Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 107/21 të 16 marsit 2021 në lidhje me Aktvendimin Ac. nr. 4710/20 të 12 nëntorit 2020 të Gjykatës së Apelit

Nr. të lëndës KI154/21

Parashtruesit: Eset Berisha

Shkarko:

 KI154/21, Parashtrues: Eset Berisha, Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme Rev.nr.107/21 të 16 marsit 2021 në lidhje me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [Ac.nr.4710/20] të 12 nëntorit 2020

KI154/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 8 qershorit 2022, publikuar më 24 qershor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë administrative, kërkesë e paafatshme

Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës kishte qenë i emëruar si drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës me vendimin [nr.07/83] të 11 janarit 2019 të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Më 12 maj 2020, Qeveria e Kosovës përmes Vendimit nr. 01/30 parashtruesin e kërkesës e kishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të AACK-së, dhe në vend të tij kishte emëruar një ushtrues detyre të drejtorit. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku kishte kërkuar caktimin e masës së sigurisë me propozimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nr. 01/30 të Qeverisë së Kosovës. Gjykata Themelore refuzoi si të pabazuar propozimin për caktimin e masës së sigurisë të propozuar nga parashtruesi i kërkesës. Kundër vendimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit ku kjo e fundit e kishte refuzuar si të pathemeltë ankesën e tij. I pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit kishte hedhur poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se përmes aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, atij i janë shkelur  të drejtat të tij të garantuara me nenet 31 dhe 54 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së. Lidhur me pretendimet ndër të tjera parashtruesi i kërkesës theksoi se Gjykata Supreme ka gabuar në arsyetimin e saj për shkak se “arsyetimi i kësaj gjykate është i pasaktë sepse propozimi për masë të sigurimit është çështje e ndarë nga çështja kryesore, për të cilën zhvillohet procedurë e njëjtë, rrjedhimisht edhe e drejta për të kërkuar revizion kundër vendimit të gjykatës së shkallës së dytë, ashtu siç lejohet edhe revizioni kundër aktgjykimit (neni 228,par.2 LPK)”.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, ndër të tjera, ritheksoi se Gjykata rikujton se afati 4 (katër) mujor fillon nga “vendimi i fundit” në procesin e shterjes së mjeteve juridike me të cilin është refuzuar ankesa e parashtruesit. Vetëm mjetet efektive mund të merren parasysh nga Gjykata, pasi parashtruesi nuk mund të zgjasë afatet kohore strikte të parapara me Ligj dhe Rregullore të punës, duke u përpjekur të ushtrojë mjete juridike që nuk janë të lejuara ose duke u ankuar në institucionet të cilat nuk kanë kompetencë që të ofrojnë mbrojtje të të drejtave për të cilat ankohet parashtruesi i kërkesës. Gjykata vërejti se procedura ndaj parashtruesit e zhvilluar para gjykatave të rregullta në lidhje me kërkesën e tij për masë të sigurisë, kishin përfunduar me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [Ac.nr.4710/20] të 12 nëntorit 2020, përmes të cilit ishte refuzuar ankesa kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore. Gjykata rikujtoi se, në rastin e parashtruesit, pas pranimit të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, asgjë nuk e ka ndaluar atë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ai ka përdorur mjete juridike, si revizionin kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, i cili nuk kanë qenë i paraparë me ligj. Andaj, Gjykata rikujtoi se Aktvendimi i Gjykatës së Apelit [Ac.nr.4710/2020], ishte nxjerrë më 12 nëntor 2020. Në bazë të datës së nxjerrjes së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit pra më 12 nëntor 2020, dhe datës së paraqitjes së revizionit nga ana e parashtruesit të kërkesës e që është data 4 dhjetor 2020, e cila dëshmohet përmes kërkesës për revizion e cila ndodhet në dosje të rastit, Gjykata vëren se Aktvendimin e Gjykatës së Apelit parashtruesi e ka pranuar para datës 4 dhjetor 2020, dhe me këtë Gjykata konstaton se koha në mes të pranimit të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit dhe të datës së dorëzimit të kërkesës së tij më 26 gusht 2021 në Gjykatë ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh.

Andaj, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit ishte dorëzuar jashtë afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, dhe si e tillë ishte e papranueshme.

 

Parashtruesit:

Eset Berisha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative