KI210/21, Parashtrues: Darko Tasić, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml.nr.138/2021, të 5 majit 2021
KI210/21, Aktvendim i 9 marsit 2022, publikuar më 1 prill 2022
Fjalët kyç: krime lufte kundër popullatës civile, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, qartazi e pabazuar
Nga shkresat e lëndës rezulton që Prokuroria Speciale kishte ngritur Aktakuzë kundër parashtruesit të kërkesës, për shkak të dyshimit të bazuar se kishte kryer veprat penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” dhe “Krime lufte kundër popullatës civile”. Gjykata Themelore e shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për veprat penale të lartcekura, duke i shqiptuar dënim unik me burg, në kohëzgjatje prej njëzetë e dy (22) viteve. Më pas, Gjykata e Apelit, duke vepruar sipas ankesës së parashtruesit të kërkesës, ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore ashtu që parashtruesin e kërkesës e shpalli fajtor vetëm për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile” si dhe i shqiptoi dënim prej njëmbëdhjetë (11) viteve burgim. Parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë para Gjykatës Supreme, duke pretenduar shkelje të Kodit Penal dhe duke propozuar që t’i shqiptohej dënim më i butë si rezultat i ekzistimit të një dënimi maksimal më të butë. Kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë u refuzua nga ana e Gjykatës Supreme si e pabazuar, duke konstatuar se dënimi i ishte shqiptuar brenda minimumit dhe maksimumit të paraparë.
Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese kishte ngritur shkeljen e të drejtës për një gjykim të drejtë e të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, duke u fokusuar në interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit, për faktin se sipas tij kishte pasur shkelje të Kodit Penal lidhur me dënimin që i ishte shqiptuar.
Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës së tij për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me doktrinën e shkallës së katërt dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata theksoi se në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë pranë Gjykatës Supreme, ai kishte kontestuar Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit për sa i përket lartësisë së dënimit dhe se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit kishte vepruar drejtë kur ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës. Gjykata konstatoi se Gjykata Supreme gjatë procedurës i është përmbajtur parimeve të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, siç parashikohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe se nuk ka pasur shkelje të Kodit Penal.
Përfundimisht, pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar përmes nenit 31 të Kushtetutës, si rezultat i interpretimit dhe zbatimit të gabuar të ligjit në fuqi me rastin e përcaktimit të dënimit, Gjykata i vlerësoi si pretendime të “shkallës së katërt”. Rrjedhimisht, Gjykata vendosi se kërkesa duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Darko Tasic
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale