Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac. nr. 4273/19, të 5 shkurtit 2020

Nr. të lëndës KI 85/20

Parashtruesit: Shpëtim Bokshi

Shkarko:

Rasti nr. KI85/20, Parashtrues: Shpëtim Bokshi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac. nr. 4273/19, të 5 shkurtit 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, përmbarim i vendimit, kërkesë qartazi e pabazuar

Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës zhvilloi tri procedura të ndryshme para autoriteteve publike të Republikës së Kosovës, dhe atë: i) procedurën përmbarimore, ii) procedurën penale dhe iii) procedurën sipas padisë për anulimin e Aktvendimit të KPMM-së, nr. 3777.

Parashtruesi i kërkesës konsideronte që përderisa përmes Aktgjykimit [P. nr. 922/17] të 14 qershor 2019 të Gjykatës Themelore është liruar nga akuza, në mënyrë analoge rezulton se Aktvendimi [nr. 3777] i 31 gushtit 2017, i Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (në tekstin e mëtejmë KPMM), konform nënparagrafit 1.2, paragrafit 1, të nenit 71 [Shkaqet e prapësimit] të Ligjit të Procedurës Përmbarimore, ka humbur efektin juridik dhe si i tillë nuk mund të ketë efekte të titullit përmbarimor. I njëjti gjithashtu pretendonte në vendim të paarsyetuar të Aktvendimit [Ac. nr. 4273/19] të 5 shkurtit 2020, të Gjykatës së Apelit të Kosovës si dhe në interpretim arbitrar të ligjit me ç’ rast i janë cenuar të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së.

Në këtë drejtim, lidhur me këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vlerëson se Aktvendimi i Gjykatës së Apelit, në arsyetimin e tij nuk përmban të meta që ndikojnë në kushtetutshmërinë e tij.

Gjithashtu duke marrë parasysh rrethanat e rastit, pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, Gjykata, duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstaton se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar dhe nuk ka mbështetur në mënyrë të mjaftueshme pretendimet e tij se procedurat pranë gjykatave të rregullta, në ndonjë mënyrë, ishin të padrejta apo arbitrare dhe se përmes Aktvendimit të kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të KEDNJ-së.

Si përfundim, Gjykata konsideron se kërkesa është e papranueshme, sepse parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyre të mjaftueshme pretendimin e tij për shkeljen e të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe Konventë. Rrjedhimisht, kjo kërkesë është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe shpallet e papranueshme, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe specifikohet më tej me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

 

 

Parashtruesit:

Shpëtim Bokshi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri