KI99/21, Parashtrues: Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac.nr.3609/2020, i 13 prillit 2021
KI99/21, Aktvendim për papranueshmëri i 3 nëntorit 2021, publikuar më 26 nëntor 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, inkompetenca gjyqësore, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se çështja thelbësore ndërlidhet me pretendimin e parashtruesit të kërkesës KEK lidhur me pagimin e faturës nga ana e debitorit-KEDS, si rezultat i marrëveshjes së shitjes me shumicë të rrymës elektrike, dhe se sipas pretendimit të tij, debitori kishte përmbushur pjesërisht obligimin e tij dhe se i njëjti kishte mbetur pa paguar shumën 4.340.491,00 euro, nga totali i faturës. Duke vepruar sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës, Përmbaruesi Privat A.M., kishte lëshuar Urdhër me të cilën lejonte përmbarimin në bazë të provës së besueshme-faturës për pagimin e borxhit të lartcekur. Si rezultat i kontestimit të Urdhrit të Përmbaruesit Privat nga ana e debitorit-KEDS dhe si rezultat i një sërë procedurash, Gjykata e Apelit e refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, sepse neni 28.4 i Marrëveshjes për furnizim me shumicë të energjisë elektrike e lidhur në mes të parashtruesit dhe KEDS, përcaktonte se palët për çdo kontest, dallim apo pretendim që rrjedh apo ndërlidhet me këtë marrëveshje, me shkeljen, shkëputjen apo pavlefshmërinë e saj, do të zgjidhet ekskluzivisht dhe përfundimisht me arbitrazh, në pajtim me Rregullat e Arbitrazhit të Komisionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtën Ndërkombëtare Tregtare (UNCITRAL). Gjithashtu, Gjykata e Apelit theksoi se përderisa palët për zgjidhjen e kontestit të caktuar e kanë kontraktuar arbitrazhin, atëherë gjykata shpallet inkompetente dhe e hedhë poshtë padinë.
Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi se gjykatat e rregullta kanë shkelur garancitë e neneve 31, 54 dhe 102 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së për shkak të interpretimit të gabuar ligjor kur në rastin e tij kanë shpallur veten inkompetente.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse (i) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës se ka ardhur deri te interpretimi i gabuar dhe aplikimi i gabuar i ligjit të zbatueshëm, janë (ii) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt“; dhe si të tilla këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; (iii) pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës, është qartazi i pabazuar, sepse i njëjti cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”; si dhe (iv) pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 102, është qartazi i pabazuar, pasi që i njëjti nuk hyn në kategorinë e të Drejtave dhe Lirive Themelore të përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës, si dhe nuk është ndërlidhur dhe argumentuar me ndonjë të drejtë tjetër të përcaktuar në kapitullin II.
Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit duhet të shpallet qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK)
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile