Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nr. AC-I-16-02560A001, të 21 majit 2020
Nr. të lëndës KI 163/20
Parashtruesit: “Inter-Eminex”
KI163/20, Parashtrues: “Inter-Eminex”, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nr. AC-I-16-02560A001, të 21 majit 2020
KI163/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 18 shkurt 2021, publikuar më 5 mars 2021
Fjalët kyçe: Kërkesë individuale, procedurë përmbarimore, fakturë, kërkesë për kthim në gjendje të mëparshme, kërkesë e pasafatshme
Parashtruesi i kërkesës pretendon që Aktgjykimi [AC-I-16-02560A001] i 21 majit 2020 i Kolegji të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me Aktgjykimin [C-IV-16-0328] e 31 tetorit 2016 të Kolegjit të Specializuar të të njëjtës, kanë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 21 [Parimet e Përgjithshme] e 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) e 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar Aktgjykimin [AC-I-16-02560A001] e 21 majit 2020 të Kolegji të Apelit, e kishte pranuar më 2 qershor 2020. Ndërsa, kërkesën e tij në Gjykatë e kishte dorëzuar më 19 tetor 2020. Rrjedhimisht, në rast nuk ishte kontestuese se kërkesa është dorëzuar pas afatit ligjor prej katër (4) muajsh të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës kishte kërkuar nga Gjykata kthimin në gjendjen e mëparshme për sa i përket afatit për dorëzimin e kërkesës në Gjykatë, siç është përcaktuar përmes nenit 50 të Ligjit, pasi konsideronte se për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, nuk kishte mundësi të paraqes kërkesën e tij brenda afatit të paraparë.
Lidhur me këtë, Gjykata theksoi se ajo ka detyrë të miratojë ose jo kthimin në gjendje të mëparshme të afatit, bazuar në vlerësimin e saj, në secilin rast veç e veç, nëse janë plotësuar kushtet e përcaktuara në nenin 50 të Ligjit dhe të cilat janë kumulative. Në rrethanat e rastit konkret, bazuar në shkresat e lëndës, Gjykata vlerësoi se (i) parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se pa fajin e tij nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën brenda afatit të përcaktuar, përkatësisht afatit katër (4) mujor të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit, sepse përderisa nuk është kontestuese që parashtruesi i kërkesës ka qenë i sëmurë me covid-19 që nga gushti 2020, në kërkesën e tij nuk ka asnjë arsyetim për pamundësinë e dorëzimit të kërkesës së tij në Gjykatë gjatë muajve qershor dhe korrik 2020 dhe për më tepër, asnjë arsyetim për pamundësinë e dorëzimit të kërkesës në Gjykatë nga ana e bashkëpronarëve të tjerë apo edhe të autorizuarve të tjerë të personit juridik; (ii) në po të njëjtin kontekst, parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon që pengesa është mënjanuar më 10 tetor 2020, datë kjo prej të cilës do të fillonte të rrjedhë afati pesëmbëdhjetë (15) ditorë për dorëzimin e kërkesës në Gjykatë, sepse nuk ka asnjë arsyetim lidhur me ekzistimin e ndonjë pengese për dorëzimin e kërkesës në Gjykatë gjatë muajve qershor dhe korrik 2020; dhe (iii) për të njëjtat arsye, kërkesa në fjalë nuk është e arsyetuar.
Për pasojë, Gjykata gjeti se në rrethanat e rastit konkret, është plotësuar vetëm njëri nga kushtet e përcaktuara në nenin 50 të Ligjit, përkatësisht afati një vjeçar brenda të cilit një kërkesë mund të paraqitet në Gjykatë duke kërkuar kthimin në gjendjen e mëparshme, dhe rrjedhimisht, Gjykata konstatoi që, në rrethanat e rastit konkret, nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara përmes nenit 50 të Ligjit për kthim në gjendje të mëparshme, andaj, kërkesa është dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit, dhe për pasojë e papranueshme për shqyrtim në merita.
“Inter-Eminex”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile