Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML. nr. 290/2019, të 21 tetorit 2019

Nr. të lëndës KI 243/19

Parashtruesit: Muhamet Idrizi

Shkarko:

KI243/19, Parashtruesi i kërkesës: Muhamet Idrizi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML. nr. 290/2019,të 21 tetorit 2019

KI243/19, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 16 shtator 2020, i publikuar më 06 tetor 2020

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Kërkesa është dorëzuar nga Muhamet Idrizi, me vendbanim në Komunën e Vitisë.

Parashtruesi i kërkesës e konteston, rrjedhimisht, Aktgjykimin e lartcekur duke pretenduar në esencë shkelje të të drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Parashtruesi i kërkesës në esencë kërkon nga Gjykata që të deklarojë kërkesën e tij të pranueshme; të anulojë të gjitha vendimet e gjykatave të rregullta dhe, ta kthej çështjen e tij në rivendosje në gjykatën e shkallës së parë, si dhe ankohet se nuk është përfaqësuar në mënyrë të duhur nga avokati i tij.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata thekson qëndrimin e saj të përgjithshëm se nuk është detyrë e saj që të merret me gabimet e faktit dhe ligjit që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta (ligjshmërisë), përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmërinë). Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. Në përputhje me praktikën e saj tanimë të konsoliduar, Gjykata rithekson se është roli i gjykatave të rregullta t’i interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të ligjit procedural dhe material dhe se Gjykata Kushtetuese nuk mund të bëjë vlerësime se pse një gjykatë e rregullt ka vendosur në një mënyrë të caktuar e jo në një tjetër (shih rastin e Gjykatës Kushtetuese: KI70/11, parashtrues të kërkesës Faik Hima, Magbule Hima dhe Bestar Hima, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 dhjetorit 2011).

Mbështetur në shkresat e lëndës, Gjykata vëren se arsyetimi i dhënë në Aktgjykimin e Gjykatës Supreme është i qartë dhe pas shqyrtimit të të gjitha procedurave, Gjykata gjithashtu gjeti që procedurat para Gjykatave të rregullta nuk ishin të padrejta apo arbitrare.

Lidhur me pretendimin që ka të bëjë me mbrojtësin e tij, ku sipas parashtruesit të kërkesës mbrojtësi i tij kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin e Avokatisë duke dëmtuar interesat e tij, çka në të vërtet nuk përbën argument të vlefshëm për shqyrtim para Gjykatës Kushtetuese, aq më tepër, kur vetë parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi që në të gjitha fazat e procedurës ta revokojë mbrojtësin e tij, gjë që vërtetohet që nuk e ka bërë deri tash. Gjykata thekson, se sjellja para gjykatave e avokatit apo e përfaqësuesit të autorizuar nga vetë parashtruesi i kërkesës është përgjegjësi e parashtruesit të kërkesës. Çfarëdo veprimi ose mosveprimi procedural nga përfaqësuesi i atribuohet parashtruesit të kërkesës.

Rrjedhimisht, duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, Gjykata, duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstaton që parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar dhe nuk ka mbështetur mjaftueshëm pretendimet e tij për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ. Rrjedhimisht, kërkesa në baza kushtetuese,  në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës,  është qartazi e pabazuar dhe duhet të shpallet e papranueshme.

 

 

 

 

Parashtruesit:

Muhamet Idrizi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale