KI82/20, Parashtrues: Jakup Mehmeti, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-16-0144-A0001, të 21 shkurtit 2020
KI82/20 Aktvendim për papranueshmëri, i 25 marsit 2021, publikuar më 13 prill 2021.
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë, mbrojtja e pronës, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, kontestoi Aktvendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, AC-I-16-00144-A0001, të 21 shkurtit 2020,për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me nenet: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 [Mbrojtja e pronës] të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Gjykata në lidhje me pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, e cila sipas parashtruesit të kërkesës ka ardhur si rezultati i aplikimit të gabuar të ligjit të aplikueshëm vlerësoi se ajo (Gjykata) në mënyrë të përsëritur ka theksuar se, si rregull i përgjithshëm, pretendimet për interpretim dhe zbatim të gabuar të dispozitave të ligjit, që pretendohet të jetë bërë nga gjykatat e rregullta, kanë të bëjnë me fushën e ligjshmërisë dhe si të tilla, nuk janë në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, dhe për këtë arsye, në parim, Gjykata nuk mund të shqyrtojë ato. Ne këtë kontekst Gjykata kishte rikujtuar rastet e saj KI06/17, me parashtrues L.G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 tetorit 2016, paragrafi 36; KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, A, ktgjykim i 30 majit 2018, paragrafi 56; dhe rastin e Gjykatës KI154/17 dhe 05/18, parashtrues të kërkesës, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 gushtit 2019, paragrafi 60.
Ndërsa sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave pronësore, Gjykata konsideroi se në rrethanat e rastit konkret nuk kemi të bëjmë me një të drejtë pronësore të fituar me një vendim gjyqësor të formës së prerë dhe as me pritje legjitime, sepse parashtruesi i kërkesës nuk ka një të drejtë të pohueshme, me të cilën dëshmon dhe provon se ai gëzon të drejtën e kthimit të së drejtës së pronës së paluajtshmërisë kontestuese (shih, ngjashëm, GjEDNj rasti Kopecký kundër Sllovakisë [DHM], parimin e paraqitur në paragrafin 52). Në këtë rrethanë, parashtruesi i kërkesës nuk mund të pretendojë shkelje të të drejtave të tij pronësore, përderisa kolegjet e DhPGjS-së, në rastin e tij shqyrtuan vetëm aspektet procedurale të ankesës/kërkesës së tij, përkitazi me kthimin e të drejtës së pronës mbi paluajtshmërinë kontestuese dhe kompensimin e saj.
Si përmbledhje, Gjykata duke u mbështetur në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore dhe praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, konstatoi që parashtruesi i kërkesës në asnjë mënyrë nuk ka dëshmuar dhe nuk i ka mbështetur mjaftueshëm pretendimet e tij, për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, dhe nenin 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNj-së. Rrjedhimisht, kërkesa e parashtruesit të kërkesës në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, e njëjta u deklarua e papranueshme si qartazi e pabazuar.
Jakup Mehmeti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile