Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml.nr. 115/2020, të 20 majit 2020

Nr. të lëndës KI 105/20

Parashtruesit: Shani Rexhepi

Shkarko:

KI105/20 Parashtrues: Shani Rexhepi, Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml.nr. 115/2020, të 20 majit 2020

KI 105/20, Aktvendim për papranueshmëri i 25 marsit 2021, publikuar më 6 prill 2021

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedure penale, qartazi e pabazuar

Kërkesa është dorëzuar nga Shani Rexhepi, i përfaqësuar nga Ramiz Krasniqi avokat nga Prishtina

Parashtruesi i kërkesës kontestonte Aktgjykimin Gjykatës Supreme, PML.nr.115/2020, të 20 majit 2020, me pretendimin se i njëjti është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 [E Drejta për një Proces të Rregullt], të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës, në thelb, thekson se është shkel parimi i barazisë së armëve dhe vendimi i Gjykatës Supreme nuk është arsyetuar mjaftueshëm. Në lidhje me këtë, parashtruesi pretendon se “Gjykata Supreme me rastin e vendosjes fare nuk ka marrë parasysh kërkesën e tij që të shqyrtojë dhe vërtetojë drejtë dhe saktë të gjitha provat që gjenden në shkresat e lëndës”.

Lidhur me këto pretendime, Gjykata fillimisht theksoi se si rregull i përgjithshëm, pretendimet për vërtetim të gabuar të gjendje faktike dhe interpretim të gabuar të ligjit, që pretendohet të jetë bërë nga gjykatat e rregullta, kanë të bëjnë me fushën e ligjshmërisë dhe, si të tilla, nuk hyjnë në jurisdiksionin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, parimisht, vlerësimi i tyre nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese por e gjykatave të rregullta (Shih, përshtatshmërisht, rastet e Gjykatës nr. KI06/17, parashtrues L.G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 tetorit 2016, paragrafi 36; rastin KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, Aktgjykim i 30 majit 2018, paragrafi 56; dhe KI49/19 parashtrues Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim për Papranueshmëri i 10 tetorit 2019, paragrafi 47).

Ky qëndrim është mbajtur vazhdimisht nga Gjykata Kushtetuese e cila në mënyrë të qartë ka vënë në pah se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta, në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale apo procedurale (Shih vendimet e Gjykatës Kushtetuese: KI06/17, cituar më lart, paragrafi 38; KI122/16, cituar më lart, paragrafi 58; dhe KI49/19, cituar më lart, paragrafi 49).

Në dritën e këtyre shpjegimeve dhe duke marrë parasysh pretendimin e ngritur nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, Gjykata konsideroi që parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështet mjaftueshëm pretendimin e tij për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës ne lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Prandaj, në pajtim rregullin 39 (2) të Rregullores së punës kërkesa u shpall qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe, rrjedhimisht, e papranueshme.

Parashtruesit:

Shani Rexhepi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri