Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Gjykatës Supreme të Kosovës, AC-I-20-0550-A0001, i 7 tetorit 2021

Nr. të lëndës KI 189/21

Parashtruesit: Zeqirja Murina

Shkarko:

KI189/21, Parashtrues: Zeqirja Murina, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Gjykatës Supreme të Kosovës, AC-I-20-0550-A0001, i 7 tetorit 2021

KI189/21, Aktvendim i 16 shkurtit 2022, publikuar më 4 mars 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kompensim i pagave, AKP, vendim i arsyetuar, praktikë gjyqësore

Çështja thelbësore në rastin konkret ndërlidhet me kërkesën e parashtruesit të kërkesës pranë Autoritetit të Likuidimit për kompensimin e pagave të papaguara për periudhën dhjetor 2006 deri dhjetor 2007 në vlerë prej 3,484.07 Euro. Autoriteti i Likuidimit kishte kompensuar parashtruesin në shumën prej 1,740 Euro, duke theksuar se në llogaritjen e shumës, ka marrë parasysh pagën mujore në momentin e pushimit nga puna dhe vitet faktike të shërbimit në punë. I pakënaqur me këtë vendim, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë pranë DHPGJS-së, e cila në shkallën e parë vendosi të refuzojë kërkesën e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës, nuk ka ofruar dëshmi relevante që dëshmon se N.SH i ka mbetur atij borxh pagat e kërkuara, përkatësisht faktin që ai ka ofruar shërbime për N.SH-në, për periudhën dhjetor 2006- dhjetor 2007. Me këtë rast, parashtruesi i kërkesës, parashtroi ankesë pranë Kolegjit të Apelit, duke iu referuar mes tjerash edhe një Aktgjykimi të Kolegjit të Apelit, dhe duke theksuar se ky i fundit, ka obliguar AKP-në që personit N.Z, t’ia paguajë shumën përkatëse në emër të pagave të papaguara, sipas prioriteteve të përcaktuara me ligj. Kolegji i Apelit, vendosi që parashtruesi i kërkesës (i) nuk ka ofruar ndonjë dëshmi relevante për të dëshmuar se N.SH “Xim Strezovci” i ka mbetur atij borxh për pagat e kërkuara; (ii) nuk ka ofruar asnjë dëshmi që vërteton se ai ka ofruar shërbime për NSH-në në periudhën për të cilën kërkon kompensim; dhe (iii) nuk ka ofruar dëshmi për lartësinë e pagës dhe llogaritjen e shumës së kërkuar.

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese (i) fillimisht i referohet dy rasteve “identike/njëjta” të Kolegjit të Apelit, duke pretenduar se këto aktgjykime kanë të bëjnë me të njëjtën çështje, bazë faktike e ligjore, palë të paditur, njëjtë si me rastin e parashtruesit të kërkesës, dhe duke kërkuar që edhe në rastin e parashtruesit të kërkesës të vendoset njëjte; dhe (ii) duke iu referuar Aktgjykimit të Gjykatës KI145/18, pretendon se pretendimi i tij lidhur me precedentin gjyqësor, nuk është trajtuar nga Kolegji i Apelit, pra pretendon në esencë vendim të pa-arsyetuar gjyqësor.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të tij për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, Gjykata fillimisht shtjellojë dhe më pas aplikoi në rrethanat e rastit konkret, parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), duke rikujtuar që bazuar në të njëjtat, dhe për aq sa është relevante për rrethanat e rastit konkret, shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret. Gjykata theksoi se nisur nga praktika e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës,  e njëjta nuk kërkon përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës. Megjithatë, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar.

Gjykata theksoi se, në rastin e parashtruesit të kërkesës, përgjigja lidhur me rastin e “identik” , nuk ishte vendimtare dhe përcaktuese lidhur me rrethanat e parashtruesit të kërkesës, sepse fillimisht, Kolegji i Apelit, bazuar në nenin 42 të Ligjit për Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, do duhej të mbështetej në provat relevante, për të vendosur lidhur me rastin e tij. Në këtë pikë, Kolegji i Apelit kishte theksuar se parashtruesi i kërkesës kishte bashkangjitur vetëm një provë, përkatësisht “Njoftimin” e AKP-së për mundësinë e parashtrimit të kërkesave eventuale ndaj Ndërmarrjes Shoqërore.

Gjykata më pas, trajtoi pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me praktikën gjyqësore në vendimet e Kolegjit të Apelit, duke theksuar se (i) përveç rasteve të arbitraritetit të dukshëm, nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese të vë në pikëpyetje interpretimin e ligjit vendas nga ana e gjykatave vendore; dhe (ii) në parim, nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave vendore, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme. Megjithatë, sipas praktikës së GJEDNJ-së, për të përcaktuar nëse një divergjencë e vendimeve gjyqësore e pretenduar përben shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, duhet të shikohen kriteret si në vijim: (i) nëse ekzistojnë dallime “të thella dhe afatgjata” në praktiken gjyqësore; (ii) nëse ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (iii) nëse ata mekanizma janë zbatuar dhe në çfarë mase. Në rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata konsideroi se në bazë të dy Aktgjykimeve të Kolegjit të Apelit, të nxjerra njëra në 2019 e tjetra në 2020, e të cilat pretendohet se janë të ngjashme, por nuk vërtetohet ngjashmëria e tyre, nuk është e mundur të kuptohet se ka “dallime të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Kolegjit të Apelit, e që do të mund të rrezikonte parimin e sigurisë juridike, dhe me këtë, të rezultonte në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Rrjedhimisht, Gjykata i konsideroi pretendimet e parashtruesit të kërkesës si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Zeqirja Murina

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile