KI168/21, Parashtrues: Petrit Dushi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev.nr.158/2021, të 2 korrikut 2021
KI168/21, Aktvendim për papranueshmëri i 20 janarit 2022, publikuar më 08 shkurt 2022
Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, dinjiteti i njeriut, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar
Nga shkresat e lëndës rezulton që rasti ndërlidhet me faktin se parashtruesi i kërkesës për shkak të një deklarate të lajmëruar të kanosjes, ishte ndaluar përkohësisht nga Policia e Kosovës dhe më pas ishte dërguar në Stacionin Policor “ Qendra” në Prishtinë, për të dhënë një deklaratë. Më pas parashtruesi i kërkesës, kishte parashtruar padi për kompensim dëmi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke kërkuar kompensim material me pretendimin se në mënyrë të paligjshme është privuar nga liria nga ana e policit Sh.D. Gjykata Themelore kishte refuzuar padinë e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se zyrtarët policorë duke u bazuar në autorizimet e tyre ligjore kanë vlerësuar se ndalimi dhe dërgimi në Stacionin policorë ka qenë i nevojshëm për të marrë deklaratën e parashtruesit të kërkesës. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën Supreme, këto të fundit refuzuan ankesën dhe e vërtetuan aktgjykimin e instancës së parë.
Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese kishte ngritur shkeljen e të drejtës të mbrojtur me nenin 23 [Dinjiteti i Njeriut] nenin 27 [Ndalimi i Torturës, Trajtimit Mizor, Çnjerëzor ose Poshtërues], nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës.
Në ndërlidhje me këto pretendime, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës vetëm ka përmendur shkeljen e neneve të lartpërmendura të Kushtetutës, duke mos ofruar asnjë arsyetim dhe duke mos mbështetur pretendimin e tij rreth mënyrës se si vendimi i kontestuar, përfshirë edhe vendimet e gjykatave të shkallës më të ulët, mund të kenë rezultuar në shkeljen e këtyre të fundit.
Megjithatë, Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës në esencë ankohej për shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e cila garantohet me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, pasi që thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ndërlidhej me pretendimin e tij për mungesën e arsyetimeve të vendimeve gjyqësore
Lidhur me pretendimin e parashtruesit për mungesën e arsyetimit të vendimeve gjyqësore Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me doktrinën e shkallës së katërt, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.
Lidhur me pretendimin specifik të parashtruesit se gjykatat e rregullta nuk e kishin trajtuar pretendimin e parashtruesit për shkeljen e të drejtave të mbrojtura me Kushtetutë, Gjykata konkludoi se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe që me vendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë.
Rrjedhimisht, Gjykata vendosi se kërkesa në tërësi duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Petrit Dushi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative