Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Akt-vendimit të Gjykatës së Apelit, PA1. nr. 877/2021, të 16.09.2021

Nr. të lëndës KI 178/21

Parashtruesit: Agim Stublla

Shkarko:

KI178/21Parashtrues: Agim Stublla, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Akt-vendimit të Gjykatës së Apelit, PA1. nr. 877/2021, të 16.09.2021

KI178/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 janarit 2022, publikuar më 14 shkurt 2022

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta e ankesës, mosshterim i mjeteve juridike, parimi i subsidiaritetit.

Nga shkresat e lëndës rezulton që Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër parashtruesit të kërkesës dhe bashkëshortes së tij, për shkak të dyshimit të bazuar se kishin kryer veprën penale të zjarrvënies. Më pas, Gjykata Themelore parashtruesin e kërkesës dhe bashkëshorten e tij i shpalli fajtorë për veprën penale të zjarrvënies, dhe u shqiptoi dënimin me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajsh, dënim i cili nuk do të ekzekutohet brenda 1 (një) viti, nëse i dënuari nuk kryen një vepër të re gjatë asaj periudhe. Parashtruesi i kërkesës kundër aktgjykimit të shkallës së parë parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila e hodhi poshtë të njëjtën për shkak se ishte e paafatshme. Parashtruesi i kërkesës kundër vendimit të shkallës së dytë parashtroi njëkohësisht kërkesë në Gjykatën Supreme dhe në Gjykatën Kushtetuese.

Parashtruesi i kërkesës njëkohësisht pranë Gjykatës Kushtetuese dhe pranë Gjykatës Supreme konteston vendimin e Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit duke mos cekur konkretisht se cilat të drejta dhe liri themelore i janë shkelur me vendimet e kontestuara.

Duke vlerësuar kriteret e pranueshmërisë së kërkesës, Gjykata së pari konstatoi se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar dhe se ka kontestuar një akt të autoritetit publik. Megjithatë, në kuptim të përmbushjes së kriterit të „shterimit të mjeteve juridike“, Gjykata pas analizimit dhe elaborimit vlerësoi kundër aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit [PA1. Nr.  877/2021] të 16 shtatorit 2021, paralelisht me kërkesën në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës gjithashtu kishte parashtruar kërkesë në Gjykatën Supreme duke kontestuar vendimin e kontestuar.  Në dritën e kësaj, Gjykata dëshiron të theksojë pretendimin e parashtruesit të kërkesës se “shkeljen e ligjit e ka mbështetur edhe Gjykata e Apelit, ku më ka dërguar aktvendimin me postë, më 05.10.2021, aktvendimin PA1. nr. 877/2021, të njëjtën ditë kur e kam pranuar akt-vendimin përmes postës, kam parashtruar ankesë drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës dhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës“. Prandaj, Gjykata duke iu referuar praktikës së saj gjyqësore dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin të mëtejmë: GJEDNJ) lidhur me parimin e subsidiaritetit, konstaton që kërkesa e parashtruesit është e parakohshme dhe duhet të hidhet poshtë si e papranueshme, siç është e përcaktuar në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Agim Stublla

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale