KI34/21, Parashtrues: Skender Murseli, Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik
KI34/21, Vendim i 5 maj 2021, publikuar më 25 maj 2021
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë e paplotësuar, vendim për refuzim
Bazuar në shkresat e lëndës, parashtruesi i kërkesës jeton në Gjermani dhe përmes postës ka dërguar votën e tij për zgjedhjet parlamentare të Republikës së Kosovës të 14 shkurtit 2021. Parashtruesi i kërkesës, poashtu sipas shkresave të lëndës, i kishte dërguar dy letra, të cilat ai i quan “testuese” në Gjykatë dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Parashtruesi i kërkesës në letrën e parë të tij, nuk kishte kontestuar asnjë akt konkret të ndonjë autoriteti publik dhe nuk kishte qartësuar saktësisht se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutë pretendonte se i ishin cenuar nëpërmjet ndonjë akti të një autoriteti publik. Ai i ishte drejtuar Gjykatës me disa dokumente/pohime të cilat nuk shpjegonin dhe nuk specifikonin pretendimet e tij për shkelje kushtetuese.
Marrë parasysh faktin se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk ishte e kompletuar, Gjykata dërgoi një shkresë tek parashtruesi i kërkesës dhe i kërkoi se bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenet 47 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe pikën (d) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese, para Gjykatës ai duhet të (i) saktësojë aktin e autoritetit publik që e konteston; dhe (ii) sqarojë saktësisht se cilat të drejta pretendon se i janë cenuar përmes aktit përkatës të autoritetit publik. Gjykata gjithashtu kërkoi nga parashtruesi i kërkesës (i) plotësimin e formularit për parashtrimin e kërkesave para Gjykatës; dhe (ii) të bashkëngjisë dokumentet shtesë lidhur me vendimet e autoritetit publik që po i konteston.
Parashtruesi i kërkesës, përmes postës elektronike dërgoi një përgjigje në Gjykatë dhe formularin e kërkesës, mirëpo duke mos e ofruar sqarimin e kërkuar nga Gjykata. Për pasojë, Gjykata edhe një herë iu drejtua parashtruesit të kërkesës duke e njoftuar për regjistrimin e lëndës dhe duke i përsëritur kërkesat si në letrën e parë. Parashtruesi i kërkesës përmes postës elektronike përsëriti pretendimet e tij, por duke mos ofruar asnjërën nga sqarimet e kërkuara nga Gjykata përmes dy kërkesave radhazi.
Prandaj, marrë parasysh që, kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte e paplotë dhe e paqartë, përkundër kërkesave të Gjykatës që e njëjta të plotësohet, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës, nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, siç është përcaktuar në paragrafin (5) të rregullit 35 të Rregullores së punës, dhe rrjedhimisht, kërkesën e refuzoi me procedurë të shkurtër.
Skender Murseli
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës