KI51/21, Parashtrues: Skender Hyseni, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 229/2020, të 14 janarit 2021
KI51/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 2 qershorit 2021, publikuar më 22 qershor 2021
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, marrëdhënie e punës, ligji i aplikueshëm
Më 14 dhjetor 2007, parashtruesi i kërkesës, konform me Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2001/27 për Ligjin Themelor të Punës kishte nënshkruar me punëdhënësin kontratën e punës [nr. 828/25] në kohë të caktuar, me kohëzgjatje deri më 30 shtator 2008. Sipas kërkesës së parashtruesit, më 8 maj 2008, përmes Vendimit [nr. 409] punëdhënësi kishte lejuar pushimin pa pagesë për parashtruesin e kërkesës në kohëzgjatje prej 3 (tre) muajve dhe atë nga 12 qershori 2008 deri më 12 shtator 2008, me mundësi vazhdimi edhe për 3 (tre) muaj. Më 23 janar 2009, parashtruesi i kërkesës ishte paraqitur në punë tek punëdhënësi, me ç’rast ishte njoftuar se atij i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës. Më 18 mars 2009, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatën Komunale në Prishtinë, duke kërkuar që punëdhënësi të detyrohet të kthejë parashtruesin e kërkesës në vendin e punës dhe atij t’ia kompensojë pagat e papaguara.
Më 7 dhjetor 2015, Gjykata Themelore pas kthimit të rastit në rigjykim përmes Aktgjykimit [C. nr. 2907/13] e aprovoi në tërësi padinë e parashtruesit të kërkesës duke detyruar punëdhënësin që ta kthejë parashtruesin e kërkesës në vendin e punës, si dhe t’ia kompensojë pagat dhe kontributet pensionale për periudhën nga 13 dhjetori 2008 deri më 30 qershor 2015. Megjithatë, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [AC. nr. 859/16] pranoi ankesën e punëdhënësit dhe prishi Aktgjykimin [C. nr. 2907/13] të Gjykatës Themelore dhe hodhi poshtë padinë e parashtruesit të kërkesës duke konstatuar se padia e parashtruesit të kërkesës ishte paraqitur jashtë aftit ligjor, pasi sipas nenit 83, paragrafi 1 të Ligjit për të Drejtat Themelore nga Marrëdhënia e Punës, të 28 shtatorit 1989 të RSFJ-së (LDTHMP), përcaktohet që nëse punëmarrësi nuk është i kënaqur me vendimin definitiv të organit kompetent ose nëse ky organ nuk merr vendim brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e paraqitjes së kërkesës, ka të drejtë të kërkojë mbrojte të të drejtave të tij në gjykatën kompetente brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh. Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, ishte konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme e cila kishte refuzuar revizionin e parashtruesit të kërkesës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon para Gjykatës Kushtetuese se atij i ishin shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës. Lidhur me këtë, ai pretendonte se: (i) Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit në mënyrë diskriminuese kanë aplikuar LDTHMP-së pasi ky i fundit nuk ka qenë i aplikueshëm në rastin konkret, dhe (ii) Gjykatat e rregullta kanë bërë interpretim diskriminues të LDTHMP-së pasi edhe sikur të aplikohej LDTHMP, parashtruesi i kërkesës ka paraqitur padinë brenda afatit ligjor pasi ai nuk kishte pranuar asnjëherë vendim për shkëputjen e marrëdhënies së punës.
Gjykata Kushtetuese pasi vlerësoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës gjeti se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtave të garantuar me nenet 31 dhe 49 të Kushtetutës duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara sepse këto pretendime kualifikohen si pretendime që hyjnë në kategorinë e pretendimeve të “shkallës së katërt” dhe kategorinë e pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësi duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Skender Hyseni
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile