Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr.195/2019, të 23 korrikut 2019

Nr. të lëndës KI 214/19

Parashtruesit: Murteza Koka

Shkarko:

KI214/19 Parashtrues: Murteza Koka, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr.195/2019, të 23 korrikut 2019

KI214/19 – Aktgjykim i datës 29 korrik 2020, i publikuar më 24 gusht 2020

Fjalët kyçe: Kërkesë individuale, kërkesë e pranueshme, kontest pronësor, lejueshmëria e revizionit, parimi res judicata

Çështja kryesore që ishte ngritur nga parashtruesi në kërkesën e tij para Gjykatës Kushtetuese ishte nëse Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr.195/2019] e kishte rihapur çështjen e parashtruesit të kërkesës të vendosur me Aktgjykimin [AC. nr. 3332/2013] të 26 prillit 2018 të Gjykatës së Apelit e cila kishte vërtetuar Aktgjykimin [C.nr. 38/2012] të 30 prillit 2013 të Gjykatës Themelore, me të cilën ishte aprovuar padia e parashtruesit të kërkesës dhe ishte vërtetuar se parashtruesi i kërkesës është pronar i pronës që ishte objekt i kontestit.

Lidhur me këtë, pas Aktgjykimit [AC.nr.3332/2013] të Gjykatës së Apelit, Komuna e Gjakovës, përmes Gjykatës Themelore, parashtroi revizion në Gjykatën Supreme. Ndërsa, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur përgjigje në revizion duke kontestuar lejueshmërinë e revizionit pasi, sipas tij, vlera e kontestit ishte 200.00 euro ndërsa sipas nenit 211, paragrafit 3 të Ligjit të Procedurës Kontestimore revizioni nuk lejohet nëse vlera e objektit të kontestit nuk e kalon shumën prej 3000.00 euro. Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.38/2012], hodhi poshtë revizionin e Komunës së Gjakovës si të palejuar me arsyetimin se vlera e kontestit të padisë dhe kërkesëpadisë lëndore ka qenë nën shumën prej 3000.00 euro.

Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit [Ac.nr.3860/18], pas ankesës së Komunës së Gjakovës, e ktheu në rigjykim dhe rivendosje rastin pasi vlerësoi se Gjykata e shkallës së parë është dashur që në zbatim të nenit 36 të LPK-së sipas detyrës zyrtare ta verifikojë vlerën e kontestit të treguar në padi dhe pastaj të marrë aktvendim për caktimin e vlerës së kontestit. Gjykata Themelore pas Aktvendimit [Ac.nr. 3860/18] të Gjykatës së Apelit, ia kishte përcjellë shkresat e lëndës Gjykatës Supreme për të vendosur lidhur me revizionin. Ndërsa, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev. nr.195/2019] e pranoi si të bazuar revizionin, e prishi Aktgjykimin [AC.nr.3332/2013] të 26 prillit 2018 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [C.nr. 38/2012] të 30 prillit 2013, të Gjykatës Themelore me të cilat ishte vërtetuar e drejta e pronësisë së parashtruesit të kërkesë për pronën e kontestuar, dhe lëndën e ktheu në rigjykim.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës Kushtetuese se vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme me të cilin rasti i vendosur përmes Aktgjykimit [C. nr. 38/2012] të 30 prillit 2013 të Gjykatës Themelore i cili është bërë përfundimtar përmes Aktgjykimin [AC.nr. 3332/2013], të 26 prillit 2018 të Gjykatës së Apelit, është rikthyer sërish për vendosje në merita në Gjykatën Themelore pa një arsyetim mbi lejueshmërinë e revizionit sipas pretendimeve të paraqitura në përgjigjen e parashtruesit të kërkesës në revizion, dhe me këtë ai pretendoi se atij i është shkelur e drejta për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ si dhe e drejta për barazi para ligjit dhe e drejta për mbrojtje të pronës të garantuara me nenet 24 dhe 46 të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese, bazuar  edhe në praktikën e mëparshme gjyqësore të saj, si dhe në atë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, erdhi në përfundim se Gjykata Supreme përmes vendimit të kontestuar ka rihapur rastin e parashtruesit të kërkesës të vendosur me Aktgjykimin [AC.nr.3332/2013], të 26 prillit 2018 të Gjykatës së Apelit e cila kishte vërtetuar Aktgjykimin [C.nr.38/2012] të 30 prillit 2013 të Gjykatës Themelore dhe të cilat ishin bërë res-judicata, duke pasur parasysh vlerën e kontestit e cila, sipas vendimeve gjyqësore, ishte nën shumën për të cilën është i lejuar revizioni, ndërsa vlera e objektit të kontestit me asnjë vendim të gjykatave të rregullta nuk ishte kontestuar dhe korrigjuar.

Andaj, duke prishur Aktgjykimin [AC.nr. 3332/2013] të 26 prillit 2018 të Gjykatës së Apelit, e cila kishte vërtetuar Aktgjykimin [C.nr.38/2012] të 30 prillit 2013 të Gjykatës Themelore, pa e vlerësuar lejueshmërinë e revizionit, Gjykata Supreme kishte shkelur parimin e sigurisë juridike dhe i kishte mohuar parashtruesit të kërkesës një gjykim të drejtë dhe të paanshëm lidhur me të drejtat dhe detyrimet e tij brenda kuptimit të nenit 31, paragrafit 2 të Kushtetutës dhe nenit 6, paragrafit 1 të KEDNJ-së.

Për sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për mbrojtje të pronës dhe të së drejtës për barazi para ligjit të garantuar me nenin 46, respektivisht nenin 24 të Kushtetutës, Gjykata theksoi se duke pasur parasysh që Gjykata  konkludoi se vendimi i kontestuar ka shkelur të drejtën për një gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ, dhe shpalli të pavlefshëm Aktvendimit Rev. nr. 195/2019, të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 23 korrikut 2019, Gjykata nuk e kishte parë të nevojshme të trajtojë ndaras pretendimet për shkelje të së drejtës për mbrojtje të pronës dhe të së drejtës për barazi para ligjit të garantuar me nenin 46, respektivisht nenin 24 të Kushtetutës.

Parashtruesit:

Murteza Koka

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile