Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 25 nëntor 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat: 1. KI 34/19; 2. KI 08/20; 3. KI 90/20; 4. KI 111/20; 5. KI 194/19 dhe 6. KI 237/19 dhe KI 238/19. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):
1. Lënda: KI 34/19
Parashtrues: Qamil Lupçi
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ-UZVP. nr. 66/2018], të datës 5 dhjetor 2018, me të cilin parashtruesi pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 20 [Vendimet] dhe 22 [Procedimi i kërkesës] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, kërkesa është e papranueshme si qartazi e pabazuar, si dhe të refuzohet kërkesa për seancë dëgjimore, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës.
2. Lënda: KI 08/20
Parashtrues: Naser Husaj
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev.nr. 465/2019], të datës 11 dhjetor 2019, në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac.nr.2740/13], të datës 30 tetor 2015 dhe aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë [C.nr.21/10], të datës 19 qershor 2013. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se, me aktgjykimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, kërkesa është e papranueshme si qartazi e pabazuar, si dhe të refuzohet kërkesa për seancë dëgjimore, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës.
3. Lënda: KI 90/20
Parashtrues: Arben Boletini
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë [P. nr. 4333/19], të datës 26 nëntor 2019, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ndonëse pa qartësuar saktësisht se cilat të drejta dhe liri themelore i janë cenuar.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 35 (5) e 59 (3) të Rregullores së punës, kërkesa të refuzohet.
4. Lënda: KI 111/20
Parashtrues: Elez Elezi
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Pml. nr. 48/2020], të datës 27 maj 2020, në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [PAKR. nr. 144/2019], të datës 9 korrik 2019 dhe me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda [PKR. nr. 111/2016], të datës 21 shkurt 2019. Në kërkesën e tij, parashtruesi pretendonte se, me vendimet e kontestuara i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës. Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkoi mos zbulimin e identitetit të tij në procedurë para Gjykatës Kushtetuese.
Kërkesa bazohej në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 27 [Masat e përkohshme] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 56 [Kërkesa për masë të përkohshme] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, kërkesa është e papranueshme si qartazi e pabazuar, si dhe të refuzohet kërkesa për masë të përkohshme, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20, 27 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2), 57 dhe 59 (2) të Rregullores së punës.
5. Lënda: KI 194/19
Parashtrues: Fadil Ibrahimi
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Ministrisë së Drejtësisë [157/19], të datës 22 gusht 2019, përkitazi me refuzimin e kërkesës së parashtruesit për kompensimin e rentës se kapitalizuar jetësore. Parashtruesi i kërkesës nuk ka qartësuar saktësisht se, cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës se Kosovës pretendon se i janë cenuar me vendimin e kontestuar.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, kërkesa të refuzohet në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 35 (5) dhe 59 (3) të Rregullores së punës.
6. Lënda: KI 237/19 e KI 238/19
Parashtrues: Ekzon Keka dhe Muhamet Thaçi
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Pn. II. 8/2019], të datës 17 tetor 2019, lidhur me aktvendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës [Pml. nr. 259/2018], të datës 5 nëntor 2018 dhe me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [PA1. nr. 748/2018], të datës 13 gusht 2018. Në kërkesat e dorëzuara, parashtruesit pretendonin se me vendimin e kontestuar u janë shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesit e kërkesave gjithashtu kërkuan caktimin e masës së përkohshme për pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg, deri në vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese.
Kërkesat bazoheshin në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, kërkesa është e papranueshme, në mbështetje të nenit 113.7 të Kushtetutës, të neneve 20 dhe 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullave 35 (4) dhe 39 (2), 57, si dhe 59 (2) të Rregullores së punës.