Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, PML. nr. 51/2021, të 25 gushtit 2021

Nr. të lëndës KI 26/22

Parashtruesit: Adem Cani

Shkarko:

KI26/22, Parashtruesi i kërkesës: Adem Cani, kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, PML. nr. 51/2021, të 25 gushtit 2021

KI26/22, Aktvendim për papranueshmëri i 8 qershorit 2022, publikuar më 29 qershor 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, pretendime për shkelje të garancive specifike të nenit 6 paragrafi 3 (b) të KEDNJ-së, kërkesë për vendosjen e masës së përkohshme

Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës si rreshter i Shërbimit Policor të Kosovës, duke përdorur armën zyrtare kishte shtënë disa herë në drejtim të një grupi njerëzish, me ç’rast personat V.K., B.H. dhe L.V. morën disa plagë shpuese. Duke pasur këtë parasysh, Prokuroria e Shtetit ngriti aktakuzë ndaj parashtruesit të kërkesës për shkak të “dyshimit të bazuarse ai kishte kryer veprën penale vrasja e rëndë në tentativënga neni  179 par. 1 nënpar. 1.11 lidhur me nenin 28 të KPRK-së. Gjykata Themelore e shpalli parashtruesin e kërkesës fajtor për kryerjen e veprës penale për të cilën dyshohej se e ka kryer, me ç’rast i shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vitesh e 6 (gjashtë) muajsh.  Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme refuzuan ankesat e parashtruesit të kërkesës duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore.

Parashtruesi i kërkesës i pakënaqur me vendimet e gjykatave të rregullta parashtroi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke pretenduar shkelje të të drejtave dhe lirive të tij të garantuara me nenin 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së.

Gjykata analizoi pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës duke aplikuar si praktikën e vet gjyqësore, ashtu edhe atë të GJEDNJ-së, me ç’rast vërejti se pretendimet e parashtruesit të kërkesës kualifikohen si i) pretendime për shkelje të nenit 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit], të cilat parashtruesi i kërkesës i ndërlidh me të drejtën për administrimin e provave dhe përgatitjen e mbrojtjes, dhe, ii) pretendime për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, e të cilat parashtruesi i kërkesës i ndërlidh drejtpërdrejt me aktgjykime të paarsyetuara gjyqësore.

Megjithatë, Gjykata duke pasur parasysh se pretendimet për shkelje të nenit 30 të Kushtetutës lidhen me faktin se parashtruesi i kërkesës gjatë procedurës gjyqësore nuk ka mundur “të paraqesë provat në mënyrën e rregullt dhe të përgatisë mbrojtjen e tij”, konkludoi se ky pretendim hyn në kuadër të garancive specifike të nenit 6 paragrafi 3 (b) të KEDNJ-së siç është e paraparë me praktikën e GJEDNJ-së, së këndejmi ajo edhe i shqyrtoi dhe vlerësoi si të tilla.

Në këtë drejtim, Gjykata konkludoi se në aktgjykimet e gjykatave të rregullta nuk ka shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë nga neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 paragrafi 1 dhe paragrafi 3 (b) të KEDNJ-së, lidhur me të drejtën e parashtruesit të kërkesës për përgatitjen e mbrojtjes dhe paraqitjen e provave, për arsye se ai gjatë procedurës penale në të gjitha fazat e gjykimit ka pasur të drejtë të propozojë prova, si dhe të përgatisë mbrojtjen, gjë që mund të konkludohet nga veprimet që ka ndërmarrë parashtruesi i kërkesës, e të cilat gjykatat e rregullta i kanë përshkruar në aktgjykimet e tyre.

Gjykata gjithashtu vlerësoi se edhe pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, të cilat parashtruesi i kërkesës i ndërlidhi me aktgjykimin e paarsyetuar, janë të pabazuara, dhe atë, për arsye se Gjykata gjeti se të gjitha instancat e gjykatave të rregullta janë marrë në mënyrë specifike me shqyrtimin e të gjitha pretendimeve ankimore të parashtruesit të kërkesës, duke ofruar në aktgjykimet e tyre arsyetime lidhur me to.

Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se të dy pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e neneve 30 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara sepse këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”.

Gjykata gjithashtu e refuzoi kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme.

Parashtruesit:

Adem Cani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri