Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ERev.nr.14/2019, i 30 prillit 2019

Nr. të lëndës KI 121/19

Parashtruesit: Ipko Telecomunications

Shkarko:

KI121/19 Parashtrues: Ipko Telecomunications, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ERev.nr.14/2019, i 30 prillit 2019

KI121/19 Aktvendim për Papranueshmëri i datës 29 korrik 2020, i publikuar më 17 gusht 2020

Fjalët kyqe: Kërkesë individuale, detyrim kontraktues, kërkese e papranueshme, kerkese qartazi e pa bazuar

Kërkesa është dorëzuar nga Ipko Telecomunications, e përfaqësuar nga shoqëria e avokatëve “Sejdiu & Qerkini” sh.p.k.

Gjykata sjellë në vëmendje se, në rrethanat e rastit konkret, çështja thelbësore ndërlidhet me pretendimin për ekzistimin e një detyrimi kontraktues, gjegjësisht një borxhi, për të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon se nuk i është paguar nga ana e palës së paditur, Dukagjini Sh.p.k. Parashtruesi i kërkesës pretendon se këtë borxh duhet t’ia paguaj Dukagjini Sh.p.k., për arsye se i njëjti buron nga oferta që parashtruesi i kërkesës ia ka bërë kompanisë Dukagjini Sh.p.k., përmes së cilës parashtruesi i kërkesës i kishte ofruar krijimin e infrastrukturës, sistemit dhe mirëmbajtjes së rrjetit virtual. Oferta në fjalë nuk ishte pranuar asnjëherë, shprehimisht, nga ana e kompanisë Dukagjini Sh.p.k. Lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se kompania Dukagjini Sh.p.k., përmes veprimeve konkludente – konkretisht duke pranuar faturat dhe duke mos iu përgjigjur ofertës së parashtruesit të kërkesës, pra në heshtje – ka pranuar ofertën në fjalë dhe me këtë obligohet që ta paguaj borxhin në shumën prej 2,366.675.47€. Marrë parasysh këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme ka bërë interpretim të gabuar të ligjit, përkatësisht nenit 39.2 të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve (në tekstin e mëtejmë: LMD), për arsye se “pikërisht ky nen përcakton mundësinë e lidhjes së kontratës me veprime konkludente dhe nuk kërkon deklarimin shprehimor të të ofertuarit për pranimin e ofertës”.

Në ndërlidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme shkelë të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejt dhe të Paanshëm], të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt], të KEDNJ-së, ku ai kryesisht thekson se Gjykata Supreme nuk e ka arsyetuar mjaftueshëm vendimin e saj dhe ka bërë interpretime arbitrare ligjore.

Përkitazi me pretendimet e parashtruesit, që lidhen me mos arsyetimin e vendimeve të gjykatave në rastin e tij, Gjykata thekson se ajo tashmë ka një praktikë të konsoliduar sa i përket të drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Kjo praktikë është ndërtuar duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, përfshirë, por duke mos u kufizuar, në rastet: Van de Hurk kundër Holandës, Aktgjykimi i 19 prillit 1994; Hiro Balani kundër Spanjës, Aktgjykimi i 9 dhjetorit 1994; Higgins dhe të tjerët kundër Francës, Aktgjykimi i 19 shkurtit 1998; Garcia Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykimi i 21 janarit 1999; Hirvisaari kundër Finlandës, Aktgjykim i 27 shtatorit 2001; Suominen kundër Finlandës, Aktgjykimi i 1 korrikut 2003; Buzescu kundër Rumanisë, Aktgjykimi i 24 majit 2005; Pronina kundër Ukrainës, Aktgjykimi i 18 korrikut 2006; dhe Tatishvili kundër Rusisë, Aktgjykimi i 22 shkurtit 2007. Për më tepër, parimet themelore sa i përket të drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor janë elaboruar po ashtu në rastet e kësaj Gjykate, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI97/16, parashtrues “IKK Classic”, Aktgjykimi i 9 janarit 2018; KI72/12, Veton Berisha dhe Ilfete Haziri, Aktgjykimi i 17 dhjetorit 2012; KI22/16, Naser Husaj, Aktgjykimi i 9 qershorit 2017; dhe KI143/16, Muharrem Blaku dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 13 qershorit 2018. Në parim, praktika gjyqësore e GJENDJ-së dhe ajo e Gjykatës Kushtetuese theksojnë se e drejta për një proces të rregullt gjyqësor përfshin të drejtën për një vendim të arsyetuar dhe se gjykatat duhet “të tregojnë me qartësi të mjaftueshme arsyet në të cilat ata bazuan vendimin e tyre”. Megjithatë, ky detyrim i gjykatave nuk mund të kuptohet si kërkesë për një përgjigje të hollësishme në çdo argument. Shkalla në të cilën zbatohet obligimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit. Janë argumentet thelbësore të parashtruesve të kërkesës që duhet të adresohen dhe arsyet e dhëna duhet të jenë të mbështetura në ligjin e aplikueshëm.

Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se gjykatat kanë përmbushur detyrimin e tyre kushtetues për të ofruar një arsyetim të mjaftueshëm ligjor përkitazi me kërkesat dhe pretendimet e parashtruesit. Për rrjedhojë, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës ka përfituar nga e drejta e tij për të pranuar vendime të arsyetuara gjyqësore, në pajtim me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

 Në dritën e interpretimeve dhe arsyetimeve që janë dhënë në vendimet e gjykatave të rregullta, Gjykata konsideron se kërkesa nuk dëshmon se procedurat pranë Gjykatës Supreme dhe gjykatave të shkallës më të ulët kanë qenë të padrejta apo arbitrare, apo që të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesit, të mbrojtura me Kushtetutë, janë shkelur si rrjedhojë e interpretimeve të gabuara ligjore.

Rrjedhimisht, bazuar në si më sipër dhe duke marrë parasysh rrethanat e rastit, pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, Gjykata duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstaton se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar dhe nuk ka mbështetur në mënyrë të mjaftueshme pretendimet e tij se procedurat pranë gjykatave të rregullta, në ndonjë mënyrë, ishin të padrejta apo arbitrare dhe se përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin 31 të Kushtetutë dhe me nenin 6 të KEDNJ.

Parashtruesit:

Ipko Telecomunications

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile