Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim ambasadorin e ri të Konfederatës së Zvicrës në Kosovë, z.Thomas Kolly, i cili në takim shoqërohej nga zëvendësambasadorja, znj. Pauline Menthonnex-Gacaferri.
Pasi që u shprehu mirëseardhjen, kryetarja Rama-Hajrizi e njoftoi ambasadorin Kolly me të arriturat e fundit që ka shënuar Kosova në fushën e gjyqësisë kushtetuese, si dhe me sfidat që Gjykata Kushtetuese është përballur në punën e saj gjatë këtij vitit, marrë parasysh edhe rrethanat e krijuara si pasojë e pandemisë COVID-19.
Ajo vuri theksin në raportet e shkëlqyera dhe mbështetjen e vazhdueshme që ambasada e Zvicrës i ka ofruar Gjykatës Kushtetuese ndër vite, veçanërisht në ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit mbështetës, të realizuara nëpërmjet projekteve të ndryshme dhe vizitave studimore në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ambasadori Kolly u zotua se Zvicra do të vazhdojë të mbetet përkrahëse e pa rezervë e forcimit të sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë, ndërsa vuri në dukje se bashkëpunimi dhe përkrahja për Gjykatën Kushtetuese nuk do të mungojë as në të ardhmen.