KI69/20, Parashtruesi i kërkesës: Gjergj Nikolla, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, AC.nr.1461/15, të 14 shkurtit 2020
KI69/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 10 shkurt 2021, i publikuar më 24 shkurt 2021
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë civile, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [AC.nr.1461/15] e 14 shkurtit 2020 të Gjykatës së Apelit në lidhje me Aktgjykimin [C.nr.143/14] e 19 shkurtit 2015 të Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Rrethanat e rastit ngërthejnë një kontest civil, e që ndërlidhet me veturën e vjedhur të parashtruesit të kërkesës në parkingun e Komunës së Gjakovës, punëtorë i së cilës ishte N.B. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi për kompensim dëmi duke paditur Komunën e Gjakovës si dhe personin N.B. Ky i fundit, përkitazi me të njëjtën çështje, në vitin 2003 ishte shpallur fajtor për veprën penale të punës së papërgjegjshme në detyrë të përcaktuar përmes Ligjit Penal të Kosovës. Ndërsa, në vitin 2012, në procesin civil, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit përkatës, kishte vendosur që Komuna e Gjakovës dhe N.B., në mënyrë solidare duhet të kompensojnë parashtruesin e kërkesës. Ky Aktgjykim megjithatë, ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata e Apelit. Në procedurë të rivendosjes, Gjykata Themelore, kishte liruar Komunën e Gjakovës nga ky detyrim, ndërsa kishte përcaktuar personin N.B., si përgjegjës për kompensimin e dëmit. Duke vepruar sipas ankesave përkatëse, Gjykata e Apelit, kishte liruar nga ky detyrim edhe personin N.B., dhe kishte refuzuar për pasojë, të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e Gjykatës së Apelit para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të (i) nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke vënë theks në interpretimin e gabuar të nenit 154 të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 1978 dhe nenit 14 të Ligjit nr.03/L-006 për Procedurën Kontestimore, duke theksuar se “nuk ka kuptim fare arsyetimi i Gjykatës së shkallës së dytë, që asnjëri nga të paditurit nuk mban përgjegjësi ligjore për shkaktimin e demit”; dhe (ii) neneve 3 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata aplikoi standardet e përcaktuara përmes praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës (i) për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e që ndërlidhen në esencë me interpretimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, theksoi se të njëjtat reflektojnë pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë” dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë“, për më tepër që, në vlerësimin e Gjykatës, Gjykata e Apelit, në rrethanat e rastit konkret, kishte trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke përfshirë edhe ato që ndërlidhen me interpretimin e gabuar të dispozitave të ligjit të aplikueshëm, dhe se, në tërësinë e tyre, procedurat para Gjykatës së Apelit, nuk rezultojnë të kenë qenë të padrejta apo arbitrare; ndërsa përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës (ii) për shkelje të neneve 3, 32 dhe 46 të Kushtetutës, Gjykata theksoi se të njëjtat reflektojnë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”, sepse parashtruesi i kërkesës përtej referimit në nenet e lartcekura të Kushtetutës, nuk ka arsyetuar në mënyrë të qartë dhe adekuate se si mund të jenë cenuar këto nene përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit.
Për pasojë, kërkesa e parashtruesit të kërkesës u shpall e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe specifikohet më tej me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Gjergj Nikolla
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri