Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit [KMLC.nr.79/2020] të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të 9 korrikut 2020; dhe Aktvendimit [Ac.nr.2817/19], të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, të 16 prillit 2020

Nr. të lëndës KI 174/20

Parashtruesit: “DE-KO” Sh.p.k.

Shkarko:

KI174/20, Parashtrues, “DE-KO” Sh.p.k., vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit [KMLC.nr.79/2020] të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të 9 korrikut 2020; dhe Aktvendimit [Ac.nr.2817/19], të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, të 16 prillit 2020 

KI174/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 10 shkurtit 2021, publikuar më 26 shkurt 2021

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, procedurë përmbarimore, kërkesë jashtë afatit

 Procedura ndaj parashtruesit të kërkesës e zhvilluar para gjykatave të rregullta në lidhje me ligjshmërinë e Urdhrit përmbarimor [P.nr.54/18] dhe çështjen e përmbarimit të faturës kontestuese ndaj parashtruesit të kërkesës ishte zhvilluar para dy instancave gjyqësore, Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, që kishte rezultuar me nxjerrjen e Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [Ac.nr.2817/19] të 16 prilli 2020, ku kjo e fundit refuzoi  ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar.

Parashtruesi i kërkesës para Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit kishte paraqitur propozim për inicimin e kërkesës për mbrojte të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore [PPP.nr.146/18] dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [Ac.nr.2817/19]. Më 9 korrik 2020, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes Njoftimin [KMLC.nr.79/2020] informoi parashtruesin e kërkesës se ishte refuzuar propozimi i tij për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, pasi konsideroi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës nuk janë të mjaftueshme për paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës Kushtetuese se Aktvendimi i Gjykatës Themelore [PPP.nr.146/18], Aktvendimi i Gjykatës së Apelit [Ac.nr.2817/19] dhe Njoftimi [KMLC.nr.79/2020] i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, janë nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojta e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.

Gjykata, bazuar në praktikën e GJEDNJ-së, rikujtoi se, në rastin konkret, kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë përmes Prokurorit të Shtetit, përveç që është në diskrecionin e këtij të fundit, do të mund të ngritët nga Prokurori Shtetit vetëm nëse plotësohen kushtet e caktuara ligjore. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës nuk paraqet pretendime specifike lidhur me Njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, por paraqet para Gjykatës të njëjtat pretendime që i paraqet ndaj Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [Ac.nr.2817/19], pretendime, të cilat Zyra e Kryeprokurorit nuk ka pasur juridiksion t‘i adresojë sepse ajo vetëm ka kompetencë të paraqesë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë para Gjykatës Supreme dhe jo të vlerësojë shkeljet ligjore të bëra nga Gjykata e Apelit. Andaj, lidhur me këto pretendime, në rastin e parashtruesit të kërkesës, pas pranimit të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, [Ac.nr.2817/19] të 16 prilli 2020, asgjë nuk e ka ndaluar atë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Gjykata vlerësoi, rrjedhimisht, se “vendim i fundit”, sipas nenit 49 të Ligjit, lidhur me procedurat që ndërlidhen me faturat e kontestuara për të cilat ishte lëshuar Urdhri përmbarimor, konsiderohet Aktvendimi i Gjykatës së Apelit [Ac.nr.2817/19] i 16 prillit 2020, me të cilin ishte refuzuar ankesa e parashtruesit të kërkesës kudër Aktvendimit  të Gjykatës Themelore [PPP.nr.146/18].

Në lidhje me këtë, Gjykata rikujtoi se Aktvendimi i Gjykatës së Apelit [Ac.nr.2817/19] ishte nxjerrë më 16 prill 2020. Edhe pse parashtruesi i kërkesës nuk ka cekur datën e pranimit të Aktgjykimit, nga faktet e rastit, është e qartë së koha në mes të pranimit të Aktgjykimit dhe të datës së parashtrimit të kërkesës së tij, më 9 nëntor 2020, në Gjykatën Kushtetuese (dita kur parashkruesi kishe dorëzuar kërkesë e tij në postë), ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh. Kjo pasi parashtruesi i kërkesës ishte njohur me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të paktën më 24 qershor 2020, kur kishte bërë kërkesë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Si pasojë, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në lidhje me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [Ac.nr.2817/19] të 16 prillit 2020, është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.

Parashtruesit:

“DE-KO” Sh.p.k.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri