Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I.-17-0496-A001, të 24 qershorit 2020
Nr. të lëndës KI 119/20
Parashtruesit: Lutfi Beselica
KI119/20, Parashtrues: Lutfi Beselica, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I.-17-0496-A001, të 24 qershorit 2020
KI119/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 10 dhjetorit 2020, publikuar më 5 janar 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, qartazi e pabazuar
Kërkesa bazohet në nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 22 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 dhe në rregullin 32 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
Më 7 shkurt 2007, parashtruesi i kërkesës paraqiti në Gjykatën Komunale në Podujevë kërkesëpadinë për vërtetimin e pronësisë mbi ngastrën kadastrale nr. 1359, në vendin e quajtur “Malishte”, në sipërfaqe të përgjithshme prej 05.84.44 ha (në tekstin e mëtejmë: ngastra kontestuese), ku parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Komunale në Podujevë, si bazën mbi të cilën e fitoi pronësinë, theksoi kontratën e shitblerjes Vr. nr. 309/95, të 18 prillit 1995.
Duke qenë se Gjykata Themelore nuk ishte kompetente për vendosjen e kësaj çështje, lënda është dërguar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Dhoma e Posaçme) në kompetencë të mëtejme.
Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, duke ia njohur të drejtën mbi ngastrën kontestuese.
Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme, në bazë të ankesës së AKP-së, e ndryshoi Aktgjykimin e Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme, duke e refuzuar padinë e parashtruesit të kërkesës. Kolegji i Apelit përcaktoi se Kolegji i Specializuar e kishte vërtetuar gjendjen faktike në një mënyrë krejtësisht të gabuar, kur konstatoi se dokumentet e bashkangjitura në procesin e provimit të pronësisë përmbanin shumë kontradikta, palogjikshmëri dhe mangësi dhe se mbi këtë bazë nuk ka mundur të vërtetohet pronësia e parashtruesit të kërkesës mbi paluajtshmërinë kontestuese.
Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk mbështet në asnjë mënyrë pretendimet e tij për shkeljen e të drejtave të tij. Gjykata në fakt thekson se parashtruesi i kërkesës ka pasur në dispozicion mjete efektive juridike dhe se humbja e afateve për parashtrimin e kërkesëpadive dhe ankesave nuk mund rezultojë në asnjë mënyrë me pretendime të argumentuara për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë.
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk i ka qartësuar saktësisht faktet dhe pretendimet e tij për shkelje të neneve të lartpërmendura të Kushtetutës dhe për rrjedhojë, këto pretendime duhet të shpallen të papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Lutfi Beselica
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile