Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit – Departamenti për çështje administrative AA. nr. 658/2020, të 5 shkurtit 2021

Nr. të lëndës KI 110/21

Parashtruesit: Makfire Miftari

Shkarko:

KI110/21, Parashtrues: Makfire Miftari, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit – Departamenti për çështje administrative AA. nr. 658/2020 të 5 shkurtit 2021

KI110/21, Aktvendim për papranueshmëri i  10 dhjetorit 2021, publikuar më 11 janar 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta e privatësisë, jashtë afatit kohor, qartazi e pabazuar, aktvendim për papranueshmëri

Parashtruesja e kërkesës në procedurë të rregullt ka dashur të korrigjojë datën e lindjes së saj dhe për këtë arsye ka paraqitur kërkesë në organin komunal të Zyrës së Gjendjes Civile në Komunën e Prishtinës në të cilën ka kërkuar që data e saj e lindjes të korrigjohet në regjistrin themeltar të lindjes nga 12.04.1976 deri më 12.02.1976. Kërkesa e saj u refuzua nga Shërbimi Komunal i Gjendjes Civile me vendimin nr. 12/01, duke konsideruar se nuk ka bazë për këtë. Parashtruesja e kërkesës ka iniciuar procedurë administrative në Gjykatën Themelore duke kontestuar vendimin e Shërbimit Komunal të Gjendjes Civile, i cili ishte refuzuar nga Gjykata Themelore. Në procedurën e apelit, Gjykata e Apelit nxori aktgjykimin, me të cilin vërtetoi  vendimin e Gjykatës Themelore, pasi konsideroi se nuk ka prova me të cilat parashtruesja e kërkesës  e arsyeton kërkesën e saj.

Parashtruesja e kërkesës duke konsideruar se ka prova të reja në mbështetje të kërkesës së saj për ndryshimin e datës së lindjes, parashtroi kërkesë në Gjykatën Themelore në të cilën kërkonte rishikimin e vendimeve të gjykatës. Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit nxorën aktvendime me të cilat refuzuan kërkesën e parashtrueses si të papranueshme, duke konsideruar se provat e paraqitura nuk i plotësojnë kushtet ligjore që të mundësojnë rihapjen e procedurës gjyqësore.

Duke pasur parasysh këtë rezultat të procedurës gjyqësore, më 9 qershor 2021, parashtruesja e kërkesës parashtroi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke konsideruar se me vendimet e tilla gjyqësore janë shkelur të drejtat dhe liritë e saj të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 7 [Vlerat] nenin 21 [Parimet e Përgjithshme], nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], nenin 36 [E Drejta e Privatësisë], nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.

Duke marrë parasysh pretendimet e parashtrueses së kërkesës në kontekst të vendimeve gjyqësore, Gjykata konstatoi se një pjesë e pretendimeve në lidhje me procedurën administrative të zhvilluar me qëllim të anulimit të vendimeve të shërbimit komunal të Gjendjes Civile duhet të refuzohen si të paafatshme, për faktin se kjo pjesë e procedurës gjyqësore përfundoi më 16 prill 2019 me aktgjykimin AA. nr. 10/2019, të Gjykatës së Apelit, ndërsa kërkesën në gjykatë e dorëzoi më 9 qershor 2021.

Megjithatë, sa i përket pjesës së procedurës në të cilën parashtruesja kërkoi rishikimin e vendimeve gjyqësore, Gjykata i shqyrtoi ato në kontekst të nenit 36 ​​të Kushtetutës në lidhje me nenin 8 të KEDNJ-së, duke zbatuar testin e GJEDNJ-së, me ç’rast konstatoi: i) se gjykatat në procedurën e  kontestuar gjyqësore nuk kanë vendosur për të drejtat private të parashtrueses së kërkesës që përfshihen në fushëveprimin e nenit 36 ​​paragrafi 4 të Kushtetutës në lidhje me nenin 8 të KEDNJ-së, dhe  ii) se nuk ka pasur “ndërhyrje” në thelbin e të drejtave të saj.

Rrjedhimisht, Gjykata e refuzoi këtë pjesë të kërkesës së parashtrueses, sepse konsideroi se nuk kishte asnjë argument ligjor në lidhje me procedurën gjyqësore të iniciuar nga ajo me kërkesën për rishikimin e vendimeve gjyqësore, që do të mbështeste pretendimet e saj për shkelje të nenit 36.4 të Kushtetutës në procedurën në të cilën gjykatat kanë bërë vetëm vlerësimin procedural të përmbushjes së kushteve të parapara me nenin 55 të LKA-së. Duke pasur parasysh gjetjet e tilla, Gjykata hodhi poshtë këto pretendime të parashtrueses së kërkesës si qartazi të pabazuara. Gjykata gjithashtu refuzoi pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të neneve 3, 7, 21, 22, 53, 54 të Kushtetutës si qartazi të pabazuara për arsye se ajo nuk kishte arsyetuar bazën për shkeljet e pretenduara.

Parashtruesit:

Makfire Miftari

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile