KI177/19, Parashtrues: NNT “Sokoli”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës , Ac.nr.2386/2018, të 17 majit 2019
KI177/19, Aktgjykim, i 29 marsit 2021, publikuar më 19 prill 2021
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e pranueshme, shkelje e të drejtave kushtetuese
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac.nr.2386/2018, të 17 majit 2019, në ndërlidhje me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Cp.nr.200/2016, të 13 prillit 2018.
Nga shkresat e rastit rezultoi se parashtruesi i kërkesës kishte lidhur Kontratë me Kompaninë “Kujtesa Net” Sh.p.k., sipas së cilës parashtruesi i kërkesës duhet të ndërtonte rrjetin kabllor optik dhe koaksial në territorin e Republikës së Kosovë, për nevojat e Kompanisë “Kujtesa Net” Sh.p.k., dhe e cila do të paguante për shërbimet e kryera. Pasi që “Kujtesa Net” Sh.p.k. nuk i kishte përmbushur obligimet që rrjedhin nga kjo kontratë, parashtruesi i kërkesës kishte iniciuar procedurë përmbarimore kundër “Kujtesa Net” Sh.p.k., të cilën e kishte aprovuar Gjykata Themelore në Prishtinë. Kompania “Kujtesa Net” Sh.p.k. kishte ushtruar prapësim, kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykata Themelore e kishte refuzuar prapësimin si të pabazuar. Pas ankesës së Kompanisë “Kujtesa Net” Sh.p.k. kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Gjykata Themelore, duke vepruar në rigjykim, kishte pranuar si të bazuar prapësimin e Kompanisë “Kujtesa Net” Sh.p.k. dhe kishte shfuqizuar në tërësi aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilat ishte lejuar përmbarimi. Ky vendim i Gjykatës Themelore ishte bazuar kryesisht në gjetjet të cilat i kishte bërë Gjykata e Apelit. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës në Gjykatën e Apelit, kundër Vendimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës paralelisht kishte dorëzuar edhe kërkesë për përjashtim të gjyqtarit H.Sh. nga shqyrtimi i lëndës së parashtruesit të kërkesës. Gjykata e Apelit, me Aktvendimin Ac.nr.2368/2018, të 17 majit 2019, kishte refuzuar si të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës. Gjykata e Apelit nuk kishte trajtuar fare kërkesën e parashtruesit të kërkesës për përjashtimin e gjyqtarit H.Sh. nga shqyrtimi i lëndës. Në të dyja rastet kur ishte gjykuar mbi rastin e parashtruesit të kërkesës, në Gjykatën e Apelit kishte gjykuar gjyqtari H.Sh., si gjyqtar i vetëm.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se i janë shkelur të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Sipas parashtruesit të kërkesës, përmes vendimit të kontestuar janë shkelur tri parime të cilat garantohen me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, përkatësisht: (i) vendimi është nxjerrë nga një gjykatë e anshme; (ii) ai vendim nuk jep përgjigje në pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës; dhe (iii) procedura përmbarimore në këtë rast është tejzgjatur.
Gjykata vlerësoi se pretendimi i parë i parashtruesit të kërkesës, përkitazi me cenim të parimit të paanshmërisë së gjykatës, ndërlidhet ngushtë me pretendimin për mungesë të arsyetimit të vendimit të Gjykatës së Apelit. Rrjedhimisht, Gjykata këto dy pretendimet e para i trajtoi së bashku, për të vazhduar me pretendimin e radhës përkitazi me tejzgjatjen e procedurës.
Lidhur me pretendimin për cenim të parimit të paanshmërisë së gjykatës që ndërlidhet ngushtë me pretendimin për mungesë të arsyetimit të vendimit të Gjykatës së Apelit, Gjykata vlerësoi se mos adresimi i kërkesës së parashtruesit të kërkesës për përjashtimin e gjyqtarit H.Sh., në procedurë të vendimmarrjes para kësaj gjykate, si dhe mungesa e arsyetimit të vendimit nga Gjykata e Apelit përkitazi me pretendimin e tij për paanshmërinë e gjyqtarit H.Sh., të ngritur nga ai në ankesën e tij, përbën një të metë të pakapërcyeshme të aktgjykimi – në kuptim të nenit 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata konstatoi se Aktvendimi i Gjykatës së Apelit është i përfshirë në shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si rezultat i mungesës së arsyetimit gjyqësor nga ana e Gjykatës së Apelit.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit për tejzgjatje të procedurës Gjykata konstatoi se lidhur me pretendimin e parashtruesit për tejzgjatje të procedurës, parashtruesi nuk ka dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij për shkelje të të drejtës për gjykim brenda një afati kohor të arsyeshëm, sepse faktet e paraqitura nga ai nuk dëshmojnë që gjykatat e rregullta ia kanë mohuar atij këtë të drejtë kushtetuese.
Gjykata konstatoi se Aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac.nr.2386/2018, i 17 majit 2019, është i pavlefshëm dhe se i njëjti kthehet në rigjykim.
NNT “Sokoli”
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile