Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 445/2020, të 10 shkurtit 2021

Nr. të lëndës KI 81/21

Parashtruesit: Byroja Kosovare e Sigurimit

Shkarko:

KI81/21, Parashtrues: Byroja Kosovare e Sigurimit, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 445/2020, të 10 shkurtit 2021

KI81/21, Aktvendim i 20 tetorit 2021, publikuar më 16 nëntor 2021

Fjalët kyç: person i tretë, kompensim dëmi, sigurim i autopërgjegjësisë, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, vendim i paarsyetuar

Nga shkresat e lëndës rezulton që thelbi i rastit që ngërthen kjo kërkesë ndërlidhet me një aksident të trafikut, në të cilin ishte përfshirë vetura BMW me tabela suedeze, e siguruar me “sigurim kufitar” për mbulimin e dëmeve ndaj palëve të treta tek parashtruesi i kërkesës. Pronar i kësaj veture ishte i ndjeri B. G. (djali i paditësve), ndërsa veturën ishte duke e drejtuar G. B., i cili gjatë drejtimit të veturës kishte humbur kontrollin me ç’rast, si pasojë e aksidentit kishin humbur jetën drejtuesi i veturës G. B., pronari i veturës B. G., si dhe B. Sh. Paditësit, prindërit e të ndjerit B. G., kishin paraqitur padi kundër parashtruesit të kërkesës duke kërkuar nga kjo e fundit zhdëmtim material si pasojë e aksidentit të lartcekur, dhe atë: i) në emër të veturës së dëmtuar shumën prej 10.394.00 euro; ii)  në emër të mbajtjes së humbur ndaj paditësve dhe atë, paditësit A. G. shumën prej 62.825.00 dhe paditëses G. G., shumën prej 85.010.00 euro;  si dhe iii) shpenzimet procedurale në shumë prej 4.598.00 euro. Gjykata Themelore refuzoi si të pabazuar padinë e paditësve ndaj parashtruesit të kërkesës, pasi mes tjerash, gjeti se sipas legjislacionit në fuqi, pronari i automjetit (dhe rrjedhimisht trashëgimtarët e tij/saj), nuk ka të drejtë në kompensimin e automjetit të dëmtuar, pasi nuk konsiderohet person i “tretë” për qëllim të kompensimit të dëmit. Vendimi i Gjykatës Themelore, u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit. Megjithatë, Gjykata Supreme duke vendosur lidhur me revizionin e paditësve, e pranoi pjesërisht revizionin e paditësve, ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, dhe detyroi parashtruesin e kërkesës që paditësve, i) në emër të shpërblimit të dëmit material për dëmtimin e veturës, t’ua kompensojë shumën prej 10,394.00 euro me kamatë që paguajnë bankat në mjetet e deponuara mbi një vit pa destinim të caktuar, duke e llogaritur nga data e  përpilimit të ekspertizës, së 27 korrikut 2012; ii) t’ua kompensojë shpenzimet procedurale në shumën prej 5,598.00 euro; dhe (iii) në pjesën tjetër, refuzoi revizionin si të pabazuar.

Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese kishte ngritur shkeljen e të drejtës për një gjykim të drejtë, konkretisht, çështjen e vendimit të mosarsyetuar gjyqësor, duke pretenduar se Gjykata Supreme nuk ka dhënë një arsyetim të duhur dhe të plotë lidhur me atë se: (i) pse ua ka njohur paditësve statusin e “personit të tretë” përkundër faktit që sigurimi të cilin e posedonte automjeti i aksidentuar nuk i mbulonte dëmet e shkaktuara pronarit të automjetit (të birit të ndjerë të paditësve), dhe rrjedhimisht as të trashëgimtarëve të tij; dhe (ii) pse shpenzimet procedurale i janë ngarkuar parashtruesit të kërkesës, përveç për dëmin në automjet, edhe lidhur me ekspertizën që ka të bëjë me mbajtjen e humbur i cili pretendim i paditësve ishte refuzuar si i pabazuar edhe nga Gjykata Supreme. Gjithashtu, ai pretendoi se (iii) Gjykata Supreme në kundërshtim me Mendimin Juridik për Kamatë të Gjykatës Supreme, të 1 dhjetorit 2020, dhe legjislacionin për marrëdhëniet e detyrimeve, ka llogaritur kamatë.

Parashtruesi i kërkesës pretendonte po ashtu shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, si rezultat i shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës, konkretisht si rezultat i mosarsyetimit të vendimit nga Gjykata Supreme.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtave të tij për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, Gjykata fillimisht shtjelloi dhe më pas aplikoi në rrethanat e rastit konkret, parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke rikujtuar që bazuar në të njëjtat, dhe për aq sa është relevante për rrethanat e rastit konkret, shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret, megjithatë është detyrim i të gjitha gjykatave që adresojnë dhe arsyetojnë pretendimet thelbësore dhe përcaktuese të një pale. Gjykata konstatoi se Gjykata Supreme kishte dhënë arsyetim lidhur me pretendimin specifik të parashtruesit të kërkesës, që ndërlidhet me përcaktimin e personit të “tretë”,  dhe se, në përputhje me rrethanat e rastit, në raport me pretendimin specifik të parashtruesit të kërkesës, për mungesë të vendimit të arsyetuar, Aktgjykimi i Gjykatës Supreme ishte i arsyetuar bazuar në interpretimin e legjislacionin në fuqi, konkretisht nenit 1.8, pika (c) të rregullit 3 mbi ndryshimin e Rregullit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia dhe nenit 178 të LMD-së të vitit 1978. Po ashtu, Gjykata gjeti se edhe sa i përket pretendimit lidhur me shpenzimet procedurale, Gjykata Supreme ka dhënë arsyetimin lidhur me pretendimin specifik të parashtruesit të kërkesës, duke theksuar se duke marrë parasysh faktin se në pjesën refuzuese të kërkesëpadisë nuk ka pasur shpenzime të veçanta, shpenzimet e procedurës kontestimore duhet t’i bartë parashtruesi i kërkesës, si i paditur. Këtë qëndrim Gjykata Supreme e kishte bazuar në interpretimin e dispozitave ligjore të LPK-së, konkretisht nenin 452.2 të saj. Lidhur me pretendimin për aplikimin e gabuar të ligjit të zbatueshëm lidhur me datën e llogaritjes së kamatës, Gjykata e cilësoi si pretendim që bie në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si i tillë, reflekton pretendime në nivel të “ligjshmërisë”, dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë”, sipas standardeve të kërkesave kushtetuese.

 

Rrjedhimisht, Gjykata vendosi se kërkesa në tërësi duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Byroja Kosovare e Sigurimit

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile