KI165/20, Parashtrues: Kurtesh Veliu; Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, AC. nr. 1980/2020, të 24 qershorit 2020
KI165/20, Aktvendim i 19 janarit 2022, publikuar më 8 shkurt 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, shkelje e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Gjykata fillimisht rikujton se parashtruesi i kërkesës ishte i punësuar në Komunën e Gjilanit deri në arritjen e moshës së pensionimit më 3 shtator 2015. Parashtruesi i kërkesës paraqiti në Komunën e Gjilanit kërkesën për pagesën e tri pagave dhe të dy pagave (mujore) përcjellëse të pensionimit. Parashtruesi i kërkesës, kundër të paditurës Komuna e Gjilanit, parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Gjilan, nëpërmjet të cilës, në emër të shpërblimit jubilar kërkoi pagesën e tri pagave dhe të dy pagave (mujore) përcjellëse të pensionimit, në shumën e përgjithshme prej 2.838,06 euro me kamatë ligjore prej 8% (tetë përqind). Gjykata Themelore në Gjilan, me Aktgjykimin C. nr. 793/2019, refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës për shkak të parashkrimit të kërkesës, duke u thirrur në nenin 87 të Ligjit [Nr. 03/L-212] të punës. Parashtruesi i kërkesës, i pakënaqur me Aktgjykimin e lartcekur, parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të ligjit material. Po ashtu Komuna e Gjilanit, si e paditur në këtë çështje, kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të ligjit material. Gjykata e Apelit, si instanca e fundit, përmes Aktgjykimit AC. nr. 1980/2020, kishte refuzuar si të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore.
Gjykata vërejti se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës ka të bëjë: (i) me mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material, sepse nuk është interpretuar drejtë dhe është zbatuar gabimisht neni 87 i Ligjit të punës me rastin e refuzimit të kërkesës së tij, si të parashkruar, dhe moszbatim të nenit 36, paragrafi 9 dhe 10 të Kontratës Kolektive të Arsimit Parauniversitar; (ii) pretendimin për mohimin e mjeteve juridike, si dhe (iii) pretendimet për shkelje të tjera të të drejtave kushtetuese.
Si përmbledhje, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet e sipërcekura të Kushtetutës dhe të KEDNj-së, janë qartazi të pabazuara, sepse të njëjtat cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së parë (i) “gjykatë e shkallës katërt” dhe kategorisë së tretë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara” në baza kushtetuese.
Prandaj, Gjykata konkludon se kërkesa, në tërësinë e saj, duhet të deklarohet qartazi e pabazuar dhe rrjedhimisht e papranueshme në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Kurtesh Veliu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile