KI144/21, Parashtrues: Emin Cakiqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktakuzës PP. II. nr. 5422/19 të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të 17 nëntorit 2020
KI144/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 25 nëntorit 2021, publikuar më 22 dhjetor 2021
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, të drejtat e të akuzuarit, mosshterim i mjeteve juridike, parimi i subsidiaritetit
Nga shkresat e lëndës rezulton se në vitin 2020, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj parashtruesit të kërkesës nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës se paluajtshme” nga neni 320, paragrafi 1 i Kodit 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, përkatësisht akuzohej se që nga viti 2010 në vazhdimësi dhe në mënyrë të kundërligjshme ka uzurpuar banesën, pronë e paluajtshme në emër të Komunës së Drenasit, dhe të njëjtën vazhdon ta shfrytëzojë edhe pas nxjerrjes së vendimit të kësaj komune për lirimin e banesës. Bazuar në informatat e dorëzuara nga Prokuroria Themelore, rezulton që pas ngritjes së kësaj aktakuze janë mbajtur disa seanca të shqyrtimit fillestar, dhe se një seancë e shqyrtimit të dytë pritet të mbahet. Sipas procesverbalit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, rezulton që i pranishëm në këto seanca ishte edhe parashtruesi i kërkesës.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese kontestoi vetëm Aktakuzën e Prokurorisë Themelore me pretendimin që i ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës për shkak të pamundësisë për të pasur mbrojtës dhe pretendoi se as nuk është thirrur nga gjykata apo prokuroria për të deklaruar lidhur me veprën penale që është akuzuar.
Gjatë vlerësimit të kritereve të pranueshmërisë së kërkesës, Gjykata fillimisht konstatoi se parashtruesi i kërkesës ishte palë e autorizuar dhe se konteston një akt të një autoriteti publik. Megjithatë, në kuptim të plotësimit të kriterit të “shterimit të mjeteve juridike”, Gjykata pasi analizoi dhe elaboroi dispozitat e Kodit të Procedurës Penale gjeti se procedura penale është në fazën e shqyrtimit të dytë para Gjykatës Themelore dhe vlerësoi se pretendimet e tij për shkelje të të drejtave të tij të garantuara me Kushtetutë, përfshirë edhe të drejtën e tij për të pasur mbrojtës, ashtu siç garantohet me nenin 30 të Kushtetutës, mund t’i paraqes edhe në procedurën penale, e cila është duke u zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Rrjedhimisht, Gjykata duke iu referuar praktikës së vet gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që ndërlidhet me parimin e subsidiaritetit, konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e parakohshme dhe duhet të refuzohet si e papranueshme ashtu siç është përcaktuar me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 47 dhe 49 të Ligjit si dhe në rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.
Emin Cakiqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Nuk janë shterur mjetet juridike
Penale