Vendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë “së veprimit të Presidentit të Republikës së Kosovës, të datës 23 mars 2020, të shprehur përmes konferencës për media për mosrespektim dhe moszbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës”

Nr. të lëndës KO 56/20

Parashtruesit: Rexhep Selimi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Shkarko:

KO56/20, Parashtrues: Rexhep Selimi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës] – Vlerësimi i “kushtetutshmërisë së veprimit të Presidentit të Republikës së Kosovës, të datës 23 mars 2020, të shprehur përmes konferencës për medie për mosrespektim dhe moszbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

KO56/20, Vendim i miratuar më 17 dhjetor 2020, i publikuar më 8 janar 2021

Fjalët kyç: kërkesë institucionale, deklarata e presidentit, ndërprerje e procedurave

Parashtruesit e kërkesës, më 31 mars 2020 dorëzuan kërkesën e tyre në Gjykatë, përmes të cilës pretenduan se “veprimi” i Presidentit të Republikës së Kosovës  i shprehur përmes Deklaratës së tij në konferencën për media përbënte shkelje serioze të Kushtetutës, respektivisht paragrafit 2 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], paragrafëve 3 dhe 4 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafit 1 i nenit 7 [Vlerat], paragrafëve 1 dhe 2 dhe paragrafi 4 i nenit 16 [Epërsia e Kushtetutës], paragrafit 4 të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], nenit 97 [Përgjegjësia] dhe paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit të Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).

Gjykata, menjëherë pas regjistrimit të kërkesës kishte zhvilluar procedurat e nevojshme për njoftimin e palëve në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi. Si rrjedhojë e kësaj, Gjykata kishte pranuar përgjigjen e Presidentit ndaj pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, si dhe komentet e parashtruesve të kërkesë ndaj përgjigjes së Presidentit.

Megjithatë, para se Gjykata të vendoste përfundimisht në lidhje me kërkesën e parashtruesve të kërkesës, përmes të cilës pretendohej kryerja e shkeljes serioze e Kushtetutës nga Presidenti, më 5 nëntor 2020, Presidenti i Republikës së Kosovës dha dorëheqje nga pozita e Presidentit.

Në këtë kontekst, edhe paragrafi 5 i Rregullit 75 i Rregullores së Punës përcakton që: “Gjykata urdhëron ndërprerjen e procedurave të iniciuara në pajtim këtë rregull në rast se para nxjerrjes së vendimit të saj, Presidenti i Republikës së Kosovës ka dhënë dorëheqje ose ka ndërprerë mandatin e tij/ saj.”

Si rrjedhojë e kësaj rrethane të re, dhe bazuar në faktin se kërkesa është dorëzuar në bazë të nenit 113, paragrafit 6 të Kushtetutës  me ç ‘rast parashtruesit e kërkesës kontestojnë kushtetutshmërinë e veprimit të Presidentit përmes Deklaratës së tij të dhënë më 23 mars 2020 dhe rrjedhimisht, ndërlidhet me kërkesën për konstatimin e një shkelje serioze që do të mund të rezultonte në shkarkimin e Presidentit, ndërsa Presidenti më nuk ushtron këtë detyrë, Gjykata bazuar në rrethanat e krijuara pas dorëzimit të kërkesës nga parashtruesit e kërkesës, si pasojë e dorëheqjes së Presidentit, dhe në përputhje me nenin 113.6 të Kushtetutës, nenet 44 dhe 45 të Ligjit, dhe rregullat 59 dhe 75 (5) të Rregullores së Punës konstatoi se më nuk ka rast para vetes dhe rrjedhimisht, njëzëri vendosi për ndërprerjen e procedurave të shqyrtimit të mëtejmë të kërkesës.

Parashtruesit:

Rexhep Selimi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Lloji i kërkesës:

KO - Kërkesë nga organet shtetërore

Lloji i aktit:

Vendim

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër