Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës KPK nr. 797/2019 të 23 dhjetorit 2019 në lidhje me procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës
Nr. të lëndës KI 42/20
Parashtruesit: Armend Hamiti
KI 42/20, Parashtrues i kërkesës: Armend Hamiti, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës KPK nr. 797/2019 të 23 dhjetorit 2019 në lidhje me procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës
KI 42/20, Aktvendim për papranueshmëri i 29 korrikut 2020, i publikuar më 31 gusht 2020.
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë administrative, mos shterim i mjeteve juridike, kërkesë e papranueshme
Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës kishte konkuruar për pozitën e Kryeprokurorit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës bazuar në konkursin e shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte dorëzuar “njoftim përfundimtar” parashtruesit të kërkesës me ç ‘rast atij i ishte kumtuar lajmi se Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk e kishte votuar për pozitën Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Parashtruesi i kërkesës po ashtu ishte njoftuar: “ky rezultat ju renditë në pozitën e katërt (4) në konkurrencë me kandidatët e tjerë, dhe nuk ju rendit si kandidat përfundimtar për votim në KPK”.
Në Gjykatën Kushtetuese parashtruesi i kërkesës u ankua se atij i janë cenuar të drejtat dhe liritë e të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike ], dhe 110 (3) [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata rikujtoi se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës i obligon parashtruesit e kërkesave që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive në dispozicion në pajtim me ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi të kontestuar.
Gjykata vërejti se në rrethanat e rastit konkret, përveç mundësisë së kundërshtimit të procesit të përzgjedhjes të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në kuadër të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ligjet e aplikueshme u referohen edhe mjeteve tjera juridike të përcaktuara përmes Ligjit nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative. Gjykata theksoi se nenet 13 dhe 14 të Ligjit për Konfliktet Administrative që ndërlidhen me mundësinë e inicimit të konfliktit administrativ përcaktojnë: (i) konfliktit administrativ mund të fillojë vetëm kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurën administrative në shkallë të dytë; (ii) konflikti administrativ mund të fillohet edhe kundër aktit administrativ të shkallës së parë, kundër të cilit në procedurë administrative ankimi nuk është i lejuar; dhe, (iii) konflikti administrativ mund të fillojë edhe kur organi kompetent nuk ka nxjerrë akt përkatës administrativ sipas kërkesës apo ankesës së palës, nën kushtet e parashikuara me këtë ligj.
Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të arsyetojë se pse mjetet e rregullta juridike para gjykatave të rregullta për ndonjë arsye nuk i ishin në dispozicion të tij ose ishin joefektive në rrethana të veçanta të çështjes apo që ekzistonin rrethana të veçanta për shkak të të cilave ai do të lirohej nga obligimi për shterim të të gjitha mjeteve juridike.
Gjykata përfundoi se kërkesa e parashtruesit kërkesës duhet të shpallet e papranueshme sepse nuk janë shteruar të gjitha mjetet juridike të në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.
Armend Hamiti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Administrative