Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-14-0043, të 29 nëntorit 2019

Nr. të lëndës KI160/20

Parashtruesit: Komuna e Gjilanit

Shkarko:

KI160/20, Parashtrues: Komuna e Gjilanit, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-14-0043, të 29 nëntorit 2019

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë për seancë dëgjimore, mosarsyetim i vendimit gjyqësor, mungesë e bazës ligjore të njoftimit të Prokurorit të Shtetit për mosparaqitje të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë 

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me marrëveshjen e lidhur në mes të AKP-së dhe personit Z.N nga Gjilani për shitjen dhe bartjen e pronës, përkatësisht vetëshërbimit “Pireva” e cila ishte prona e kontestuar. Parashtruesja e kërkesës –Komuna e Gjilanit përmes padisë së parashtruar në Gjykatën Komunale në Gjilan, kërkoi anulimin e kontratës së shitblerjes të pronës së kontestuar dhe njëkohësisht kërkoi që AKP këtë objekt  të ja ofronte parashtrueses së kërkesës për blerje. Parashtruesja e kërkesës gjithashtu kërkonte edhe lëshimin e një urdhri paraprak gjyqësor me të cilin do tu ndalohej të paditurve (AKP-së dhe Z.N) vazhdimi i punimeve në objektin kontestues. Më 25 maj 2012, Gjykata Komunale në Gjilan u shpall jokompetente për të vendosur në këtë çështje dhe këtë lëndë ia dërgoi në kompetencë DHPGJS-së. Më 15 janar 2014, Kolegji i IV i Specializuar i DHPGJS-së, refuzoi si të pabazuara kërkesëpadinë si dhe propozimin për urdhër paraprak gjyqësor, të parashtrueses së kërkesës, ku konstatoi se procedura e shitjes ishte bërë plotësisht në mënyre transparente dhe në bazë të rregullave të Ligjit në fuqi, te cilat u zbatuan nga AKP-ja si administruese e ndërmarrjeve shoqërore. Para Kolegjit të Apelit, parashtruesja e kërkesës kishte ngritur pretendime që ndërlidheshin edhe me vërtetimin e gabuar të fakteve dhe të njëjtat ishin refuzuar si të pabazuara edhe në nivel të Kolegjit të Apelit të DHPGJS.

Komuna e Gjilanit pretendon se Kolegji i Apelit të DHPGJS, përmes Aktgjykimit të kontestuar, i ka shkelur të drejtat e garantuara me nenet 22, 31, 32, 46, 54 dhe 102 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 dhe nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së. Gjykata vëren se pretendimet thelbësore të parashtrueses së kërkesës kanë të bëjnë me: (I) Mos arsyetimin e vendimeve të DHPGJS; (II) Mos mbajtje të seancës dëgjimore në asnjërën shkallë gjyqësore të DHPGJS; (III) Mungesën e bazës ligjore të njoftimit të Prokurorit të Shtetit për mosparaqitje të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, si dhe (IV) Pretendimet e parashtruesit për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 32, 46, 54 dhe 102 të Kushtetutës.

Në fund, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtrueses së kërkesës është e papranueshme, sepse (I) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës vendim të paarsyetuar gjyqësor, janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe si të tilla këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; (II) pretendimet për mos mbajtje të seancës dëgjimore janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe si të tilla këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; (III) përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për pretendimin e mungesës së bazës ligjore të njoftimit të Prokurorit të shtetit për mosparaqitje të kërkesës për mbrojtje të Ligjshmërisë janë pretendime që kualifikohen si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; dhe (IV) përkitazi me pretendimet për shkelje të neneve  32, 46, 54 dhe 102 të Kushtetutës deklarohen si pretendime qartazi të pabazuara, të kategorisë së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”. Prandaj, kërkesa në tërësi deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Komuna e Gjilanit

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile