Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, i udhëhequr nga kryetarja e Gjykatës, znj. Gresa Caka – Nimani, po qëndron në vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, kryetarja Caka – Nimani dhe homologia e saj shqiptare, znj. Vitore Tusha, nënshkruan dje në një ceremoni solemne Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, me qëllim të vazhdimit të bashkëpunimit të dy gjykatave për një periudhë të re pesëvjeçare, në fushat me interes të ndërsjellë.
Memorandumi i Bashkëpunimit, ndër të tjera, parasheh zhvillimin e programeve të bashkëpunimit dypalësh me qëllim të përvetësimit të praktikave më të mira evropiane të së drejtës kushtetuese dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, forcimin e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve dhe të stafit mbështetës, rritjen e cilësisë së vendimeve dhe përmirësimin e komunikimit me publikun.
Me përkrahjen e fondacionit gjerman “Hans Siedel Stiftung”, në vazhdim të vizitës në Shqipëri, gjyqtarët e të dy gjykatave kushtetuese sot morën pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë: “Mosmarrëveshjet e kompetencave ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore – praktikat respektive sipas jurisprudencës kushtetuese”.