Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së mospërmbarimit të: a) Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë C1. nr. 190/07 të 19 tetorit 2010, dhe, b) Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë C1. nr. 686/2009 të 17 nëntorit 2011

Nr. të lëndës KI 114/20

Parashtruesit: Aziz Sefedini

Shkarko:

KI114/20, Parashtruesi i kërkesës: Aziz Sefedini, Vlerësim i kushtetutshmërisë së mospërmbarimit të:  a) Aktgjykimit C1. nr. 190/07 të Gjykatës Themelore në Prishtinë të 19 tetorit 2010, dhe, b) Aktgjykimit C1. nr. 686/2009 të Gjykatës Themelore në Prishtinë të 17 nëntorit 2011

KI114/20, Aktvendim për papranueshmëri i 20 tetorit 2021, publikuar më……

Fjalët kyç: kërkesë individuale, mosshterim i mjeteve juridike dhe rast pa objekt shqyrtimi

Nga shkresat e lëndës rezulton që thelbi i kërkesës së parashtruesit ka të bëjë me dy procedura gjyqësore (kontestimore) të ndjekura nga parashtruesi i kërkesës përkitazi me,

  1. anulimin e vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe pagesën e të ardhurave personale mujore të papaguara për periudhën prej 17 korrikut 1991 deri më 16 qershor 1999, ku si palë e paditur paraqitet edhe NSH Auto Prishtina,

dhe

  1. të ardhurat personale mujore të papaguara për periudhën prej 10 tetorit 1999 deri më 31 dhjetor 2003, ku si ku si palë e paditur paraqitet Ndërmarrja Shoqërore Auto Prishtina(në tekstin e mëtejmë: NSH Auto Prishtina).

Që të dy këto procedura përfunduan me aktgjykime të formës së prerë të Gjykatave Themelore. Megjithatë, problemi u paraqit gjatë procedurës së përmbarimit të tyre. Parashtruesi i kërkesës së pari inicioi procedurën e përmbarimit të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore C1.nr.190/07 pranë Agjencisë së Privatizimit, gjë të cilën ajo e refuzoi, duke konsideruar se ajo kërkesë ishte jashtë afatit.  Parashtruesi ushtroi ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme kundër vendimit të Agjencisë së Privatizimit, duke kërkuar rishikimin e vendimit të Agjencisë së Privatizimit. Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së e miratoi ankesën e parashtruesit si të bazuar. Agjencia e Privatizimit ushtroi ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së kundër vendimit të Kolegjit të Specializuar. Kolegji i Apelit e refuzoi ankesën e Agjencisë si të pabazuar dhe urdhëroi Agjencinë e Privatizimit që të përmbarojë aktgjykimin sipas prioriteteve të përcaktuara.

Procedurën e dytë përmbarimore parashtruesi i kërkesës e inicioi pranë Agjencisë së Privatizimit me qëllim të përmbarimit të Aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore, C1.nr.686/2009. Agjencia e Privatizimit e refuzoi kërkesën për përmbarimin të parashtruesit të kërkesës duke theksuar se kërkesa është jashtë afatit. Parashtruesi ushtroi ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme kundër vendimit të Agjencisë së Privatizimit dhe kërkoi që të rishikohet vendimi i Agjencisë së Privatizimit. Më 9 mars 2021, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së nxori Aktgjykimin C-II-15-0310-C0001, me të cilin kërkesa e parashtruesit për rishikimin e Vendimit të Agjencisë së Privatizimit PRN126-0242, të 18 majit 2015, u refuzua si e pabazuar.

Më 12 prill 2021, parashtruesi i kërkesës ushtroi ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS ndaj Aktgjykimit C-II-15-0310-C0001 të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS, duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Gjykata gjeti se procedura përkitazi me ankesën e parashtruesit të kërkesës është ende në pritje të vendimmarrjes pranë Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së. Gjykata arriti në këtë konkludim në bazë të shkresës së Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të 15 korrikut 2021, që erdhi si rezultat i përgjigjes në shkresën që Gjykata i kishte dërguar Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme më 14 korrik 2021.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se gjykatat me mospërmbarimin e aktgjykimeve të formës së prerë i kishin cenuar të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për një Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së. Në mbështetje të këtyre pretendimeve, parashtruesi i kërkesës theksoi se edhe përkundër “aktgjykimeve të formës së prerë res judicata përmbarimi është stopuar me veprime jo ligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit”.

Gjykata duke analizuar shkresat e lëndës si dhe pretendimet e parashtruesit të kërkesës konkludoi si në vijim. Duke marrë parasysh se procedura përkitazi me përmbarimin e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore C1.nr.686/2009 aktualisht është duke u zhvilluar pranë Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, konkludoi se kjo pjesë e kërkesës është e parakohshme.

Sa i përket përmbarimit të Aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore, C1.nr.190/07, Gjykata konkludoi që të gjitha vendimet janë në favor të parashtruesit të kërkesës, që me vendimet e gjykatave të rregullta tashmë janë përcaktuar të drejtat e tij si dhe organi kompetent që është përgjegjës për përmbarimin e tyre, dhe rrjedhimisht, këtë pjesë të kërkesës Gjykata e shpalli kërkesë pa objekt shqyrtimi.

Parashtruesit:

Aziz Sefedini

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri