe zbatimi i një të drejte të tillë të fituar nuk ka gjetur zbatim në praktikë tek autoritetet publike.

Në këtë kontekst, Gjykata konstatoi se pretendimi i parashtruesve të kërkesës në lidhje me shkeljen e të drejtës në pronë të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNj-së është qartazi i pabazuar nga arsyet e lartcekura.

Parashtruesit e kërkesës pretenduan se Aktgjykimi i kontestuar i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, shkel të drejtat e tyre të garantuara me nenin 24 të Kushtetutës. Mirëpo, parashtruesit e kërkesës vetëm e përmendin nenin respektiv, por nuk shtjellojnë më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtij neni përkatës të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse.

Rrjedhimisht Gjykata erdhi ne përfundim se kërkesa është qartazi e pabazuar ne baza kushtetuese dhe duhet te deklarohet e papranueshme, ne pajtim me nenin 113.7 te Kushtetutës, nenin 48 te Ligjit dhe rregullin 39 (1) (d) dhe (2) (d) te Rregullores se punës.

Siç ishte konkluduar më parë, kërkesa e parashtruesve të kërkesës ishte shpallur e papranueshme si qartazi e pabazuar, prandaj edhe kërkesa e parashtruesve të kërkesës për seancë dëgjimore u refuzua.

Parashtruesit:

Ahmet Hoti dhe të tjerët

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile