KI217/19, Parashtruesi i kërkesës: Astrit Shabiu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 77/2019, të 10 qershorit 2019
KI217/19, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 29 mars 2021, publikuar më 13 prill 2021.
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme.
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me atë se parashtruesi i kërkesës në vitin 2012 kishte aplikuar kishte aplikuar për pozitën e Sekretarit Administrativ në Shkollën Fillore “Dëshmorët e 5 Prillit” në fshatin Smirë, Komuna e Vitisë, në të cilën pozitë ishte pranuar. Si rezultat i ankesës së dy kandidatëve tjerë për këtë pozitë, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPMSHCK) në procedurë të rivendosjes më 1 prilli 2016 kishte aprovuar kërkesën e dy kandidatëve, dhe për pasojë më 26 prill 2016 parashtruesit të kërkesës i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës. Komuna e Vitisë, kishte parashtruar kërkesëpadi në Gjykatën Themelore, në të cilën procedurë parashtruesi i kërkesës kishte cilësinë e palës së interesuar. Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit A. nr. 729/16, të 4 majit 2018 kërkesëpadinë e Komunës së Vitisë e refuzoi si të pabazuar me arsyetimin se parashtruesi nuk kishte plotësuar kriterin e përvojës së punës, të përcaktuar në konkurs. Parashtruesi i kërkesës në cilësinë e palës së interesuar kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila ankesë përmes Aktgjykimit AA. nr. 367/2018, të 19 dhjetorit 2018 u refuzuar si e pabazuar. Si rezultat i kërkesë së parashtruesit të kërkesës, në cilësinë e palës së interesuar për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të parashtruar në Gjykatën Supreme, kjo e fundit përmes Aktgjykimit të saj ARJ-UZVP. nr. 77/2019, të 10 qershorit 2018 kërkesën e tij e refuzoi si të pabazuar duke vërtetuar arsyetimet dhe konstatimet e dhëna përmes Aktgjykimeve të lartcekura të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, respektivisht.
Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e lartcekura të Gjykatës Supreme, duke pretenduar shkelje të të drejtave të të garantuara me nenin 23 [Dinjiteti i Njeriut], nenin 24 [Barazi para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] dhe nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës.
Gjykata pas vlerësimit të të gjitha pretendimeve të lartcekura të parashtruesit të kërkesës, duke aplikuar edhe standardet e praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konstatoi se kërkesa është e papranueshme, sepse, pretendimet e lartcekura të parashtruesit janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese ashtu siç përcaktohet me nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Astrit Shabiu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative