KI21/21, Parashtruesi i kërkesës: Asllan Meka, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ac. nr. 4385/2020, të 15 dhjetorit 2020
KI21/21, Aktvendim për papranueshmëri, vendosur më 28 prill 2021, publikuar me 12 maj 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë për vendosje të masës së përkohshme, pretendime të pambështetura dhe të paarsyetuara, kërkesë e papranueshme.
Parashtruesi i kërkesës para se të parashtronte kërkesën e tanishme në Gjykatë, më 21 prill 2020 kishte parashtruar kërkesën e regjistruar më numër KI64/20, përmes të cilës kishte kontestuar Aktgjykimin [Rev. Nr. 2/2020] të 19 shkurtit 2020, të Gjykatës Supreme, të nxjerrë në procedurë kontestimore, dhe në të cilën procedurë përmes Aktgjykimit të [C. nr. 301/14] të 2 marsit 2015, të Gjykatës Themelore ishte vendosur që parashtruesi i kërkesës dhe të paditurit tjerë detyrohen që A.K., në cilësinë e huadhënësit ti paguajnë borxhin në shumë prej 35, 000.00 euro. Gjykata, përmes Aktvendimit për Papranueshmëri, të 22 korrikut 2020 vendosi që pretendimet e parashtruesit të kërkesës ishin të papranueshme si qartazi të pabazuar në bazë kushtetuese ashtu siç përcaktohet me rregullin 39(2) të Rregullores së Punës. Përderisa në kërkesën e tanishme, të parashtruar në Gjykatë, parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të nxjerrë në procedurë përmbarimore, në të cilën procedurë ishte vendosur që të përmbarohet Aktgjykimi i lartcekur [C. nr. 301/14] i 2 marsit 2015, të Gjykatës Themelore, i bërë i formës së prerë më 8 nëntor 2019. Rrjedhimisht, Përmbaruesi Privat përmes Urdhrit Përmbarues, kishte lejuar përmbarimin e Aktgjykimit [C. nr. 301/14] të 2 marsit 2015, të Gjykatës Themelore. Si rezultat i prapësimit, të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës dhe debitorët tjerë, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PPP. Nr. 52/2020] të 15 korrikut 2020 kishte refuzuar prapësimin kundër Urdhrit Përmbarues. Në vijim, si rezultat i ankesës së parashtruar nga parashtruesi i kërkesës dhe debitorët tjerë, Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit të saj [Ac. Nr. 4385/2020] të 15 dhjetorit 2020, ankesën e tyre e refuzoi si të pathemeltë dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore.
Në lidhje me Aktvendimin e lartcekur të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; të nenit 32 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 13 të KEDNJ-së; dhe të nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së. Sikurse edhe në kërkesën KI64/20, parashtruesi i kërkesës edhe në kërkesën e tanishme ripërsërit se në rastin e tij nuk ka pasur gjykim të drejtë dhe të paanshëm duke pohuar se kontratat ishin fiktive dhe të imponuara, dhe se këtu kemi të bëjmë me fajde dhe jo me huadhënie. Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij iu referohet neneve të lartcekura të Kushtetutës dhe KEDNJ-së duke pretenduar shkelje të të drejtave themelore të garantuara me këto nene, mirëpo pa shtjelluar dhe arsyetuar fare se si dhe pse janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet e lartcekura të Kushtetutës dhe KEDNJ-së.
Gjykata, pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, duke u bazuar në nenin 48 të Ligjit dhe paragrafët (1) (d) dhe (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës, si dhe duke aplikuar edhe standardet e praktikës gjyqësore të vet Gjykatës dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ritheksoi se (i) palët në kërkesat e tyre kanë detyrim që të qartësojnë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqesin faktet dhe pretendimet; dhe gjithashtu (ii) të dëshmojnë dhe në mënyrë të mjaftueshme të mbështesin pretendimet e tyre për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese. Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht kërkesa e tij u shpall e papranueshme si qartazi e pabazuara në bazë kushtetuese, siç është përcaktuar përmes nenit 48 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) dhe (2) të Rregullores së punës. Në vijim, Gjykata po ashtu vendosi që të refuzojë kërkesën e tij për masë të përkohshme.
Asllan Meka
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile