KI138/21, Parashtrues: Tomorr Bedra dhe Jusuf Bedra, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 337/2020, të 2 nëntorit 2020
Fjalët kyç: kërkesë individuale, mosarsyetim i vendimit gjyqësor
Çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me pretendimin e parashtruesve të kërkesës lidhur me mos arsyetimin e vendimit nga ana e Gjykatës Supreme, nën pretendimin se babait të ndjerë të tyre nuk i ishte paguar shuma e përcaktuar në vendimin për eksproprijim. Pra, parashtruesit e kërkesës duke konsideruar se babait të tyre nuk i ishte bërë kompensimi lidhur me shpronësimin e palujtshmërisë, kishin ushtruar padi kundër Komunës së Gjakovës ku kërkonin nga e paditura që: parashtruesve të kërkesës t’ iu njihej e drejta e pronësisë dhe kthimi në posedim të parcelave të eksproprijuara, ose të ju bëhej kompensimi me patundshmëri tjetër (pronë komunale) me sipërfaqe të njëjtë. Pas refuzimit të kërkesëpadisë nga Gjykata Themelore, pasoi edhe refuzimi si e pathemeltë e ankesës së parashtruesve të kërkesës nga ana e Gjykatës së Apelit. Përfundimisht, Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar kërkesën për revizion të parashtruesve të kërkesës.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Gjykata Supreme nëpërmjet Aktgjykimit të saj iu kanë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 31 dhe 46 të Kushtetutës. Gjykata vëren se në esencë parashtruesit e kërkesës, kërkesën e tyre e kanë argumentuar dhe ndërtuar në drejtim të së drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor, pasiqë të njëjtit pretendojnë që babai i tyre nuk ka marrë kompenzim për pronën e eksproprijuar.
Në fund, Gjykata konstatoi se Gjykata Supreme duke vlerësuar pretendimet e ngritura në revizion nga parashtruesit e kërkesën dhe gjetjet e Gjykatës se Apelit dhe të Gjykatës Themelore, arriti në konkluzionin se këto të fundit, pasi administruan të gjitha provat relevante, erdhën në përfundim që në mes të paraardhësit të parashtruesve të kërkesës dhe të paditurës (Komuna e Gjakovës) ishte arritur marrëveshja mbi kompensimin, ishte tërhequr shuma e kompensimit, ishte kryer ndryshimi i titullarit të të drejtës së pronësisë në Shërbimin kadastral të Komunës së Gjakovës dhe me këtë ka përfunduar procedura e eksproprijimit.
Gjykata e konsideron të rëndësishme të ritheksojë qëndrimin e përgjithshëm se “drejtësia” e kërkuar nga nenet e lartpërmendura nuk është drejtësi “substanciale”, por drejtësi “procedurale”. Andaj, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës, për shkelje të së drejtës për vendim të arsyetuar, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNJ-së, si të tilla, të ndërlidhura me shkeljen e nenit 46 të Kushtetutës, i takojnë kategorisë së pretendimeve qartazi të pabazuara në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Tomorr Bedra dhe Jusuf Bedra
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile