Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 3 [Autorizimet e noterit dhe dokumentet noteriale] të Ligjit Nr.06/L–010 për Noterinë dhe për interpretimin e tij

Nr. të lëndës KI 113/19

Parashtruesit: Islam Qerimi

Shkarko:

KI113/19 Parashtrues: Islam Qerimi, Kërkesë për interpretimin e Ligjit Nr.06/L–010 për Noterinë

KI113/19 Aktvendim për Papranueshmëri i datës 9 korrik 2020, i publikuar më 3 gusht 2020

Fjalët kyqe: Kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, pale e pa autorizuar, actio popularis

Parashtrues i kërkesës është Islam Qerimi, i cili kërkon interpretimin e Ligjit Nr.06/L–010 për Noterinë.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se neni 3 [Autorizimet e noterit dhe dokumentet noteriale], i Ligjit për Noterinë, i shkel të drejtat e tij të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës kërkonte nga Gjykata që të bëjë interpretimin e Ligjit për Noterinë, duke u përgjigjur në disa pyetje specifike si në vijim: (i) “A mundet një Zyre për Konsulencë Ligjore e regjistruar pranë ARBK-së apo një Zyre e Avokatisë e regjistruar në Odën e Avokatëve, të hartoj kontrata për paluajtshmëri, dhe cilat lloje të kontratave mund të hartohen”?; (ii) A mund të përfaqësoj klient të saj tek një Organ Administrativ, dhe a mund të përfaqësoj në bazë të Autorizimit të dhënë nga Klienti, që të përfaqësoj në një Kontest civil, administrativ, ekonomik, pranë gjykatës kompetente?; (iii) Autorizimi që jep klienti për Zyrën Ligjore “Law Tech”, a ka vlefshmëri edhe pa u vërtetuar nga noteri.;(iv) Çfarë veprimtari mund të ushtrojë një Zyre Ligjore e Licencuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë?”

Në zbatim të dispozitave gjegjëse kushtetuese, të cilat shërbejnë si bazë për vlerësim të kësaj kërkese, Gjykata referohet në nenin 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] i të Kushtetutës, i cili përcakton kush janë palët e autorizuara që kanë të drejtë të kërkojnë vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve. Në këtë vazhdë, Gjykata thekson se, sipas nenit 113 të Kushtetutës dhe dispozitave përkatëse të Ligjit dhe të Rregullores së punës, individët nuk janë të autorizuar të parashtrojnë në Gjykatën Kushtetuese kërkesa që janë të karakterit actio popularis. E vetmja mënyrë se si personat fizikë ose juridikë mund të kontestojnë kushtetutshmërinë e një ligji para Gjykatës Kushtetuese përmes nenit 113.7 të Kushtetutës dhe neneve 47 dhe 49 të Ligjit, është nëse ata dëshmojnë se kërkesa e tyre nuk është e karakterit “actio popularis” – por që ata janë prekur nga një “ligj” në mënyrë direkte dhe të drejtpërdrejtë, në mungesë të ndonjë akti, vendimi ose mase që zbaton atë ligj. Në rrethanat e rastit konkret, siç do të shpjegohet më tutje, ky nuk është rasti.

Pra, sipas praktikës gjyqësore të kësaj Gjykate, Kushtetuta nuk parasheh mundësi që individët të mund të ankohen në Gjykatën Kushtetuese, in abstracto, për jo-kushtetutshmëri të një Ligji. Individët mund të parashtrojnë kërkesë kushtetuese, sa i përket veprimeve ose mosveprimeve të autoriteteve publike, vetëm përbrenda fushëveprimit të përcaktuar me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, që kërkon që parashtruesit të dëshmojnë se janë: (1) palë të autorizuara, (2) të prekur drejtpërsëdrejti nga akti konkret i një autoriteti publik ose mosveprimi i autoritetit publik, dhe (3) se kanë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj (Shih rastin e Gjykatës Kushtetuese KI102/17 parashtrues Meleq Ymeri, cituar më lart, paragrafi 20).

Gjykata theksoi se ajo nuk mund të përgjigjet në pyetjet dhe mëdyshjet e aplikueshmërisë së Ligjit për Noterinë, që parashtruesi i kërkesës i ka paraqitur, në mënyrë abstrakte, përmes kërkesës së tij.

Rrjedhimisht, kërkesa e parashtruesit u shpalle e papranueshme sepse nuk ishte dorëzuar nga një palë e autorizuar, siç përcaktohet me paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit si dhe rregullin 39 (1) (a) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Islam Qerimi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri