KI107/21, Parashtrues: Ramiz Hoti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. Nr. 138/2020, të 21 janarit 2021
KI107/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 21 tetorit 2021, publikuar më 10 nëntor 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, barazia para ligjit, mosarsyetim i vendimit gjyqësor, e drejta për punë dhe ushtrim të profesionit, mosshterim substancial i mjeteve juridike, kërkesë qartazi e pabazuar, pretendime të shkallës së katërt, mungesë evidente e shkeljes
Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës më 9 shtator 2012 kishte paraqitur dorëheqjen vullnetare nga pozita e zyrtarit policor në Policinë e Kosovës. Në vitin 2016, përkatësisht pa u mbushur katër (4) vite nga dorëheqja e tij vullnetare, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë për ripunësim në Policinë e Kosovës, të cilën kërkesë e kishte bazuar në dispozita e Udhëzimit Administrativ 12/2009, i cili udhëzim kishte qenë në fuqi në kohën e dorëheqjes së tij dhe përcaktonte që ish-zyrtari policor pas dorëheqjes vullnetare mund të parashtrojë kërkesë për ripunësim brenda katër (4) viteve nga dorëheqja e tij. Në nëntor të vitit 2012 ishte miratuar Udhëzimi i ri Administrativ, i cili kishte shfuqizuar Udhëzimin e lartcekur 12/2009, i cili përcaktonte që ish-zyrtari policor mund të parashtrojë kërkesë për ripunësim brenda dy (2) viteve nga momenti i paraqitjes së dorëheqjes vullnetare. Policia e Kosovës, më 13 korrik 2016 kishte refuzuar kërkesën e tij, dhe më pas si rezultat i ankesës së tij në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, kjo e fundit përmes Vendimit, të saj të 9 nëntorit 2016 e refuzoi ankesën e tij duke konstatuar se sipas Udhëzimit Administrativ 07/2012, i cili ishte në fuqi në momentin e aplikimit të parashtruesit të kërkesës për ripunësim, ky i fundit nuk e plotëson kriterin e afatit kohor, përkatësisht ka parashtruar kërkesën e tij jashtë afatit të përcaktuar kohor që është i paraparë të jetë deri në (2) vjet nga dita e dorëheqjes vullnetare. Si rezultat i kësaj, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore kishte parashtruar padi me kërkesë (i) për anulim, të Vendimit, të 9 nëntorit 2016 të Policisë së Kosovës dhe (ii) kthimin në vendin e tij të mëparshëm të punës si zyrtar policor në Policinë e Kosovës. Gjykata Themelore, kishte aprovuar padinë e parashtruesit të kërkesës si të bazuar dhe kishte vendosur që (i) të anulojë Vendimin, e 9 nëntorit 2016 të Policisë së Kosovës dhe (ii) të obligojë Policinë e Kosovës që brenda shtatë (7) ditësh parashtruesi i kërkesës ti nënshtrohet procedurës së ripunësimit ashtu siç është paraparë me dispozitat e Udhëzimit 12/2009. Si rezultat i ankesës kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, të parashtruar nga Policia e Kosovës në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit kishte aprovuar ankesën e Policisë së Kosovës duke e ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe vendosur që padia e parashtruesit të kërkesës të refuzohej si e pabazuar. Gjykata e Apelit, ndër tjerash kishte konstatuar se në rastin e parashtruesit të kërkesës Udhëzimi i zbatueshëm është Udhëzimi Administrativ 07/2012, i cili ishte në fuqi kur parashtruesi i kërkesës ka parashtruar kërkesën për ripunësim në Policinë e Kosovës. Kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme për shkak të zbatimit të gabuar të drejtës materiale. Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit, të 26 janarit 2021 revizionin e parashtruesit të kërkesës e kishte refuzuar si të pabazuar, duke vërtetuar qëndrimin dhe konstatimin e dhënë nga Gjykata e Apelit.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretendoi (i) shkelje të drejtës së tij për barazi para ligjit, të garantuar me nenin 24 të Kushtetutës; (i) shkelje të drejtës së tij në gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar përmes nenit 31 Kushtetutës, si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor dhe moszbatimit të ligjit më të favorshëm në rastin e tij, përkatësish Udhëzimin Administrativ 12/2009 nga ana e Gjykatës Supreme; (iii) shkelje të së drejtës së tij për punë dhe ushtrim të profesionit, të garantuar me nenin 49 të Kushtetutës.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me (i) pretendimin për shkelje të së drejtës së tij për barazi para ligjit, dhe në lidhje me këtë konstatoi se ky pretendim është ngritur për herë të para Gjykatës Kushtetuese, dhe rrjedhimisht konkludoi se ky pretendim është i papranueshëm si rezultat i mosshterimit substancial të mjeteve juridike ashtu siç është përcaktuar me parafin 7 ë nenit 113 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe pikën (b) të paragrafit (1) të Rregullores së Punës së Gjykatës; (ii) pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, si rezultat i mosarsyetimit të vendimit gjyqësor konstatoi se ky pretendim është qartazi i pabazuar në mungesë evidente të shkeljes, ndërsa përkitazi me pretendimin specifik se Gjykata Supreme nuk ka zbatuar apo aplikuar ligjin më të favorshëm në rastin e tij, Gjykata konstatoi se ky pretendim hyn në kategorinë e pretendimit të shkallës së katërt, dhe si i tillë është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, ashtu siç është përcaktuar me rregullin 39 (2) të Rregullores së Punës; (iii) pretendimin për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në mungesë të dukshëm ose evidente të shkeljes ashtu siç është përcaktuar me rregullin 39 (2) të Rregullores së Punës së Gjykatës.
Ramiz Hoti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 49 - E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative