Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-II.-12-0126, të 14 shkurtit 2019

Nr. të lëndës KI 105/19

Parashtruesit: Agjencia Kosovare e Privatizimit

Shkarko:

KI105/19, Parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-II.-12-0126, të 14 shkurtit 2019

KI105/19, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 26 mars 2021, publikuar më 13 prill 2021

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me rastin e Gjykatës Kushtetuese KI115/16, me parashtrues B. Lj., R. Lj. dhe A. V. Lj, kërkesa e të cilëve rezultoi e pranueshme nga Gjykata Kushtetuese, dhe në të cilin u konstatua shkelje e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës, për shkak se pretendimi kryesor i parashtruesve në atë rast, lidhur me afatshmërinë e ankesës të parashtruar nga ana e AKP-së, nuk ishte trajtuar nga Kolegji i Apelit të DHPGJS-së.

Kolegji i Apelit, duke vendosur pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kishte vendosur që në ri-gjykim, të hedhë poshtë si të papranueshme ankesën e parashtruesit të kërkesës [AKP-së], me arsyetimin se është paraqitur pas afatit sipas nenit 9.5 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2008/4 mbi Themelimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, dhe i cili afat ishte 30 ditë.

Esenca e këtij rasti, rrjedhimisht, ndërlidhet me vendimin e dytë të Kolegjit të Apelit dhe afatin e paraparë në dispozitat ligjore për parashtrimin e ankesave, dhe të cilat parashihen në dy akte: (i) Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2008/4 mbi Themelimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (afati prej 30 ditësh), dhe (ii) Urdhëresën Administrative të UNMIK-ut nr. 2008/6 e cila ndryshon dhe implementon Urdhëresën Administrative 2006/17, që implementon Rregulloren e UNMIK-ut 2002/13 mbi Themelimin e Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit (afati prej dy muajsh).

Parashtruesi i kërkesës, rrjedhimisht, pranë Gjykatës ka këto pretendime kryesore: (i) vendimi i kontestuar nuk është i arsyetuar, është kundërthënës dhe pa mbështetje ligjore dhe se gjendja faktike nuk është vërtetuar drejtë, për shkak të interpretimit të gabuar të afatit kohor për paraqitjen e ankesës në Kolegj të Apelit të DHPGJS-së; (ii) përbërja e trupit gjykues të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së nuk ishte në përputhje me Ligjin nr. 04/L-033 për Dhomën e Posaçme; (iii) Kolegji i Apelit i DHPGJS-së nuk kishte mbajtur seancë dëgjimore me ç’rast do t’i mundësohej parashtruesit që të paraqiste opinionin e tij dhe se Aktvendimi i Kolegjit të Apelit është nxjerrë pa marrë mendimin e AKP-së lidhur me praktikat e DHPGJS-së; (iv) përmes vendimit të kontestuar arrihet plotfuqishmëria e vendimit joligjor të Gjykatës Komunale në Prishtinë; dhe, (v) Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, në rastin KI115/16, nuk është interpretuar në mënyrë të drejtë përmes Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së.

Gjykata, pas analizimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, konsideroi se, pretendimet e këtij të fundit, ngritin çështje të ligjshmërisë dhe parashtruesi nuk ka arritur t’i argumentojë ato në rrafsh kushtetues. Rrjedhimisht, Gjykata, duke u mbështetur edhe në praktikën e saj të mëparshme në raste të njëjta, konstatoi se kërkesa e parashtruesit të  kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe si të tillë e shpalli të papranueshme, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Agjencia Kosovare e Privatizimit

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile