KI140/21, Parashtrues: Menderes Sinani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr. 34/2021 të 19 prillit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
KI140/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 qershorit 2022, publikuar më 7 korrik 2022
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për mjete juridike, e drejta e privatësisë.
Ndaj parashtruesit të kërkesës ishte ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; Marrja e ryshfetit; Bashkëkryerja; Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale; dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Parashtruesi i kërkesës ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [P. nr. 250/2013], duke i shqiptuar dënim me burgim prej 7 (shtatë) vitesh. Me pas, ky vendim pas ankimimi ishte anuluar nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [PARK. nr. 282/20], në rivendosje shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës dhe ia shqiptoj dënimin me burgim prej 4 (katër) vitesh. Pas ankimimit, ky aktgjykimi ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit, por Gjykata Supreme, nëpërmjet Aktgjykimit [Pml. nr. 34/2021] e aprovoi pjesërisht kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga parashtruesi, duke ndryshuar Aktgjykimin [PARK. nr. 282/20] të 6 nëntorit 2020 të Gjykatës së Apelit, dhe Aktgjykimin [PKR. nr. 173/17] të 12 marsit 2020 të Gjykatës Themelore, në pjesën që kishte të bënte me konfiskimin e mjeteve monetare, të sekuestruara, e të cilat ishin produkt i veprës penale, duke ia kthyer kësisoj këto mjete monetare parashtruesit të kërkesës.
Në rastin konkret, pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me (i) shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së me arsyetimin se aktgjykimet e gjykatave të rregullta nuk i kanë arsyetuar në mënyrë të artikulueshme konkluzionet e tyre për t’iu përgjigjur pretendimeve të tij dhe se gjykatat e rregullta e kanë bazuar vendimmarrjen e tyre në prova të papranueshme, përkatësisht shpallja fajtorë e tij është bazuar në deklaratën e B. Sh., i cili kishte arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë përkitazi me aktakuzat e ngarkuara; (ii) shkelej të nenit 36 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 8 të KEDNj-së me arsyetimin se në pikën 4 dhe 6 të shtojcës së marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, e të dënuarit B. Sh., të 29 prillit 2015, atij i është zbuluar jeta private dhe familjare, për faktin se nga kjo marrëveshje janë cituar pjesë të deklarimeve të të dënuarit B. Sh-së, të cilat flasin për raportet e tij private me familjen e të cilat nuk ndërlidheshin asgjë me pranueshmërinë e provave.
Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e reflektuar në aktvendim, konkludoi se: i) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, përkitazi me “të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor” dhe përkitazi me “pranueshmërinë dhe ligjshmërinë e provave” i përkasin kategorisë së tretë (III), nënkategorisë (b), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, të njëjtat i shpalli qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; ii) ndërsa pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 36 të Kushtetutës dhe të nenit 8 të KEDNj-së, e shpalli s të papranueshëm në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47.2 të Ligjit dhe rregullin 39 (1, b) të Rregullores së punës, për shkak të mosshterjes në substancë të mjeteve juridike në gjykatat e rregullta; iii) pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës, i përket kategorisë se tretë (III), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si i tillë edhe këtë pretendim e shpalli si qartazi të pabazuar, në baza kushtetuese.
Në fund, Gjykata kërkesën në tërësinë e saj, e shpalli të papranueshme, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (1) (b) dhe (2) të Rregullores së punës.
Menderes Sinani
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale