KI176/21, Parashtrues: Xhemajl Dervishi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, ARJ. UZVP. nr. 80/2020, të 17 dhjetorit 2020
KI176/21, Aktvendim i 25 nëntorit 2021, publikuar më 22 dhjetor 2021
Fjalët kyç: masë disiplinore, shkelje e detyrave të punës, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, qartazi e pabazuar
Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesit të kërkesës, i punësuar në pozitën e Drejtorit të Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë pranë Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, i ishte shqiptuar masa disiplinore “Largimi nga zyra dhe transferimi në një lokacion tjetër me detyra të ngjashme dhe ndalimi i gradimit deri në 5 (pesë) vjet”. Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me procedurën disiplinore ndaj parashtruesit të kërkesës, e cila kishte filluar me kërkesën e kryeshefit ekzekutiv të punëdhënësit, pas pranimit të shkresës së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes së cilës ishin paraqitur vërejte dhe shqetësime rreth veprimeve të parashtruesit të kërkesës në implementimin e dy projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian për ndërtimin e kapaciteteve lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Komisioni Disiplinor i punëdhënësit i shqiptoi parashtruesit të kërkesës masën disiplinore të lartpërmendur për shkak të shkeljes së detyrave të punës, përkatësisht të mungesës së bashkëpunimit të tij si dhe të stafit teknik, me urdhër të parashtruesit të kërkesës. Pas këtij vendimi, punëdhënësi caktoi parashtruesin e kërkesës në pozitën Koordinator i Zyrës Regjionale në Prishtinë. Kundër vendimit të Komisionit Disiplinor, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë pranë shkallës së dytë të punëdhënësit, ankesë kjo e cila u refuzua. Parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPSHCK), ku ky i fundit përmes vendimit shfuqizoi vendimet e lartcekura të punëdhënësit dhe obligoi Komisionin Disiplinor të punëdhënësit që të bëjë rishqyrtimin e rastit në pajtim me legjislacionin në fuqi, duke nxjerrë vendim në të cilin specifikohet saktë koha e ndalimit të gradimit. Mbështetur në vendimin e KPSHCK-së, Komisioni Disiplinor i Punëdhënësit përmes vendimit i shqiptoi parashtruesit të kërkesës masën disiplinore “Largimi nga zyra dhe transferimi në një lokacion tjetër me detyra të ngjashme dhe ndalimi i gradimit katër (4) vjet”. Pas dorëzimit të ankesës nga parashtruesi i kërkesës, shkalla e dytë pranë punëdhënësit e refuzoi ankesën si të pabazuar. Më pas, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë pranë KPMSHCK-së, kërkesë e cila u refuzua si e pabazuar duke vlerësuar se gjendja faktike dhe juridike ishte vërtetuar drejtë dhe se masa disiplinore e shqiptuar ndaj parashtruesit të kërkesës ishte në proporcion me shkeljen që kishte kryer. Kundër këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke propozuar anulimin e tij dhe lirimin nga përgjegjësia disiplinore si rezultat i mungesës së provave. Gjykata Themelore përmes aktgjykimit e refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për anulimin e vendimit, duke konstatuar se ishte mjaftueshëm i arsyetuar dhe i bazuar në faktet, provat dhe shkresat e lëndës. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore u vërtetua nga Gjykata e Apelit dhe më pas edhe nga Gjykata Supreme. Gjykata Supreme përmes aktgjykimit refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, duke konstatuar se gjykata e shkallës së dytë kishte vepruar drejtë kur ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paditësit, duke vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.
Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese kishte ngritur shkeljen e të drejtës për një gjykim të drejtë e të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, duke u fokusuar në interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit, për faktin se sipas tij kishte pasur aplikim diskriminues të ligjit dhe shqiptim të masës disiplinore në mungesë të provave, konkretisht vetëm mbi bazën e shkresës së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës së tij për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me doktrinën e shkallës së katërt dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata theksoi se në kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor pranë Gjykatës Supreme, ai kishte kontestuar ligjshmërinë e aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe se Gjykata Supreme përmes aktgjykimit kishte vepruar drejtë kur ka refuzuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, meqenëse drejtë kishte vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë kishte zbatuar të drejtën materiale. Gjithashtu, Gjykata rikujtoi se në aktgjykimin e Gjykatës Supreme ishte argumentuar ekzistimi i provave në bazë të të cilave ishte vërtetuar shkelja e detyrave të punës në procedurë administrative dhe gjyqësore.
Përfundimisht, sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar përmes nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata vlerësoi se nuk është dëshmuar që ka arbitraritet në interpretimin e dhënë nga Gjykata Supreme me rastin e refuzimit të kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor dhe se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur mjaftueshëm dhe as nuk ka argumentuar se si interpretimi i “ligjshmërisë” nga Gjykata Supreme ka qenë jo i drejtë.
Rrjedhimisht, Gjykata vendosi se kërkesa duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Xhemajl Dervishi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale